Shenjti i ditës: 21 Prill – Shën Anzelmi ipeshkëv dhe mësues i Kishës (1033 – 1109)

Written by on April 19, 2017

Shenjti i ditës: 21 Prill – Shën  Anzelmi ipeshkëv dhe mësues i Kishës (1033 – 1109)

            «Bëj, o Zot, që unë ta ndjej me zemër atë që prek me inteligjencë»: një fe që kërkon mbështetje në intelekt në pritje të vizionit lumturues, fides quaerens intellectum: kjo është formula më të cilën teologu Anzelmi i Aostës ia bashkangjit Zbulimit aftësinë e arsyes. Vepra e tij kryesore, Monologion, është një meditim mbi ekzistencën e Hyjit që e lë mënjëanë Zbulimin megjithëse e presupozon. Argumenti i tij «ontologjik» me të cilin dëshiron të tregojë ekzistencën e Hyjit, do t’i bëjë të diskutojnë breza të tërë studentësh e filozofësh deri në ditët tona. Anselmi, i përcaktuar si një gjeni metafizike me zemër kontemplativi, është një prej mendjeve më të shndritshme të filozofisë skolastike, nismëtar i të cilës mbahet: është unaza lidhëse mes shën Augustinit dhe shën Tomë Akuinit. Si tek Augustini, edhe tek Anzelmi vërehet jo vetëm mprehtësia e mendjes por mbi të gjitha ngrohtësia e shpirtit.

            Pas një rinie të lëvizshme, Anzelmi u kthye në zjarrin rinor dhe për të realizuar qëllimin për t’u bërë murg, duke mos arritur të fitonte ndaj kundërshtimit të të atit, që ishte një njeri i ashpër dhe i dhënë pas kënaqësive të jetës, braktisi familjen dhe qytetin e lindjes, Aostën. Shkoi në Normandi, u mirëprit në abacinë benediktine të Bek, e themeluar nga abati Erluini, i cili e emëroi Anzelmin epror të kuvendit dhe mësues të shkollës së kuvendit. Pasi vdiq Erluini, Anzelmi u zgjodh abat i Bek. Shkoi në Angli, i thirrur nga mësuesi i vjetër, Landolfi i Pavias, arqipeshkëv i Kanterbury, të cilit do t’ia zërë vendin pas vdekjes. Ipeshkvit të përvujtë filozof iu desh ta mbante larg mbretin grindavec Guliemin i Kuqi, tagrambledhës i të mirave kishtare, i cili u lirua shpejt nga ipeshkvi i bezdisshëm duke e çuar atë përtej Manikës. Anzelmi para se të thirrej sërish në Kanterbury nga Henriku I, mori pjesë në koncilet e Barit dhe të Romës. Pati mosmarrveshje edhe me mbretin e ri dhe iu desh të shkonte për të dytën herë në mërgim. Më në fund maturia që tregoi ipeshkvi gjatë provave të vështira i çarmatosi vetë kundërshtarët dhe Anzelmi, pasi u vendos në mënyrë të qëndrueshme në Kanterbury, mundi t’i kushtohej veprës moralizuese të klerit deri në mbarim të ditëve të tij. U varros në katedralen e Kanterbury. Në vitin 1720 u shpall mësues i Kishës.


Current track

Title

Artist