MEDITIMI I DITËS – PAQJA JONË

Written by on April 19, 2017

Lk 24,35-48 PAQJA JONË 

 

Kërkoj hirin që të besoj në Zotërinë e ngjallur që ma dhuron paqen.

 

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” 37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt.

Nxënësit kishin për çfarë të flisnin. Ata kishin pasur aq shumë përjetime prej Darkës së fundit e deri te varrosja e Jezusit. Disa prej tyre i kishin parë nga afër të gjitha këto ngjarje, ishin dëshmitarë të tyre. Disa të tjerë ikën dhe mundën të dëgjonin për të gjitha ato gjëra që nuk i kishin përjetuar personalisht, që nuk i kishin parë. Krejt qyteti fliste për këtë ngjarje. Nxënësit nuk e dinin ende se çfarë do të ndodhte me ta. A do të ngrinin padi kundër tyre? A do të përfundonin edhe ata si Mësuesi i tyre? Tashmë ata ishin njëmbëdhjetë. Juda nuk ishte më. Tmerri dhe frika zotëronte në bashkësinë e apostujve. Ishin të tmerruar. Përveç kësaj, tek ata po vinin edhe disa lajme të çuditshme. Jezusi ishte i gjallë dhe disa prej tyre e kishin parë. Kjo gjë i turbullonte edhe më shumë. Pikërisht atëherë u paraqit Jezusi. Papritmas, pa e pritur aspak, si një shpirt, erdhi midis tyre.

O Zot, erdhe kur më së paku të pritnin. Erdhe në momentin kur ishin tej mase të frikësuar. Erdhe atëherë kur nuk dinin as çfarë të bënin, as ku të shkonin. Hyre në tmerrin e tyre, në zemrën pa shpresë dhe plot dëshpërim. Erdhe për t’ua dhuruar paqen.

Eja edhe në bashkësitë tona, në familjet tona, në secilën bashkësi njerëzore, në famullitë, në ipeshkvitë tona. Eja, sepse edhe sot jemi të tmerruar, nuk kemi më paqe, na ka kapluar tmerri dhe dëshpërimi. Sille ndër ne paqen tënde.

38 Jezusi u tha:“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!

Dyshimi, frika dhe mosbesimi e bënin të nderë atmosferën, në të cilën u paraqit i Gjalli. Ai i pa nxënësit e vet të tmerruar dhe pa besim në zemër. Këta ishin të njëjtët nxënës që gjatë jetës së Tij tokësore dyshonin në shumë çka, nuk besonin dhe ishin shumë të çuditshëm. Ata nuk u besonin lehtë as syve të vet, pas të gjitha gjërave që përjetoi Jezusi. Sado që Jezusi i bindi se ishte Ai, Mësuesi i tyre përsëri në mesin e tyre, ata nuk besonin. Ai tani dëshironte t’i bindte se ngjallja nuk ishte ndonjë ide, as nuk ishte vetëm jetë e shpirtit të pavdekshëm. Prandaj, kërkonte prej tyre që ta shikonin mirë dhe ta prekin. Nuk ishte fantazmë, as shpirt. Ai ishte i njëjti: «UNË JAM!» Ngjallja nuk është kalim në njëfarë jete shpirtërore pa trup. Ngjallet edhe trupi ynë. Prandaj, Jezusi vazhdoi duke i treguar duart, këmbët dhe krejt vetveten.

40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” 42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

Jezusi dëshironte që nxënësit e Tij ta përjetonin Atë në mënyrë fizike. Pa e prekur, pa e përjetuar Jezusin se ishte i vërtetë, e jo njëfarë shpirti, nxënësit nuk do të ishin në gjendje që ta pranonin ngjalljen. Gjatë kohës së jetës tokësore të Jezusit, biseda për ngjalljen, ishte bisedë që ata nuk e kishin kuptuar aspak e as nuk e kishin pranuar. Tani, në ta, sapo filluan të paraqiteshin shenjat e gëzimit. Atmosfera nuk ishte më aq e nderë. Duhej të bindeshin se Jezusi ishte i gjallë, se nuk ishte fantazmë dhe se sytë e tyre nuk po i mashtronin.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme.’ “45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha:“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve.

Ua shpjegoi përsëri përmbajtjen e Shkrimeve, gjërat që ua kishte zbuluar gjatë jetës së vet tokësore. Të gjitha këto duhej të ndodhnin. Këtë gjë tani e dinin dhe e besonin.

48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. 49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti.”

Nga njerëz që dyshonin, që ishin të frikësuar dhe të pabesë, nxënësit do të bëheshin dëshmitarë. Do t’u duhet prapë kohë, derisa të mos zbresë Shpirti i Hyjit mbi ta për t’i forcuar që të jenë të patrembur para tmerreve dhe turbullimeve. Tani duhej të pritnin me durim. Paqja e Jezusit të ngjallur vepronte ngadalë në ta, duke krijuar gatishmërinë e brendshme që ta pranojnë Shpirtin.

Edhe ne jemi, o Zot, dëshmitarët e Tu. Besojmë se mund të na i formosh zemrat e reja që nuk frikësohen, nuk turbullohen e as nuk dyshojnë. Le të shndrisë në to gëzimi i ngjalljes dhe fuqia e Shpirtit që jep jetën e re.

 


Current track

Title

Artist