Shenjti i ditës: 29 prill – Shën Katerina nga Siena, pajtore e Italisë, mësuese e Kishës (1347 – 1380)

Written by on April 28, 2017

Shenjti i ditës: 29 prill – Shën  Katerina nga Siena, pajtore e Italisë, mësuese e Kishës (1347 – 1380)

 

Katerina, e bija e Jakop Beninkazës, bojaxhi lëkurash, dhe e Lapës që i dha njëzet e pesë fëmijë, nuk ishte një vajzë si gjitha të tjerat. Në moshën gjashtë vjeçare filluan të shfaqen ato fenomene mistike me të cilat është plot ekzistenca e saj e shkurtër e shumë aktive. Me vizionin e Krishtit fillon një dialog i pandërprerë me dhëndrin mistik, që në një vizion të mëvonshëm i vë në gisht një unazë ari me një diamant. Vizioni u zhduk por unaza mbeti në gisht. Dashuria e saj për Krishtin e largonte edhe nga vëllezërit e saj të shumtë (ajo ishte e njëzet e katërta, Jakopi bujar i solli në shtëpi edhe një vëlla të adoptuar). Mundimet shtëpiake pushuan kur i ati e zuri në befasi duke u lutur dhe pa mbi kokën e saj një pëllumb të shndritshëm. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare e mirëpritën me vështërsi motrat Mantelate. Kështu quheshin Terzieret domenikane. Që nga ai vit dhoma e saj në Fontebranda filloi të mbushej me rregulltar e shekullar, dishepujt që njerëzit i quanin me ironi katerinatët. Këta të rinj ose të moshuar, e quanin Katerinën nënë dhe e ndiqnin kudo që shkonte.

Të parin mes shumë udhëtimeve, që do ta qojnë në Avinjon dhe në Romë, e bëri në Firence, kue e thirri kapitulli i përgjithshëm i domenikanëve për t’u shfajësuar nga thashethemet që thuheshin për të. Katerina u shfajësua dhe në atë rast iu caktua edhe rrëfyesi personal, Rajmondi nga Kapua, mësues i ardhshëm i Urdhërit dhe biografi i saj i parë. Papa Gregori XI  kërkoi ndihmën e saj për të nxitur kryqëzatën kundër turqve dhe Katerina ndërmori udhëtime të gjata nga qyteti në qytet. Në Pisa me 1 prill të vitit 1375 iu shfaqën në gjymtyrët e saj plagët. Firenca kërkoi ndërmjetësimin e saj për të shmangur interdiktin e papës, dhe Katerina shkoi në Avinjon. Këtu arriti një rezultat të papritur: papa francez e la Avinjonin për t’u kthyer në Romë. Dhe kur pasardhësit Urbanit VI iu kundërvu antipapa Klementi VII, Katerina shkoi në Romë dhe arriti të shmangte skizmën e re. Në Romë, Katerina përfundoi jetën e saj. Tani trupi i saj pushon nën altarin e madh të kishës të Shën Marisë mbi Minervën. Me 18 qershor të vitit 1939 Piu XII e shpalli pajtore të Italisë me shën Françeskun, Pali VI në vitin 1968 e shpalli Mësuese të Kishës. Përveç katërqint letrave të diktuara një shkruesi (nuk dinte të shkruante) mbetet Dialogu mbi Provaninë Hyjnore, kënga e saj e fundit dhe e pakrahasueshme e dashurisë.


Current track

Title

Artist