MEDITIMI I DITËS – DHURATAT E HYJIT

Written by on May 9, 2017

Gjn 12, 44-50 DHURATAT E HYJIT

 

Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin, që është drita e jetës time.

 

«44 Jezusi shpalli: “Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në Atë që më dërgoi. 45 Kush më sheh mua, sheh Atë që më dërgoi.»

Këto ishin fjalët e fundit të Jezusit, të cilat ua drejtoi të gjithëve para vdekjes. Para pak ditësh e ngjalli Lazrin dhe Maria e përeroi në Betani. Hyri në mënyrë triumfale në Jerusalem. Para Jezusit, ishin ditët e mundimit. Ai e shfrytëzonte kohën, që i paraprinte mundimeve, për ta theksuar sërish lidhjen e Tij me Atin. Dëgjuesit e vet i drejtonte më tutje tek Ati, të cilin dëshironte që ta zbulonte. Nuk dëshironte që njerëzit t’i tërhiqte te vetja, që t’i përfitonte për vete. Ai ishte vazhdimisht i vetëdijshëm për dërgimin e vet dhe për Atin që e kishte dërguar. Ai ishte i vetëdijshëm se është i barabartë me Atin; prandaj mundi të thoshte se dëgjuesit e Tij mund ta shikonin në Të Atin që e kishte dërguar. Ai ndjehej dhe paraqitej si i dërguari i Atit. Ai fliste në emrin e tij. Ai e kreu misionin që ia besoi Ati dhe deshi që njerëzit t’i drejtonte te Hyji. Në këtë mision, e vendosi krejt energjinë e vet. Ai deshi që njerëzit ta kuptonin se kush është Ati qiellor. Fatkeqësisht, sipas fjalëve të Tij të fundit, të cilat i tha para se të dënohej, shohim se njerëzit nuk i besuan, shohim mosbesimin e tyre.

O Zot, koha e paraqitjes Tënde kaloi. Përjetove refuzimin dhe mosbesimin e njerëzve. Erdhe që t’u ndihmosh, por njerëzit nuk të njohën, as nuk të pranuan. Deri në ditën e fundit, e kreve misionin për të cilin erdhe. Nuk u tërhoqe, as nuk i çove duart prej gjithçkaje, edhe pse u ballafaqove me moskuptimin dhe refuzimin. Fara duhet të vdesë që të japë fryt. Çdo gjë është gati që, sikurse fara në hullitë e flijimit Tënd në kryq, të sjellë fryt të begatshëm.

«46 Unë ‑ drita ‑ erdha në botë, që, kushdo që beson në mua, të mos mbetet në terr. 47 E, nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia e nuk i zbaton, nuk jam unë ai që e dënoj, sepse nuk erdha të dënoj botën, por ta shpëtoj botën.»

Jezusi e solli të qartë porosinë. Ai foli haptas dhe publikisht. Sikurse drita paraqet çdo gjë që ndriçon, kështu edhe Jezusi e shndriti dhe e tregoi udhën për tek Ati. Të gjithë mundën ta dëgjonin qartë se çfarë foli dhe të shihnin se çfarë bëri. Çdo njeri, që e dëgjoi Jezusin dhe e pranoi fjalën e Tij, mbeti në dritë, sepse ishte pranë Dritës. Ata që i dëgjuan fjalët e Jezusit, por nuk i mbajtën në zemrat e veta dhe nuk e pranuan Jezusin, mbetën vazhdimisht në errësirë.

O Zot, ti je Drita. Ti edhe më parë the për veten se je drita e botës. Edhe tani në përfundimin e jetës Tënde publike, Ti përsëri e thekson se je Drita. Drita na paraqet ashtu siç jemi. Ti i shndrit edhe këndet më të largëta dhe më të thella të brendisë sonë. Në dritën Tënde, shohim çdo gjë dhe gjithçka na bëhet e qartë. Prandaj, edhe kemi frikë të rrimë afër Teje. Kemi frikë prej gjithçkaje që mund ta zbulojmë për veten tonë. Prandaj, më me endje rrimë nën hije, e cila e hijeson fytyrën tonë të vërtetë. Dëshiroj ta kuptoj, o Zot, se si nuk duhet të kem frikë nga drita. Në dritë mund t’i shoh të gjitha dhe të bëhem i vetëdijshëm për to. Vetëm kështu mund ta di se çfarë më duhet të ndryshoj, çfarë më duhet të pastroj e çfarë të përmirësoj. Ti dëshiron të më shndrisësh, në mënyrë që të di të punoj më mirë me vetveten. Vetëm drita Jote mund ta shndrisë labirintin e gjatë të jetës sime, në të cilin nuk kam guxim të hyj. Le të më shndrisë fjala Jote dhe të më nxisë që të angazhohem më shumë për jetën time shpirtërore.

«48 Atë që më përbuz mua ‑ e nuk i pranon fjalët e mia ‑ ka kush e gjykon: fjala që kam thënë: ‑ ajo do ta gjykojë ditën e fundit.»

Emri i Jezusit na drejton te misioni që Ai erdhi ta kryente: Jahveu shëlbon! Jezusi e dinte se fjalën e Tij nuk e pranonin të gjithë, përkundrazi e refuzuan. Kjo është tragjedia e çdo njeriu që e refuzon Jezusin. Hyji nuk e gjykon. Jezusi ua tha qartë këtë gjë dëgjuesve të vet, të cilët nuk e morën seriozisht fjalën e Tij e as Atë si Shëlbues. Shëlbimi që Ai ua ofron atyre që nuk e pranojnë, shndërrohet në gjykim të njeriut që e përbuz. Njeriu e gjykon vetveten.

«49 Sepse unë nuk fola prej vetvetes, porse ai që më dërgoi ‑ Ati ‑  Ai më urdhëroi çka të them, çka të flas. 50 Dhe e di: urdhri i tij është Jetë e pasosur. Prandaj, çka them unë, flas ashtu si më tha Ati të them.»

Deri në përfundimin e paraqitjes së vet mbi tokë, Jezusi na ka drejtuar gjithmonë te lidhja që ka me Atin, në përvujtërinë e Tij të pranimit të dërgimit, që vetë Ati ia jep. Ai nuk foli çfarë dëshironte, por foli ashtu siç donte Ati.

O Zot, bëj që ta pranoj fjalën Tënde me sinqeritet dhe me gjithë zemër. Bëj që kurrë të mos i përshtatem jetës time, por bëj që jetën time ta përshtat me fjalën Tënde, që ta pranoj ashtu siç është, pa u përpjekur që ta zbus me interpretimet e mia, ashtu si më mirë më pëlqen. Në fund të jetës time, Ti do ta kërkosh fjalën që ma dhe. Bëj që ta kthej të pandryshuar dhe plot me fryt, që i përgjigjet dhuratave që i mora prej Teje.

 

 


Current track

Title

Artist