MEDITIMI I DITËS – FJALA E JETËS
Written by Radio Maria on May 5, 2017
Gjn 6, 60-69 FJALA E JETËS
Kërkoj hirin që me fe të gjallë të mund të them: «Zotëri, ti i ke fjalët e jetës së pasosur».
«60 Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?»
Përveç tre interpretimeve për «bukën e jetës»: krejtësisht shpirtëror, eukaristik dhe interpretimit të një pjese të fjalimit të Jezusit që shikon besimin dhe pjesës tjetër që shikon shpirtin eukaristik, po përmend edhe interpretimin e katërt të cilin e përfaqësojnë interpretuesit bashkëkohorë të Shkrimit Shenjt. Ata mendojnë se ky fjalim i Jezusit, në tërësi, i përket besimit dhe Eukaristisë.
Në javën që po lëmë pas, kemi lexuar dhe kemi medituar fjalimin e Jezusit për «bukën e jetës». Ungjilli i sotëm na paraqet rezultatin e këtij fjalimi të Jezusit. Shumë prej nxënësve të tij arritën në përfundimin: «i pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?» Edhe më parë, disa thanë: «Si ka mundësi që të na japë trupin e vet si ushqim?» Kush e kuptoi Jezusin? Kush do të mbetet me Të? As besimin, as Eukaristinë nuk mund ta thjeshtësojmë në interpretim të thjeshtë, në njëfarë mësimi. Besimi na fton që të zgjedhim, na fton që të përcaktohemi. Besimi kërkon që të marrim qëndrim, që t’i përgjigjemi thirrjes që na drejtohet. Eukaristinë mund ta pranojmë me anë të fesë, ta zgjedhim ose të kthehemi mbrapsht e të shkojmë. «Dukje, shije n’Oste Zoti im Ti s’ke, por, për besimtarin, i gjallë n’Oste je…»
«61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë…?»
Jezusi nuk u tërhoq përpara argumentit që kishte para syve. Ai pa se nxënësit e tij nuk kuptonin dhe nynykasnin kundër fjalës që tha. Nuk iu afrua që të bënte pazar me ta. Këtu nuk bëhej fjalë për ndonjë tregti. Nuk ishin në pyetje marrëveshjet, për të cilat duhet rënë në ujdi me anë të tërheqjes dhe kompromisit. Jezusi nuk e ndjeu nevojën që ta sqaronte mendimin e vet me ndonjë simbol e kështu t’u ndihmonte nxënësve për ta kuptuar. Ai ua bëri drejtpërdrejt pyetjen: A po ju shkandullon kjo gjë? Kjo pyetje, në të njëjtën mënyrë, i drejtohet edhe secilit prej nesh. Eukaristia nuk mund të shpjegohet vetëm me besim të natyrshëm. Kjo është pjesë e fesë sonë, e cila së pari duhet të pranohet në gjunjë dhe me përvujtëri. Prandaj, meshtari, pas veprës më të lartë në Meshën e shenjtë, thotë: «Misteri i fesë!» Pa qëndrimin që e kërkon prej nesh himni i Shën Tomë Akuinit, Fjalimi i Jezusit, edhe më tutje, mbetet i pakuptueshëm: «T’adhuroj, o Zot, fshehur n’përvujtëri, njëmend n’hije t’bukës fshehur je, o Hyj, tash kjo zemra ime Ty po t’falet krejt, duke t’përkujtuar mendja ime mbet!»
«63 Shpirti është ai që jep jetën, trupi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. 64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë” …. 65 Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” 66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.»
Këtu jemi në zemrën e Ungjillit. Këtë bisedë të Jezusit për Eukaristinë, nuk mund ta kuptojmë drejt pa Shpirtin e Hyjit. Lajmi i gëzueshëm nuk është vetëm thirrje në dashuri, nuk është vetëm thirrje në jetën morale, në përvetësimin e virtyteve. Ungjilli është kërkues përballë besimit të çdo njeriu. Eukaristia është në zemrën e kësaj kërkese.
O Zot, ma dërgo Shpirtin Shenjt që të më ndihmojë të hyj në misterin e fesë tonë. Më ndihmo që ta kuptoj dhe ta pranoj praninë Tënde të vërtetë mes nesh, që të di të të adhuroj në mënyrë të vërtetë, që të rri para Teje, para dritës së amshuar, që paraqet praninë Tënde të amshueshme në Eukaristi.
«67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” 68 Simon Pjetri iu përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!»
Ungjilli është kërkues dhe Jezusi nuk dëshironte që ta «zbuste» atë e që kështu t’i mbante pranë vetes dëgjuesit e vet. Ai nuk ishte më pak kërkues ndaj të Dymbëdhjetëve. Si të donte t’u thoshte: «Jo, nuk dua që t’ju mbaj pranë vetes me dhunë! Edhe ju jeni të lirë të shkoni, sikurse ata që u larguan. Të Dymbëdhjetët mbetën të habitur. Në njërën anë e donin Jezusin dhe dëshironin të rrinin me Të, në anën tjetër panë se shumë prej atyre që deri në atë çast shkonin pas Tij dhe quheshin nxënës të Tij, u larguan. Jezusi i pyeti edhe ata. Edhe ata duhet të përcaktoheshin. Të rrinin me Jezusin ose ta braktisnin.
Në këtë situatë, Pjetri e gjeti vetveten. Në emër të të gjithëve, ai u paraqit dhe iu përgjigj Jezusit. Përcaktimi i tyre ishte i qartë: të rrinin me Jezusin. Ai ishte Mësuesi i tyre dhe fjalët e Tij ishin për jetën e pasosur. Më duhet që edhe unë të lutem në mënyrë personale që Zotëria të më mbushë me Shpirtin Shenjt, me të cilin ishte i mbushur në atë çast Pjetri. Vetëm me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Pjetri mundi të përgjigjej me këtë besim.
O Zot, te kush të shkoj! Dëshiroj të mbetem me Ty! Besoj në Ty! Besoj se më dhurohesh si bukë që e marr në gostinë e dashurisë, në Eukaristinë Tënde dhe timen. Besoj në fjalën Tënde, që ma dhuron jetën e pasosur.