MEDITIMI I DITËS – SHEMBULLI I JETËS

Written by on May 10, 2017

Gjn 13, 16-20 SHEMBULLI I JETËS

 

Kërkoj hirin që ta vlerësoj si duhet dhe ta realizoj shembullin e shërbimit që bëri Jezusi.

 

«16 Pasi që Jezusi ua lau këmbët nxënësve tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij as i dërguari më i madh se dërguesi. 17 Pasi tani i dini këto, të lumët ju nëse edhe do t’i zbatoni!»

Para arrestimit, Jezusi i kaloi edhe disa orë të jetës tokësore me nxënësit e vet. Kishte edhe diçka të rëndësishme për t’iu thënë. Ai, që e quanin Mësues dhe Zotëri, ua lau këmbët. Kjo gjë i tronditi dhe i befasoi. Mirëpo, Jezusi nuk u ndal vetëm në këtë gjë. Pas larjes së këmbëve, ai i mësoi duke i ftuar në shërbim. Kështu, komunikimi mes Tij dhe nxënësve u bë i përsosur. Së pari, u tregoi me shembull se çfarë duhej bërë e pastaj ua drejtoi fjalën. Shumë shpesh foli me ta për përvujtërinë dhe shërbimin. Mirëpo, nxënësit në vetvete kërkonin vendet e para dhe pyesnin njëri–tjetrin se kush ishte më i madhi. Prandaj, Jezusi dëshironte që t’ua tërhiqte sërish vërejtjen. Ai dëshironte që nxënësit e Tij ta kuptonin rëndësinë e shërbimit dhe të përvujtërisë. Ai kishte dëshirë që nxënësit e tij t’i shërbenin njëri-tjetrit.

Jezusi e di se njeriu mbart në vetvete dëshirën që të duket i madh, më i rëndësishëm se tjetri, të jetë i pari, më i miri dhe më i pranuari. Njeriu ka frikë ta pranojë se tjetri është më i mirë, më i zgjuar dhe më i aftë se ai. Ka frikë t’i pranojë cilësitë e tjetrit, sepse i duket se ato ia humbasin vlerat e veta. Ka frikë që të jetë i përvuajtur dhe i dëgjueshëm, sepse mendon se kështu e humb vlerën e vet.

Vetëm Etërit e shkretëtirës e kanë kuptuar mirë thelbin e përvujtërisë, sepse me jetën dhe veprat e tyre dhanë shembuj të përvujtërisë së konkretizuar në jetë. Ata thoshin: «Përvujtëria nuk është njëri prej ushqimeve në festë, por mëlmesa që i jep shije krejt ushqimit».

Si është puna me shërbimin dhe me përvujtërinë time? Kujt i shërbej unë? Në çka i shërbej? Shërbimin tim, a e bëj në shpirtin e përvujtërisë apo ndoshta me shërbimin tim dëshiroj ta paraqes vetveten?

O Zot, të falënderoj që na dhe shembull. Ti nuk the vetëm fjalë dhe nuk na mësove vetëm në mënyrë teorike për vlerën e shërbimit. Ti na e paraqite atë me shembullin e jetës. Shembulli Yt na flet më shumë se çdo mësim dhe diskutim. Bëj që edhe shembulli i jetës tonë të jetë i tillë. Shumë herë na përfshin shpirti i botës, që e kundërshton shërbimin e vërtetë dhe përvujtërinë e sinqertë. Të lumët ne nëse bëjmë ashtu siç bëre Ti.

«18 Nuk po flas për ju të gjithë. Unë i njoh ata që zgjodha. Por ‑ le të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘Ai që ha bukën time, e ngriti thembrën e vet kundër meje.’ 19 Po jua them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni se UNË JAM.»

Në shoqëri me Jezusin, pikërisht në mesin e nxënësve të Tij, ishte Juda. Pas pak orëve, ai do ta braktiste bashkësinë dhe do të shkonte. Tradhtari ishte në tryezë. Ndërsa Jezusi fliste për shërbimin, për dhurimin e jetës deri në fund, Juda, në mendimet e veta, kishte vendosur ta tradhtonte. Jezusi dëshironte t’i paralajmëronte nxënësit e vet që vepra e Judës të mos i shkandullonte gjatë udhëtimit pas Tij. Kështu, Ai ua tërhoqi vërejtjen edhe të gjithë atyre që do të shkonin më vonë pas tyre, duke u bërë nxënësit e Tij. Ai dëshironte që secili prej tyre, në mënyrë të vetëdijshme dhe të lirë, ta pranonte rolin e vet si nxënës.

Nuk mund të shkojmë pas Jezusit në mënyrë automatike dhe pa përgjegjësi. Duhet të përcaktohemi në mënyrë të vetëdijshme dhe të guximshme që të rrimë me Të. Shumë prej nxënësve, edhe më vonë, do të largohen prej Tij, sepse vendimin për të ndenjur me Jezusin e morën në mënyrë jo të plotë dhe me mosbesim. Do të shkojnë edhe ata në të cilët u llogarit shumë, ata prej të cilëve pritej shumë. Këto momente do të jenë goditje të forta për të gjitha bashkësitë e krishtera. Do të ketë kriza, shkanduj, mohime. Të gjitha këto nuk guxojnë t’i befasojnë, nuk guxojnë t’i turbullojnë dhe t’i luhatin ata që rrinë me Jezusin. Edhe kur të ndodhin të gjitha këto, nxënësi i vërtetë i Jezusit do të mbetet i bashkuar me Mësuesin e vet. Për këto situata, Jezusi thotë: «kur të ndodhë, të besoni se UNË JAM!» T’i besosh Jezusit dhe të rrish afër Tij, nuk është një gjë që bëhet prej vetvetes, por kalon nëpër prova.

Në atë çast, Jezusi mendonte për të gjithë ata që më vonë do ta refuzojnë, edhe pse një pjesë të jetës së vet do ta kalojnë si nxënës të Tij. Ai mendonte edhe për ata që nuk dëshirojnë të shërbejnë, sepse në shërbim shikojnë njëfarë përvujtërimi dhe kanë ndjenjën e vlerësimit të ulët.

O Zot, bëj që të rri gjithmonë pranë Teje! Bëj që të dhurohem në shërbim të plotë. Më ndihmo që t’i dhuroj vazhdimisht diturinë, aftësitë, kohën dhe përvojën time. Më ndihmo që t’i dhuroj vazhdimisht të mirat, gëzimin, besimin, shpresën dhe dashurinë time.

«20 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush e pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi. 21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë.»

Misionarët, kasnecët e Lajmit të gëzueshëm, njerëzit që shpallin Ungjillin, nuk janë lajmëtarë të thjeshtë. Ata nuk janë përfaqësuesit e ndonjë fabrike ose të ndonjë ndërmarrjeje tregtare. Jezusi i njëson ata me vetveten. Ai që i pranon ata, në ta e pranon Jezusin, e pranon Atin qiellor.

Të falënderoj, o Zot, që mendon për ata që do t’i dërgosh si të dërguarit e Tu gjatë gjithë historisë. Ata janë zëdhënësit e Tu. Përmes tyre, Ti i bekon të gjithë ata që i pranojnë. Ata e sjellin paqen Tënde dhe bekimin tek ata që i takojnë dhe i pranojnë. Bekoji të dyja palët, sepse kanë nevojë për njëri-tjetrin.

 


Current track

Title

Artist