MEDITIMI I DITËS – BIRI VJEN PREJ SË LARTI
Written by Radio Maria on April 26, 2017
Gjn 3,31-36 BIRI VJEN PREJ SË LARTI
Kërkoj hirin që të besoj në Birin që u bë njeri për mua.
«Jezusi tha: 31 “Kush vjen prej së Larti, ai është mbi të gjithë! Kush është nga toka, tokësor është dhe flet për gjërat e tokës.»
Jezusi paraqet dallimin themelor mes asaj që është «nga lart» dhe asaj që është «nga poshtë». Ai është i vetëdijshëm për prejardhjen e tij hyjnore – «prej së larti». Ai është Ai që vjen. Ky është njëri prej titujve që i përshkruhen Hyjit në Besëlidhjen e Vjetër. Kjo do të thotë se Jezusi e ka prejardhjen e vet dhe se vjen prej diku tjetër. Me ardhjen e tij «nga lart», Ai e tejkalon çdo gjë që e takon këtu «poshtë», ku edhe vjen. Çfarë është nga poshtë, nga toka është; mendon, flet dhe vepron në mënyrë tokësore.
Shën Gjoni, në Ungjillin e vet, foli gjithmonë për Jezusin që është «prej së larti». Ai i shkroi ato gjëra që Jezusi i tha për vetveten. Këtu shohim gjithashtu se biseda e tij është e mistershme, nuk është shumë konkrete, siç është biseda e tre ungjilltarëve të tjerë. Duket se Shën Gjoni e ka shkruar Ungjillin për njerëz që janë paksa «më të ngritur», do të thoshim për «intelektualët». Është mëse e vërtetë se Shën Gjoni ka medituar më shumë për çfarë ka përjetuar me Jezusin dhe vetëm pas këtij meditimi, ai i ka shkruar ato në Ungjill. Drita e ngjalljes i shndriti dhe forca e Shpirtit Shenjt i përfshiu të gjitha ato gjëra që Shën Gjoni i ndjente thellë në dashurinë e vet,që e kishte për Jezusin, ndërsa ecte pas Tij për tre vjet gjatë veprimtarisë së Tij publike. Nën këtë dritë dhe me këtë hir, Shën Gjoni mendësoi dhe përpunoi mendime të shumta, të cilat janë përmendur vetëm pjesërisht te ungjilltarët e tjerë. Ai i meditoi të gjitha këto në dritën e ringjalljes, duke i soditur thellë.
«Ai që vjen prej qiellit [ai është mbi të gjithë]: 32 dëshmon çka pa e çka dëgjoi, por dëshminë e tij askush s’e pranon.»
Edhe kjo është një ndër përvojat themelore të Jezusit. Edhe pse e pranoi çdo gjë që përmban në vetvete natyra e njeriut, prapëseprapë Ai ishte ndryshe. Ai jetoi plotësisht për Atin. Gjithçka e pa dhe e përjetoi në shpirtin e dërgimit, të cilin ia besoi Ati. Ushqimi i tij ishte të kryente vullnetin e Atit. Prandaj, ishte mbi të gjithë. Njerëzit rreth Tij, pikërisht në këtë gjë, ishin të ndryshëm. Mendimet e tyre ishin të kufizuara dhe të drejtuara kah gjërat tokësore. Perspektivat e tyre ishin të ngushta, të kufizuara dhe të mjegulluara. Nëse e themi këtë me një krahasim, do të thoshim: Jezusi e ndjente veten në mesin e njerëzve të kohës së vet si njeriu esëll në mesin e të dehurve. Prandaj, Ai shikonte se si nuk e pranonin dëshminë e tij. Njerëzit i kishin mendimet e veta, ishin të zënë me punët e veta. Gjithçka ishte kështu, sepse nuk ishin të drejtuar kah gjërat qiellore, kah Hyji.
«33 Kush e pranon dëshminë e tij, pohon se Hyji është i vërtetë. 34 Vërtet, i dërguari i Hyjit flet fjalët e Hyjit ‑ sepse Hyji nuk e jep Shpirtin me masë.»
Shën Gjonit i pëlqente biseda për të vërtetën, që është shkëlqimi i Hyjit. Jezusi tha për veten se Ai është e Vërteta. Prandaj, çdo njeri që e pranon dëshminë e tij, d.m.th. që e pranon Jezusin, gjendet në atmosferën e të së Vërtetës. E Vërteta është gjithmonë në dritë, në dukje, edhe pse shumë herë dëshirojmë ta mbulojmë, ta shmangim dhe të mos e themi. Ajo nuk mund të shkatërrohet, sepse vjen nga Hyji. Ai që është afër saj, ai është me Hyjin, sepse Hyji është i vërtetë.
O Zot, ti je mbi ne, sepse vjen prej së larti. Mendimet e mia janë tokësore dhe pikërisht për këtë gjë nuk përputhen me të tuat. Rrugët e mia kanë shumë baltë, prandaj më çojnë larg udhëve të Tua. Ti na e solle të Vërtetën, por unë ende nuk jam i aftë ta pranoj në plotësi dhe t’i besoj me gjithë zemër. Dua të ndryshoj. Dua të jem i Yti. Më duhet që të jem më shumë kohë me Ty. Më duhet që ta dëgjoj më shumë fjalën Tënde dhe të meditoj për të më shumë në zemrën time. Vetëm kështu mund të ndryshoj, vetëm kështu mund të jem i Yti.
«35 Ati e do Birin dhe atij i la në dorë gjithçka.»
Jezusi jeton në dashurinë e Atit. Dashuria është biseda e tyre dhe komunikimi. Për këtë gjë flasin të gjithë ungjilltarët. Kur Shën Gjoni flet për Hyjin, ai e përcakton shkurt dhe qartë: Hyji është dashuri.
«36 Kush beson në Birin ka jetën e pasosur, përkundrazi, ai që nuk beson në Birin nuk do ta shohë jetën: hidhërimi i Hyjit peshon mbi të.»
Besimi dhe jeta e pasosur shkojnë së bashku. Të besosh, do të thotë të jetosh. Të gjitha thjeshtësohen në një gjë: të besosh ose të mos besosh. Nga kjo del: të jetosh ose të mos jetosh. Mirëpo, kush është ai që mund ta masë besimin tonë? Cili prej nesh mund të thotë për veten se është besimtar? Aq më pak mund ta themi këtë gjë për tjetrin. Ajo që për dikë do të thotë të besosh, nuk do të thotë edhe për tjetrin. Prapëseprapë, qortimi i Jezusit mbetet. Ai është tepër serioz: «… kush nuk do të besojë në Birin, nuk do ta shohë jetën!» Ky qortim është shumë i qartë. Besimi nuk është mbledhje e ideve të bukura, as e mësimeve të mira. Nuk është përzgjedhje e mendimeve dhe e diturive të ndryshme fetare. Aq më pak mund të jetë ndërtim i një rendi jetësor, sado njerëzor dhe fisnik të jetë ai. Feja është e përcaktuar qartë: është qëndrimi personal ndaj Birit, që e zbuloi Atin dhe e dërgoi Shpirtin Shenjt. Çdo gjë tjetër është krijim dhe shpikje tokësore, që tërheq mbi vete «hidhërimin e Hyjit».