Lk 24,13-35 – MEDITIMI I DITËS – JEZUSI NË KUNGIM
Written by Radio Maria on April 18, 2017
JEZUSI NË KUNGIM Lk 24,13-35
Kërkoj hirin që të besoj në praninë e Jezusit në Kungim.
13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.
Ngjarjet e të premtes së kaluar ishin të tmerrshme. Jezusi nuk ishte më. Me varrimin e Tij, në zemrat e nxënësve u varrosën edhe të gjitha shpresat e tyre në të njëjtin varr. Gjithçka mbaroi përnjëherësh. I humbën vitet, e humbën kohën. U duhej të ktheheshin në shtëpitë e veta, të harronin gjithçka dhe ta vazhdonin jetën aty ku e ndërprenë kur u nisën pas Jezusit. Dëshpërimi ishte tepër i madh dhe dhimbja e paskajshme. Mund ta marr me mend shumë lehtë dhimbjen dhe dëshpërimin e tyre, por edhe hidhërimin.
O Zot, sa shpesh ndodh kjo gjë në jetën tonë. Mossuksesi vjen një ditë. Përsëri paraqitet diçka e pazgjidhshme, një problem i patejkalueshëm. Ka situata në të cilat nuk shohim rrugëdalje. Aq shumë u përngjajmë dy nxënësve të Tu që udhëtonin të dëshpëruar prapa për në Emaus.
Papritmas, u paraqit Jezusi. Ai ishte aty, afër, në udhë me ta. Atëherë kur mendonin se ishte më larg prej tyre, kur mendonin se ishin të braktisur plotësisht, ai ishte më së afërmi. Ai ishte afër tyre. Por, ata nuk e njohën! Hidhërimi ishte tepër i madh, dëshpërimi i dhimbshëm dhe për këtë arsye nuk e njohën. Jezusi nuk iu paraqit në të njëjtën mënyrë.
17 Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?” Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” … “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, … se 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin.
Jezusi i ngjallur interesohej për dhimbjen dhe për vuajtjen e tyre. Dëgjonte se si tregonin dhimbshëm gjithçka që ndodhi me Të. Dëgjonte ofshamat e tyre duke shpresuar shëlbimin, edhe pse tani kishte përfunduar gjithçka. Kur çdo gjë u fundos në humnerë, ata iu kthyen jetës së vjetër. Ty, o Zot, të interesojnë vështirësitë e mia, të interesojnë vuajtjet që kam. Ti i di të gjitha dhe i mbart si barrë në thellësinë e shpirtit tënd. Të falënderoj që më përcjell në udhën time dhe që më dëgjon kur të flas për dëshpërimet dhe mossukseset e mia. Të falënderoj që në këto situata mund ta mbështes kokën time në Ty dhe të të them çdo gjë që më rëndon dhe më mundon.
22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”
Të gjithë dyshonin. Diçka po ndodhte rreth Jezusit, por nuk mund ta kuptonin se çfarë ishte. Ende, asgjë që lidhej me ngjalljen nuk po hynte dot në mendësinë e tyre. Dëshpërimi ishte shkatërrues. Nuk kishin më besim. Zemrat i kishin të ngadalshme. Jezusi ishte i durueshëm dhe filloi që t’ua shpjegonte të gjitha nga fillimi, duke ua kthyer shpresën dhe besimin e humbur.
25… “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të. 28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.
Për ta njohur Jezusin, është e nevojshme që të njohim Shkrimet. Kështu na mëson Jezusi. Etërit e shenjtë thoshin: «Nëse nuk i njeh Shkrimet, do të thotë se nuk e njeh Krishtin». Në këtë mënyrë, Jezusi, nga njeriu i panjohur, shndërrohet në mikun e dashur. Rri me ne, o Zot! Kemi nevojë për hirin Tënd, për ndihmën dhe dashurinë Tënde.
30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre.
Në tryezë, në ndarjen e bukës, ranë të gjitha perdet prej syve. Iu foli zemra: ky është Zotëria ynë. Jezusin do ta takojmë dhe do ta njohim në tryezën eukaristike, në Meshën e shenjtë. Në Meshë, Ai është i pranishëm në mënyrë të vogël dhe të thjeshtë, në shenjën e bukës dhe të verës. Misteri i fesë!
32 “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne …?” 33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët …. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” 35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.
Tani e kuptuan gjithçka. Zemra e tyre kishte filluar të fliste gjatë rrugës, ndërsa Ai ua shpjegonte Shkrimet, por mendja e tyre ishte e fortë. Mendja, shpesh, nuk i dëgjon arsyet e as nxitjet e zemrës. Gëzimin duhet t’ua sjellim edhe të tjerëve, duke e bashkëndarë me ta. Tani ata kishin vetëm një mendim: të nisemi për në Jerusalem. Gëzimi kishte ardhur edhe atje: «Me të vërtetë u ngjall Zotëria!» Për shkak të fesë në të Gjallin, duhet të jemi njerëz që nuk shtiren e as nuk janë të turpshëm. Vetëm kështu mund të jemi nxënës që i Gjalli i dërgon te të tjerët me porosinë e shpresës.