Shenjti i ditës: 3 Maj – Shën Filipi e Jakobi, apostuj

Written by on May 2, 2017

Shenjti i ditës: 3 Maj – Shën Filipi e Jakobi, apostuj

 

            Përkujtimi i përbashkët i dy apostujve lidhet me traditën sipas të cilës reliktet e dy martirëve, nga Ierapoli e Jeruzalemi, janë dërguar në Romë në Kishën e Apostujve Shenjtër.

Shën Filipi u lind në Betsaidë. Ai paraqitet gjithnjë i pesti në listën e apostujve. Ungjilli i Gjonit e përmend tri herë Filipin. Ai na ofron një profil interesant të këtij apostulli që del nga dy përgjigje që ia jep një pyetjeje të Jezusit. Para shumimit të mrekullueshëm të bukëve, Filipi i hedh një sy turmës dhe pyetjes së famshme “Ku ta blejmë bukën?” i përgjigjet me arsyetimin e thjeshtë se “Dyqind denarë nuk do të mjaftonin…”. Në darkën e fundit, Jezusi përmend misterin trinitar dhe Filipi shprehet shkurt: “Zotëri, na e trego Atin dhe na mjafton!…”. Përballë misterit, ai, si më vonë edhe Toma, dëshiron të prekë me dorë, ose më mirë të shohë më sytë e vet “atë çka syri njerëzor nuk është në gjendje të shohë” pa atë lumen gloriae (dritë lavdie) për të cilën do të flasin teologët. Për apostullin nuk kemi të dhëna të shkruara pas kësaj paraqitjeje. Por, tradita na thotë se Filipi, pas Rrëshajve, shkon të predikojë Ungjillin në Azinë e vogël dhe në kohën e perandorit Domician ai vdes në kryq si Krishti, në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeçare.

            Shën Jakobi është kushëri i Jezusit. Ai është quajtur “i vogli” për ta dalluar nga vëllai i Gjonit që mbante të njëjtin emër. Jakobi është autori i një letre dërguar të gjitha bashkësive të krishtera, ku dallohet imazhi i një njeriu të ashpër dhe fjalëpak. Është ai në fakt që na këshillon të flasim pak sepse do të duhet t’i japim llogari Hyjit për çdo fjalë të kotë! Fjalët e tij, edhe pse të largëta në kohë, lënë ende shenja: “… O pasanikë, paga që ua hëngrët punëtorëve, ulëret…”. Ai shërbeu si ipeshkëv në Jerusalem pas martirizimit të Jakobit tjetër. Për martirizimin e këtij apostulli kemi informacione të dorës së parë nga historiani hebre Flavio Jozefi. Ai shkruan se Jakobi u vra me gur në vitin 62, pas një përpjekjeje për ta hedhur nga maja e Tempullit. Dënimi u dha nga kryeprifti Anani II, që përfitoi nga mungesa e pushtetit menjëherë pas vdekjes së prokurorit romak Festi.


Current track

Title

Artist