MEDITIMI I DITËS – TANI E KENI RADHËN JU
Written by Radio Maria on April 22, 2017
Gjn 20, 19-31 TANI E KENI RADHËN JU
Kërkoj hirin: që të besoj së Jezusi mund të veprojë përmes meje
O Hyj, më frymën tënde bëre që njeriu të bëhet qenie e gjallë. Adami u zgjua në jetë kur në materien e vdekur hukate parimin e jetës, shpirtin e pavdekshëm. Shpirti yt, o Hyj e formoi njeriun. Nga ky shpirt jetojnë të gjitha krijesat. “Nëse ua merr frymën tënde, O Zot, ato vdesin!” Me shpirtin tënd në vazhdimësi e mbanë në jetë tokën tonë dhe çdo gjë që është në të. Me shpirtin tënd edhe ne jetojmë.
Besoj, o Hyj, se ky është Shpirti yt, Shpirti Shenjt, Vetja e tretë e të Shenjtërueshmes Trini, Shpirti jetëbërës. Besoj se është ai Shpirt të cilit mbarë Kisha i këndon: “O Shpirt Krijues, eja!” Ti na jep Shpirtin tënd i cili na dhuron fshehtësinë e jetës. Ky nuk është vetëm fryma e jetës së përkohshme, po, pikërisht ky Shpirt njeriut i jep nga Shpirti yt jetën që nuk zhdukët dot, që duhet të lulëzojë në amshim me Ty.
Të falënderoj, o Hyj, që i krijove kaq mrekullisht të gjitha dhe që njeriun e krijove si qendër të krijimit tënd. Pikërisht njeriut të gjitha ia besove, e bërë krijues, sepse e thirre që ta kultivoj tokën të cilën, ti, o Hyji, ia dhurove. Na dhuro neve, njerëzve krijesave tua, o Hyj, Shpirtin tënd i cili të gjitha i bën të reja, që njeriu sot, e asnjëherë tjetër, mos ta shkatërrojë as mos ta prish veprën tënde, por le të nderojë besimin tënd. Na dhuro përsëri Shpirtin tënd duke e vendosur në qeniet njerëzore që secili njeri të ndjej thirrjen që ta ruaj këtë Tokë duke marrë përgjegjësinë për Tokën në të cilën jeton. Përtërije dhuratën e Shpirtit tënd që ta ripërtërij në ne fshehtësinë e krijimit tënd dhe bukurinë që ka.
O Hyj, të falënderoj për Jezusin, Birin tënd. Ai për të ripërtërirë dhe për të shëlbuar njeriun e dhuroi vetveten, e dorëzoj shpirtin e vet kur në kryq që dobësuar trupi i tij. “Në duart e tua, o Atë, po e dorëzoj shpirtin tim.” Ky ishte çasti i dorëzimit të Shpirtit për të gjithë ne, i Shpirtit të ri, i Shpirtit Shenjt, që do të jetë dhurata e Tij e parë pas ringjalljes. Të falënderoj për ringjalljen e Birit tënd me të cilën fillon jeta e re, bota e pavdekshme, bota e bukurisë dhe dritës. O Hyj, të falënderoj për krijimin e ri që filloj ditën e Ringjalljes së Jezu Krishtit.
Jezus, të falënderoj që apostujve dhe Kishës ia dhurove si dhuratë të Pashkëve Shpirtin Shenjt që të vazhdojë veprën e re të krijimit, veprën e jetës që nuk shkatërrohet dot. Të falënderoj për çastin kur e hukate në apostujt Shpirtin tënd në të njëjtën mënyrë siç bëre në krijim me njeriun e parë. Le të na përfshië edhe ne në kremtimin eukaristik që të bëhemi mbartësit e kësaj risie të cilën ia dhurove si vulë krijimit të ri. Krijoje në ne së pari zemrën e re dhe shpirtin e ri që edhe ne të shndërrohemi në mbartësit e ringjalljes sate.