MEDITIMI I DITËS – BUKA PËR JETËN E BOTËS

Written by on May 3, 2017

Gjn 6, 44-51 BUKA PËR JETËN E BOTËS

 

Kërkoj hirin që të besoj pa luhatje në Jezusin – bukën e jetës – që ma dhuron jetën e pasosur.

 

«44 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.»

Të vish te Jezusi, do të thotë, së pari, që të të thërrasë Ati. Jezusi e shpreh qartë vullnetin dhe nismën e Atit. Ai e vendos në zemrën e njeriut dëshirën që të takohet me Birin e Tij.

O Zot, më tërhiq me fuqinë e hirit që vetëm Ati mund të ma japë. Kam nevojë për hirin e Atit që të mund t’i kuptoj fjalët dhe ta pranoj vullnetin Tënd. Kam nevojë për hirin e Atit që të mund të vij pas Teje, që të kuptoj çdo gjë rreth meje, ashtu siç i kuptoje Ti. Kam nevojë për hirin Tënd që të mos i shikoj ato gjëra që i kam lënë, por të shikoj atë gjë që ma tregon si qëllimin që më duhet ta arrij.

«45 Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë.»

Përveç nxitjes dhe nismës që vjen nga Ati, Jezusi thekson në të njëjtën mënyrë edhe përgjegjësinë dhe lirinë e njeriut. Njeriu duhet të jetë i dëgjueshëm dhe duhet të mësojë që të mund të vijë te Jezusi. Për Jezusin mund të flitet dhe të shkruhet me dituri tepër të madhe. E ai që flet dhe shkruan për Të, mund edhe të mos jetë nxënësi i Tij, e për më tepër as të mos besojë në Të. Këtu është në lojë fshehtësia e madhe e lirisë së njeriut dhe e përgjegjësisë së tij. Ta dëgjosh Zotërinë, do të thotë të mos i kesh të hapur vetëm veshët, por edhe zemrën që duhet ta pranojë dhe ta përvetësojë fjalën e Tij. Kjo do të thotë të lejoj që fjala e Tij të më vërë në pikëpyetje duke bërë që sjellja ime të drejtohet sipas fjalës së Tij. Kjo do të thotë se është më e rëndësishme që ta tregojmë në mënyrë konkrete me jetën tonë se Ai është ngjallur nga të vdekurit, sesa ajo që flasim ose shkruajmë për Të. Jeta jonë dallohet plotësisht nga të gjitha diskutimet e urta. Njeriu i sotëm kërkon prej besimtarëve që, me jetën personale, ata ta paraqesin Jezusin më shumë sesa të flasin për Të në mënyrë të ditur.

O Zot, së pari më duhet të di të hesht që ta dëgjoj Atin dhe të mësoj diçka. Heshtja më mëson që të jem i durueshëm. Më mëson që të pres dhe t’i kuptoj ngjarjet rreth meje. Në heshtje, unë mund ta njoh zërin e Atit, të cilin e mbulon shumë lehtë ushtima e kësaj bote. Ti je fjala e Atit. Ti dole nga heshtja e thellë dhe erdhe në mesin tonë. Në botën tonë ka shumë zhurmë, që shumë herë e shkaktojnë gjërat kalimtare. Për shkak të jetës së shkurtër, kalueshmërisë që kanë, ato shkaktojnë zhurmën e madhe që ia merr frymën dhe e mbulon njeriun, duke ia marrë shikimin me vetëtimën e vet. Kjo zhurmë nuk e lejon njeriun që të ndalet, të qetësohet, të heshtë e t’i dallojë vlerat e tjera që nuk na dhunojnë, por presin me durim që t’i zbulojmë dhe t’i përvetësojmë, duke e parë kështu vlerën e vërtetë që kanë. Në heshtje, njeriu bëhet nxënësi Yt. Në heshtje, mund ta dëgjoj thirrjen e Atit dhe të mësohem prej Tij. Dëshiroj të hesht që Ti të mund të vish tek unë, në mënyrë që të të pranoj denjësisht.

«46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! 47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. 48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.»

Jezusi vjen nga Ati, nga Hyji. Prandaj, Ai nuk na sjell ndonjë ideologji, por jetën e Hyjit. Vetëm Ai e pa Atin, vetëm Ai mund të na shpjerë në shtëpinë e Hyjit, mund të na e zbulojë fshehtësinë e jetës së Hyjit. Kurrfarë rendi shoqëror, kurrfarë ideologjie nuk mund të na e ofrojë jetën e pasosur. Këtë gjë e marrim vetëm me anë të fesë. Jezusi qartë dhe thjesht thotë: «… kush beson në mua e ka jetën e pasosur». Njeriu është i ndjeshëm ndaj jetës. Nuk do të pranonte asgjë në këmbim të jetës. Ai do që të jetojë. Jezusi e njeh këtë dëshirë themelore të njeriut. Ati e ka vënë këtë gjë në zemrën e njeriut. Prandaj, edhe e tërhoqi vërejtjen se asnjë lloj ushqimi, që e prodhon njeriu, nuk është ushqim për jetën e pasosur. Vetëm Ai ia ofron njeriut bukën që nuk vjen prej arave të kësaj toke, por prej qiellit, prandaj e ushqen njeriun për jetën e pasosur. Me këtë ushqim njeriu hyn në jetën hyjnore. Këtë mund ta ofrojë vetëm Jezusi. Kurrfarë ideologjie, politike apo besimi nuk mund ta ofrojnë një gjë të tillë, sado humane të jenë dhe çfarëdolloj të mire të kërkojnë.

«50 Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është trupi im ‑ për jetën e botës.»

Jezusi flet qartë dhe hapur për veten si buka e jetës, si buka që e jep jetën e pasosur. Këtu shihet qartë se e ka fjalën për Eukaristinë, në të cilën Ai na dhurohet si buka e jetës. Trupi i Tij bëhet ushqim nën dukjen e bukës. Ky është ushqimi i jetës së vërtetë.

Jezusi na fton ta marrim këtë jetë. Në qendër të saj është Eukaristia, e cila lëviz gjithçka. A është Eukaristia qendra e Jetës sime? A është jeta ime e drejtuar kah Eukaristia? Ajo do të duhej të ishte fillimi dhe mbarimi i ditës time. Prej saj filloj dhe tek ajo kthehem.

 


Current track

Title

Artist