MEDITIMI I DITËS – TË LINDËSH PËRSËRI

Written by on April 22, 2017

TË LINDËSH PËRSËRI Gjn 3,1-8

 

Kërkoj hirin që të besoj në Shpirtin e Hyjit që m’u dhurua në Sakramentin e Pagëzimit.

 

«1 Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Rabbi, e dimë se ti je Mësuesi që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.»

Gjatë krejt kohës së Pashkëve, do ta lexojmë Ungjillin sipas Gjonit. Zotëria i ngjallur e shpalli plotësinë e qenies së vet. Gjoni e përvetësoi në mënyrë të mrekullueshme atë çka thoshte Mësuesi i tij. Ai lejoi që Shpirti i Zotërisë së ringjallur ta krijonte plotësisht. E sodiste gjithçka në heshtje dhe i shënonte në Ungjillin e vet.

Në mesin e farisenjve kishte një përjashtim: Nikodemi. Ky ishte i vetmi, për të cilin Ungjilli na thotë se u interesua për Jezusin. Me siguri që iu desh të ishte tepër i matur. Nuk kishte guxim që ta takonte publikisht Jezusin. Ai nuk i vendoste leqe, por dëshironte të bisedonte me të në mënyrë serioze. E dinte shumë mirë se Jezusi ishte i veçantë, i ndryshëm prej të gjithë rabinëve të tjerë, e për këtë arsye kishte dëshirë të madhe që të fliste hapur me Të. Mund ta takonte vetëm natën. I fshehur prej shikimeve të të gjithëve që donin të dinin gjithçka, ai erdhi natën te Jezusi. Nga mënyra e afrimit të tij, shihet se sa shumë e nderonte Jezusin. Besonte se Jezusi erdhi prej Hyjit. Besonte se ato gjëra që i bënte, nuk mund t’i bënte pa Hyjin.

Në të gjitha sistemet totalitare, ka pasur dhe do të ketë Nikodemë të shumtë. Ata, në vetvete, në thellësi, besojnë, por nuk janë në gjendje që ta shfaqin publikisht këtë gjë. O Zot, po të lutem për ata njerëz që edhe sot e kësaj dite, për shkak të frikës se mos e humbasin punën ose mos ndëshkohen, e dëshmojnë fenë në fshehtësi. Po të lutem për qëndrueshmërinë e tyre. Shpërbleji për shkak të frikës që kanë dhe e cila i pengon. Le të vijë dita që lirisht dhe pa frikë ta jetojnë besimin e tyre dhe t’i pranojnë sakramentet.

«3 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.»

Të gjithë ungjilltarët flasin për Mbretërinë e Hyjit ose të qiellit. Ky është i vetmi vend në të cilin Shën Gjoni e përdor këtë thënie. Ai, në vend të kësaj fjale, përdor fjalën «jetë» ose «jetë e pasosur». Duhet të ndodhë diçka e re me njeriun, që ai të ketë mundësi t’u afrohet atyre të vërtetave për të cilat flet Jezusi. Në njeriun, duhet të ndodhë njeriu i ri. Me fenë që e pranojmë, ne hyjmë në jetën e pasosur, me të cilën fillojmë të jetojmë. Ajo na bën të aftë të fillojmë ta jetojmë plotësinë e jetës, që realizohet në bashkimin e plotë me Hyjin.

«4 Si është e mundur ‑ i tha Nikodemi ‑ të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?»

Fjala e Jezusit i dukej e pakuptueshme Nikodemit. Ai, në meditimin e vet, nuk mund të ngrihej përmbi horizontalen, nuk dilte dot prej logjikës së vet. Mbetej në jetën materiale, në jetën e ndjenjave dhe në atmosferën e trupit.

«5 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.»

Jezusi vazhdonte ta mësonte Nikodemin. Njeriu duhet të ripërtërihet përbrenda, duhet të lindë përsëri. Me këtë lindje, fillon një jetë e re, jeta shpirtërore. Edhe pse jeta shpirtërore është e lidhur me jetën trupore, ajo e tejkalon atë dhe është më lart se jeta e trupit. Prapëseprapë, vetëm të dyja së bashku e formojnë tërësinë e njeriut, personalitetin e tij. Për këtë arsye, njeriu e ka gjithmonë të mundur që të lindë përsëri. Kjo jetë fillon me pagëzimin dhe jetohet në vazhdimësi, duke u ripërtërirë me Shpirtin e Hyjit. Pa këtë rilindje të brendshme, nuk ka hyrje në Mbretërinë e Hyjit.

«6 Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është. 7 Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.»

Që nga pagëzimi, në ne ka filluar jeta e re e hirit, jeta që e lind Shpirti. Shën Pali thotë se Shpirti i Hyjit është vendosur në ne: «Po a nuk e dini se ju jeni tempulli i Shpirtit Shenjt?» A jam shpirtëror? A është Shpirti i Hyjit i pranishëm në mua?

«8 Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit.»

Simboli i Shpirtit është era. Përngjasimi është i fortë dhe domethënës. Era e ka në vetvete forcën, vjen dhe shkon, nuk dimë nga vjen dhe ku shkon. Çdo i pagëzuar e merr forcën e Shpirtit, që e nxit përbrenda. Më duhet që t’i hap mjaftueshëm velat e brendisë sime, në mënyrë që në to të fryjë fuqia e Shpirtit të Hyjit. A e kam në vetvete, në mënyrë të mjaftueshme, Shpirtin e Hyjit? A e ndjej në vetvete këtë forcë të padukshme?

 


Current track

Title

Artist