Shenjti i ditës: 23 prill – Shën Gjergji i Madh, martir (+300)
Written by Radio Maria on April 22, 2017
Shenjti i ditës: 23 Prill – Shën Gjergji i Madh, martir (+300)
Legjendat që janë thurur për këtë shenjt, popullor në Lindje e Perëndim kanë bërë që të vihet në dyshim ekzistenca e tij historike. Por sot të gjithë janë dakort kur thuhet se «martiri i madh», siç e quajnë Grekët, është një kalorës trim që ka jetuar në Palestinë dhe është martirizuar në Lida gjatë perandorisë së Dioklecianit. Varri i tij ishte qendër shtegtimesh që në shekullin e VII, pasi shën Gjergji nderohej si një prej katërmbëdhjetë shenjtërve «ndihmës». Kryqëzatat e ringjallën kujtesën në Perëndim, dhe shumë shpejt ky model kalorësie, «mbrojtës i grave» u shpall pajtor i shumë kombeve, si i Anglisë, Gjermanisë, Portugalisë, Spanjës (Aragonës) dhe i qyteteve si Venecias, Gjenovës e Ferrarës. Imazhi i kalorësit bujar që lufton dragoin është universalisht i njohur. Legjenda flet për një dragua të tmerrshëm që herë pas here dilte nga fundi i një liqeni dhe me frymën e tij shumë të dëmshme mbillte vdekjen. Për ta mbajtur larg, popullsitë e vendit i ofronin përbindëshit vajza të reja, të cilat i zgjidhnin me short. Një ditë shorti i ra vajzës së mbretit, i cili duke mos mundur ta shpëtonte vajzën nga fati tragjik, e shoqëroi personalisht tek bregu i lumit. Por si në të gjitha përrrallat e bukura, në momentin e fundit arriti papritur kalorësi i patrembur i Kapadokisë, Gjergji, që e theri përbindëshin, ose sipas një varianti tjetër të legjendës, e zuri rob, duke e shndërruar në një qengj të butë, dhe e mori përgjatë rrugëve të qytetit të lidhur me zingjirë. Banorëve të frikësuar Gjergji u thoshte se kishte ardhur t’i shpëtonte nga kjo shuplakë në emër të Krishtit. Gjithë kjo për gëzimin e artistëve, që në rrjedhën e shekujve e kanë pikturuar skenën me shumë hollësi. Vazhdimi i tregimit hyn në Mundimet tradicionale të martirëve. Duke i harruar vlerat dhe meritat e kalorësit trim të krishterë, që i mohoi haptas hyjnitë e perandorisë, Gjergji iu nënshtrua torturave të tmerrshme. Guximi i tij arriti ta kthente edhe bashkëshorten e qeveritarit, por kjo nuk ia kurseu kokëprerjen.