MEDITIMI I DITËS – USHQIMI I SHPIRTIT

Written by on May 1, 2017

Gjn 6, 30-35 USHQIMI I SHPIRTIT

 

Kërkoj hirin që për shkak të ushqimit të përditshëm material të mos e harroj ushqimin shpirtëror.

 

«30 Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit.»

Edhe pse, për disa çaste, njerëzit, që po dëgjonin Jezusin, u interesuan për «veprat e Hyjit», prapëseprapë, në përgjithësi, mbetën njerëz të kësaj toke. Këta njerëz ishin thjesht nga toka dhe të tokës. Kërkonin argumente konkrete, mbeteshin në përmasën e jetës së përditshme materiale: të kryenin punët e zakonshme, të hanin bukën e përditshme. Dëshironin që Jezusi t’i plotësonte nevojat e tyre. Por, Jezusi nuk dëshironte ta harxhonte kohën vetëm në këtë gjë. Ai e dinte se, pavarësisht kësaj, ishte e nevojshme që njeriu t’i afrohet. Por, kjo nuk ishte gjithçka. Prandaj, Jezusi dëshironte që t’i lartësonte prej kësaj perspektive, dëshironte që t’i zgjonte dëshirat e fjetura dhe frymëzimet më të larta. Afër asaj që është materiale, njeriu nuk guxon të harrojë atë gjë që është shpirtërore.

Zgjoje në mua, o Zot, jetën e fjetur shpirtërore. Hiqe prej meje lymin që e la vërshimi i kujdesit për çdo gjë të kësaj toke, që është e kalueshme. Le të zgjohen e të jetojnë në mua idealet me të cilat afrohesha që të rrija me Ty.

«32 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im jua jep bukën prej qiellit, atë të vërtetën: 33 sepse buka e Hyjit është Ajo, që zbret prej qiellit dhe që i jep botës jetën.»

Jezusi kthehej vazhdimisht në atë gjë që njerëzit e harronin, në atë gjë që iu humbiste para syve, sepse shikimin e kishin të drejtuar në tokë. Krejt kapitulli i gjashtë i Ungjillit sipas Gjonit është biseda e Jezusit për bukën e jetës, për ushqimin që nuk prishet. Në teologji, kemi interpretime të ndryshme për «Bukën e jetës». Njëri prej tyre, që i përket breznisë së vjetër të teologëve, e interpreton këtë bisedë të Jezusit vetëm në mënyrë shpirtërore. «Buka e jetës» është personi i Jezusit dhe Fjala e Tij, të cilën e përvetësojmë sipas besimit tonë. Kjo tregon se sa e rëndësishme është feja që ta pranojmë «Bukën e jetës» dhe fjalën e Jezusit.

Jezusi, dëshironte t’ua shpjegonte dëgjuesve të vet se as buka e Moisiut nuk ishte aspak më e ndryshme se buka me të cilën i ushqeu Ai para pak kohe. Edhe njëra, edhe tjetra janë të zakonshme, bukë e përditshme që ua dha në raste dhe në mënyra të ndryshme. Edhe njëra, edhe tjetra janë ushqim i trupit, që do të thotë se kjo nuk ishte buka që dëshironte ta jepte Ati, buka që «vërtet zbret nga qielli dhe i jep jetën botës».

A do ta kuptoj ndonjëherë më seriozisht dhe në thellësi fjalimin e Jezusit për «bukën që zbret nga qielli»? Më duhet të ndalem në këto fjalë të Jezusit që t’i përjetoj në brendinë time. Zotëria flet për diçka që shkon përtej çdo kuptimi sipërfaqësor dhe të lehtë. Edhe pse kjo ishte një fjalë «e pakuptueshme» për veshët e dëgjuesve, Jezusi nuk u tërhoq nga kjo mënyrë të foluri. Askurrë nuk ua bëri qejfin njerëzve, as nuk u foli për ato gjëra që ata dëshironin t’i dëgjonin, për ato gjëra që i kënaqnin veshët e tyre.

Fjala e Tij edhe sot e ka të njëjtën forcë. Ajo i ofrohet secilit prej nesh që dëshiron ta dëgjojë. Çka dëgjoj unë? A i dëgjoj vetëm ato fjalë që i kuptoj lehtë dhe që më përgjigjen? Ndërsa fjalët që flasin për ato gjëra për të cilat më duhet të meditoj, për çka do të duhej t’i dëgjoj i ulur në gjunjë para Zotërisë, nuk i dëgjoj. Këto më kalojnë nëpër veshë, por nuk takohem me to.

O Zot, ndonjëherë, nuk e kuptoj çfarë dëshiron të më thotë fjala Jote. Nuk e di përse është ashtu. Unë iu përngjaj dëgjuesve të Tu dhe më me gëzim do të dëgjoja ato gjëra që janë konkrete dhe që iu përkasin nevojave të jetës materiale. Më me qejf do ta kaloja faqen e këtij fjalimi për «bukën e jetës», sepse hyj me vështirësi në kuptimin e tij. Në të vërtetë, nuk kam ëndje që të ballafaqohem me porosinë Tënde dhe të mundohem ta kuptoj dhe ta pranoj. Sa shpesh dëshiroj të jesh mbret i interesave të mia dhe i asaj që i përket jetës së përditshme.

«34 Atëherë i thanë: “Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!” 35 Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.»

Po dal para Teje: «O Zot, ma jep bukën Tënde!» Çfarë kërkonin në të vërtetë dëgjuesit e Tu? Vetëm Ti e dije se çfarë fshihej në zemrat dhe në mendimet e tyre. A mbetën ata edhe më tej në kujdeset e veta të përditshme? A mos ndoshta edhe lutja që ta bënë ishte për interesin e tyre dhe me të kërkonin një bukë «magjike», që do ta shuante urinë e tyre trupore?

Buka e vërtetë, për të cilën flet, nuk është ajo që ngop trupin tonë të uritur, as vetëm fjalët e Tua nuk janë bukë, por je Ti vetë Ai që na dhurohesh. Kjo është buka në të cilën na e jep vetveten. Tani po të lutem për besimin tim, që sa herë t’i afrohem tryezës Tënde që të ha: ta bëj thjesht dhe i përvuajtur. Kur të afrohem për të ngrënë, lutja ime e përditshme le të jetë: «Të adhuroj me përvujtëri, Zoti i fshehur Hyj, që nën hije t’bukës njëmend fshihesh Ti!» Ti je këtu në këtë bukë të vogël, në osten që e marr në gojën time. Të falënderoj që ma dhuron vetveten! Të falënderoj që me anë të saj ma rikthen jetën, duke jetuar në mua me jetën Tënde!


Current track

Title

Artist