MEDITIMI I DITËS – JETA E RE

Written by on April 21, 2017

Mk 16,9-15 JETA E RE

 

Kërkoj hirin që besimi im në të Ringjallurin të jetë më i fortë dhe më i gëzueshëm.

 

9 Si u ngjall, pra, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë. 10 Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin. 11 Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan.

Në këtë faqe të Shkrimit Shenjt, ne meditojmë për shfaqjet e Zotit të ngjallur, që janë shkruar në Ungjillin sipas Shën Markut. Këtu e kemi përmbledhjen e shfaqjeve të Jezusit.

Maria Magdalenë mbartte në vetvete ndjenjën, që as vetë përbrenda nuk e kuptonte se çfarë mund të ishte. Diçka e nxiste në thellësi që të shkonte sa më parë te varri. Po, Zotëria ka vdekur, e varrosën dhe në grykën e varrit të Tij e vunë një gur fort të madh. Mirëpo, brenda saj ndriçonte njëfarë shprese. Ajo kishte një dëshirë të vetën që të gjitha këto të mos ishin asgjë tjetër përveçse një ëndërr e rëndë dhe e keqe, e jo realitet, siç ishte në të vërtetë. Ajo nuk dinte asgjë për ngjalljen, por dashuria që kishte për Zotërinë ishte në të më e fortë se frika, nënçmimi, përbuzja dhe rreziku i vërtetë, të cilit i nënshtrohej duke mbetur pranë Atij, të cilin pushteti e kishte ndëshkuar dhe dënuar me vdekje. Zotëria e kishte ndihmuar shumë. Ajo lindi përsëri falë veprimit të Tij. Ai e shpëtoi prej njerëzve, të cilët, pasi e shfrytëzonin, e përbuznin. Dashuria për Zotërinë ishte më e fortë se vdekja e Tij, më e fortë se frika para pushtetit, më e fortë se guri tejet i madh në grykë të varrit, i cili fshihte Zotërinë e varrosur. Dashuria e saj ishte më e fortë se gjithçka tjetër.

Për këtë arsye, gëzimi pas takimit me Zotërinë e ngjallur ishte i pafund. Së pari, vrapoi te nxënësit e Tij. E çonte te ata gëzimin e madh. Dëshironte ta largonte prej tyre trishtimin që i kishte mbuluar dhe lotët. Por, hasi në moskuptim, në refuzim dhe mosbesim. Si e shikonin, se!? Atëherë iu kujtuan fjalët e Jezusit, që i tha në shtëpinë e Simonit farise – kur do pak, jo vetëm që fiton falje pak, por edhe kupton pak. Këto shikime ishin të njëjtat shikime që i kishte përjetuar edhe atë ditë përpara se ta shëronte Zotëria, përpara se ta falte dhe t’i ndihmonte. Kush do shumë, merr falje të madhe dhe kupton shumë.

12 Pastaj Jezusi iu dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dy prej nxënësve që po shkonin në fshat. 13 Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan.

Ja, dy prej nxënësve të tij që vendosën të ktheheshin në shtëpi, në atë punë që e kishin braktisur atë ditë kur shkuan pas Jezusit. Gjithçka e braktisën për shkak të Tij e tani mori fund gjithçka. Mos ishin këta dy nxënësit më të dëshpëruar? Ata, vërtet ishin të trishtuar shumë, sepse kishin shpresuar shumë në Jezusin. Por, tani Ai ishte në varr, së bashku me Të, në varr, kishin zbritur edhe të gjitha shpresat e tyre. Zemrat e tyre ishin të mërzitura dhe të dëshpëruara. Vendosën të harronin gjithçka, vendosën që ta merrnin sërish jetën e vet në duart e tyre dhe të fillonin të jetonin përsëri. Zotëria erdhi tek ata që po ktheheshin prapa. Këta ishin më të rrezikuarit, më besimpakëtit, më të dëshpëruarit. Pikërisht me ta u bashkua Zotëria për t’i ngushëlluar, për t’i forcuar, për t’i gëzuar përsëri, duke i kthyer në bashkësinë e nxënësve. Prandaj, edhe gëzimi i tyre ishte i pakufishëm. Nuk mund ta mbanin vetëm për vete, por vrapuan te miqtë e tyre me lajmin: «U ngjall Zotëria!».

Të falënderoj, o Zot, që Ti nuk i braktise atëherë kur ata të braktisën Ty. Të falënderoj që Ti nuk u dëshpërove me ta, edhe pse për tre vjet ishin në shkollën Tënde të dashurisë, e dëgjuan fjalën Tënde, i panë veprat e Tua, por tani dukeshin si të mos kishin dëgjuar dhe parë asgjë, si të mos kishin kuptuar asgjë. Të falënderoj që në të njëjtën mënyrë vepron edhe me mua. Më fal që edhe pranë fjalës tënde, fjala ime, veprat dhe mendimet e mia mbeten jashtë Teje, «dëshirojnë që të të tejkalojnë». Unë po të lutem: rri me mua, o Zot, sepse zbret nata, errësira po më mbulon. Shtroje tryezën Tënde dhe thyeje bukën. Le të hapen sytë e mi në tryezën eukaristike, në të cilën më dhurohesh dhe rri me mua.

14 Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri.

Ndërsa ata po flisnin se çfarë kishin përjetuar dhe për lajmet më të reja, për shfaqjet e Tij, Zotëria i ngjallur erdhi midis tyre. Dëshironte që secili prej tyre ta shihte. Nxënësit e tu, o Zot, nuk iu besonin atyre që tashmë të panë dhe iu flisnin për takimet me Ty. Të gjitha këto i merrnin me mosbesim. Asgjë nuk mund t’i bindte, përveç pranisë Tënde personale në mesin e tyre.

O Zot, bëj që në pyetje dhe në dyshime, që kam, të tregohem më i hapur, njeri që iu beson më shumë atyre që dëshirojnë të më ndihmojnë, atyre që kanë më shumë përvojë, të cilët janë më të fortë se unë në fe.

15 Dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.”

Përpos gjithçkaje, Zotëria kishte besim të pafund në nxënësit e vet. Pas pak, ata do ta braktisnin shtëpinë ku ishin mbyllur dhe do të niseshin në mbarë botën që ta plotësonin dërgimin e Zotërisë. Ata, por edhe të gjithë të tjerët që do të besojnë në fjalën e tyre, do ta bëjnë këtë gjë deri në ditët tona e deri në mbarimin e kohëve.

 


Current track

Title

Artist