MEDITIMI I DITËS – DRITË OSE ERRËSIRË
Written by Radio Maria on April 25, 2017
Gjn 3,16-21 DRITË OSE ERRËSIRË
Kërkoj hirin që me besimin tim të jem aktiv në shëlbimin tim dhe të botës.
Jezusi i tha Nikodemit 16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.
Ja një nga fjalët më ngushëlluese që thotë Jezusi. Hyji e do këtë botë. Nuk do ndonjë botë abstrakte, të paramenduar dhe ideale. Hyji e do pikërisht këtë botë, në të cilën unë jetoj, e cila është kështu si është, Hyji e do dhe nuk e braktis. Ai e ka krijuar. Bota është «fëmija» e Tij. Do të ndalem te ky mendim: «Hyji aq shumë e deshi botën». Kjo do të thotë, fuqishëm, në mënyrë të pakufishme, hyjnisht fuqishëm. Ku mundemi të dëgjojmë diku tjetër për këtë dashuri të Hyjit për botën? Në cilin besim, në cilat formula të fesë flet Hyji kështu për botën?
Ky nuk mbeti vetëm një mendim i zbrazët, nuk mbeti vetëm një fjalë e thënë. Ai e dëshmoi konkretisht këtë gjë. Në gjithëpushtetësinë e vet, nuk veproi ndryshe, por e tregoi dashurinë e vet ndaj botës duke e dhuruar Birin e vet për të. Ky është vetëdhurimi i Hyjit për botën. Kjo është dhurata e tij konkrete. Ne kemi shumë fjalë të bukura për njëri-tjetrin, në të cilat shkrihemi duke e treguar dashurinë. Por, të gjitha këto nuk janë asgjë tjetër përveçse egoizëm. Tek e fundit, të gjitha këto fjalë duan të thonë: të dua, sepse kam nevojë për ty, sepse ti mund t’i kënaqesh nevojat e mia! Nëse jap, atëherë pres që ajo gjë të më kthehet. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndjehem i dëshpëruar, njeri që nuk e kuptojnë, e shfrytëzojnë, ndjehem i braktisur. Dashurinë nuk e shikoj në dhurim, por në marrje. Prandaj, gjithmonë jam i pakënaqur dhe gjithmonë mendoj se më shumë jap sesa marr!
O Zot, më ndihmo që të lejoj të mësohem prej Teje dhe tashmë bëj që të mësoj së paku diçka: të japësh nuk do të thotë të humbasësh, as të varfërohesh. Të dhurosh, do të thotë të duash konkretisht. Kur do ta kuptoj këtë gjë më në fund!
Hyji e dha Birin e vet, jo vetëm që ta njohim dhe më në fund të dimë diçka për Hyjin, por që nëpër Të gjithashtu të shëlbohemi. Dhurata e Hyjit nuk është njëfarë zbukurimi, nuk është diçka me të cilën njeriu dëfrehet, kjo është dhuratë për dobinë tonë më të lartë, për shpëtimin tonë, për gëzimin tonë të pafund.
O Atë qiellor, të falënderoj për këtë dhuratë. Të falënderoj që mendon për botën time të vogël. Bëj që të mos shkojë për mua kot! Më ndihmo që ta pranoj sinqerisht.
«17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. 18 Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani…»
Edhe këtu e shohim kujdesin e Hyjit dhe dashurinë që e ka për botën. Ai e ka vetëm një dëshirë: që bota të shpëtojë. E bën gjithçka që të ndodhë kjo. Në dashurinë e vet, shëlbon dhe nuk e dënon askënd dhe asgjë. Vetëm dashuria e vërtetë mund të shëlbojë dhe të mos dënojë. Ajo fal, edhe atëherë kur tradhtohet. Edhe ne e kemi përvojën e tillë sa herë që duam sinqerisht. Jemi të gatshëm të falim dhe ia duam të mirën njeriut, pavarësisht çdo gjëje që ndodh.
Të falënderoj, o Zot, që mendon edhe për mua. Të falënderoj që më Shëlbon. Mirëpo, unë e di se kjo gjë nuk ndodh në mënyrë automatike. Ti nuk do as skllevër e as kukulla, por njerëz të lirë dhe të përgjegjshëm. Ti do që në të gjitha këto të bashkëpunoj me Ty, t’i marr me përgjegjësi dhe të përcaktohem. Dua të jem njeri me përgjegjësi gjatë jetës sime, dëshiroj të angazhohem në thirrjen time që në mënyrë aktive të marr pjesë në shëlbimin e botës. Ti kërkon bashkëpunëtorë. Ja ku jam, më përdor mua. Kërkon edhe besimin që më nevojitet për të t’u afruar Ty, që të mund të shëlbohem.
Besimi ose mosbesimi! Në këtë atmosferë zhvillohet shëlbimi dhe gjykimi: për Jezusin ose kundër Jezusit!
«20 Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tij, 21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.»
Sjelljet tona, fjalët tona, qëndrimet tona nuk janë asnjanëse, as indiferente. Ato janë të mira ose të këqija. Çfarëdo bëjmë, bën pjesë në njërën prej këtyre kategorive. Të gjithë e kemi përvojën e të mirës dhe të keqes në vetvete dhe rreth nesh. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të jesh i mirë, të jesh i ndershëm dhe i sinqertë. Kjo është përvoja jonë e përditshme. Shën Pali e shprehu në mënyrë të përkryer këtë luftë të brendshme: «nuk bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë bëj!» (Rom 7, 19). Kjo do të thotë të duash errësirën dhe të ikësh nga bota.
Secili, që nderon ndërgjegjen e vet, e di kur vepra e tij është e keqe. Do që të fshihet, të ikë në errësirë që të tjerët të mos e shohin, ndjen turp për shkak të kësaj vepre. Ai, që nuk është i ndershëm, ka frikë se veprat e tij do të zbulohen, prandaj nuk e thotë të vërtetën dhe ikën prej saj, ikën nga drita. A iki unë nga drita? A kam frikë që t’i tregoj veprat e mia? Nëse iki, nëse frikësohem, kjo do të thotë se veprat e mia janë të këqija. Do t’i lutem Zotit që të më ndihmojë ta kundërshtoj të keqin, që ta zgjedh dritën, në të cilën nuk do të kem frikë të rri për arsye të veprave të mia.