MEDITIMI I DITËS – NË DORËN E TIJ

Written by on May 8, 2017

Gjn 10, 22-30 NË DORËN E TIJ

 

Kërkoj hirin që të besoj se Ati kujdeset për mua dhe se askush nuk mund të më shkëpusë nga dora e Tij.

 

«22 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër. 23 Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull. 24 Judenjtë e rrethuan dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!»

Judenjtë ishin plot dyshim. Jezusi i kishte përfshirë dhe të gjithë interesoheshin për Të. Edhe më shumë: Jezusi i kishte tronditur. Mendonin për Të dhe pyesnin se kush mund të ishte ky. Nuk arrinin ta deshifronin. Ai dallonte nga të gjithë rabinët e tjerë dhe profetët, por prapëseprapë kishte disa ngjashmëri me ta. Mund të ishte Krishti, por ky nuk i përgjigjej plotësisht asaj figure që e kishin krijuar për atë. Ata e kishin «përcaktuar» se si do të mund të ishte Krishti. Kjo gjë i mundonte. Jezusi ishte bërë pyetja e tyre e përditshme, por nuk dinin se si të përgjigjeshin. Dëshironin ta dëgjonin prej Tij. E pyetën drejtpërdrejt: «Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!»

A më ngjall pyetje fjala e Hyjit sa herë që takohem më të? A mund ta dalloj atë prej të gjitha fjalëve të tjera, që i dëgjoj për çdo ditë? A më bën Jezusi që edhe unë të pyes për Të?

«25 Jezusi iu përgjigj: “Ju thashë e ju nuk më besoni. Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua. 26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej deleve të mia.»

Jezusi foli aq shpesh se prej ku vinte dhe kush ishte, por judenjtë nuk e pranuan, as nuk i besuan. Prandaj, Ai i drejtoi që t’i shihnin veprat. Ato dëshmonin për Të. Por, as këto nuk iu mjaftonin judenjve që ta pranonin. Përmasa njerëzore e personit të Jezusit e errësoi shikimin e tyre për ta parë përmasën hyjnore që kishte. Që ta kuptojmë këtë gjë, do të ishte mirë që ta dëgjojmë me mall dialogun që bën Edit Shtajn me nënën e vet. Kur ajo e la judaizmin dhe pranoi krishterimin, nëna e saj nuk u pajtua në asnjë mënyrë me këtë veprim. Njëherë, kur Edit Shtajn po e përcillte nënën në sinagogë, ndërsa po ktheheshin në shtëpi, nëna e pyeti: «A nuk ishte i bukur fjalimi i rabinit?» «Po», iu përgjigj ajo. Nëna vazhdoi me pyetje: «Edhe te judenjtë gjithashtu mund të besohet, a nuk mendon kështu?» «Po», u përgjigj Editi, «kur nuk ke takuar Dikë tjetër!» «E ti», bërtiti nëna, «përse e takove? Unë nuk kam asgjë kundër tij: natyrisht ishte shumë i mirë. Po përse deshi të ishte Hyj?»

Në këtë pikë e ndaluan udhëtimin e tyre disa dëgjues dhe kritikë të Jezusit. Jezusi iu tha qartë: «Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej deleve të mia.»

«27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. 28 Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.»

Të besosh në Jezusin dhe t’i besosh Jezusit, nuk do të thotë që vetëm në mënyrë kritike të marrësh qëndrim ndaj Tij dhe asaj që Ai thotë dhe bën. Judenjtë iu afruan me mënyrën e tyre të mendimit për Mesinë. Ata e përftuan figurën se si do të duhej të ishte Hyji dhe për mënyrën se si do të duhej të besonte njeriu. Gjithçka tjetër që nuk përputhej më këto, ata e refuzonin dhe e përbuznin. Kështu e përjashtuan vetveten dhe u bënë të paaftë që ta pranonin Jezusin. Të besosh në Jezusin, do të thotë që çdo gjë në jetë ta përputhësh me Të dhe sipas Tij. Të besosh në Jezusin, do të thotë të përfshihesh prej Tij. Kjo do të thotë të jesh «prej së larti», të jesh i Hyjit, të jesh i «të vërtetës». Për Jezusin mund të dimë shumë, por mund të mos e njohim. Nuk mjafton të dish. Duhet t’i përkasësh Atij, duhet t’i përkasësh grigjës së Tij. Kjo do të thotë të shkosh pas Jezusit dhe ta dëgjosh fjalën e Tij duke e përvetësuar, duke i jetuar ato vlera që i jetoi Ai e për të cilat vdiq.

Dua që të jem i Yti plotësisht! Dua të vij pas Teje! Dua të ndahem nga vetvetja dhe nga gjithçka rreth meje, në mënyrë që të jem i Yti. Dëshiroj të të pres ashtu si nuk të priti askush, të të dëshiroj ashtu si nuk të dëshiroi askush. Dua të jem krejtësisht i Yti! Dua të jetosh në mua dhe këtë gjë ta ndjej në plotësi në të gjitha ditët e jetës sime. Të falënderoj që askush nuk mund të më shkëpusë nga dora Jote. Të falënderoj që ma dhuron jetën e pasosur. Kjo ma jep gëzimin dhe fuqinë gjatë jetës time.

«29 Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. 30 Unë dhe Ati jemi një.»

Hyji mendon dhe angazhohet për ne. «Deus semper maior!» «Hyji është gjithmonë më i madhi!», Hyji është gjithmonë më afër. Askush nuk mund të na shkëpusë prej dorës së Hyjit, përveç nesh. Nuk jemi gjethe që i pështjellon era. Neve na drejton dora e sigurt e Atit. Këtë gjë na e garanton Jezusi. Ai erdhi ta dëshmonte dhe të na bindte për këtë gjë.

Më duhet të vetëdijesohem për këtë siguri: Hyji është me mua. Gjithmonë jam në afërsinë dhe në sigurinë e Tij. Askush nuk mund të më bëjë asgjë! Kurrfarë magjish, mallkimesh, të bërash nuk mund të më dëmtojnë, sepse unë me besim të gjallë besoj në fjalën që e tha Jezusi: «Ati im… është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të na shkëpusë prej dorës së Atit!» Këtë siguri nuk ma jep kurrfarë sigurie njerëzore, por Hyji. Asgjë nuk më ndodh pa lejen e Tij. Çfarëdo të ndodhë në rrugën time jetësore, e di se, me ndihmën e Tij, mund ta pranoj dhe ta mbart. Besoj, o Zot, se je me mua dhe se bota ime e vogël është në dorën Tënde!

 


Current track

Title

Artist