MEDITIMI I DITËS – DASHURIA NUK KA KUFIJ

Written by on April 17, 2017

Gjn 20,11-18 DASHURIA NUK KA KUFIJ 

 

Kërkoj hirin që të besoj se Zotëria i ngjallur është pranë meje që të më nxisë dhe të më ngushëllojë.

 

Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit…

Gjoni Ungjilltar ka bërë një paraqitje të veçantë të mënyrës se si shkoi Maria Magdalenë te varri i Jezusit. Maria, me siguri, e përjetoi një hir të veçantë që ia dhuroi Jezusi. Prandaj, i përjetoi në mënyrë të veçantë edhe mundimet e Tij. Për këtë arsye, ende deri sa ishte natë, ditën e parë të javës, ajo shpejtoi te varri, në mënyrë që në vetmi t’i rijetonte edhe njëherë të gjitha ato gjëra që i bëri Jezusi për të. Kujtimet ishin të forta dhe të freskëta. Dëshironte që t’i rijetonte edhe një herë të gjitha. Do të ulej pranë varrit, që e kishte në grykë gurin fort të madh, i cili e ndante Jezusin nga bota e të gjallëve. Maria e dinte këtë gjë, por pavarësisht kësaj, atë e shtynte diçka që të shkonte te varri, si të mos dëshironte ta besonte se Jezusi iu nënshtrohej ligjeve të vdekjes si të gjithë njerëzit e tjerë. Dashuria që kishte për Jezusin e çoi me të shpejtë te varri, dashuria që nuk e njeh kufirin e vdekjes, edhe kur e pranon ndarjen kohore dhe vendore nga qenia e dashur. Shihet prej lotëve të saj dhe dhimbjes që kishte për Të se sa e donte ajo Jezusin. Maria mund ta tregonte vetëm me lot dhimbjen e vet.

«13 Engjëjt i thanë: “Pse po qan, moj burrneshë?” Ajo u përgjigj: “E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.” 14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi.»

Maria u mbush me dyshime dhe pyetje kur e pa varrin e zbrazët. Ku është Zotëria im që qe varrosur këtu? Kush e mori? Përse as të vdekur nuk e lënë të qetë? Atëherë, në atë vend ku ishte i shtrirë trupi i Jezusit, pa të ulur dy engjëj. Pyetja e tyre e nxori nga pështjellimi dhe mendimet. Erdhi shpejt në vete. Reagimi i saj qe i thjeshtë dhe i arsyeshëm. Me këtë gjë tregoi se ajo nuk po kuptonte ende asgjë. Ajo e vërtetonte atë gjë që shikonte. Në pyetjen e saj kishte habi, frikë, hidhërim dhe një dhimbje të re për shkak të zhdukjes së trupit të Jezusit. Mendonte: ku do të jetë zhdukur, ku e çuan, ku e kanë lënë? Përse të gjitha këto? Ndërsa këto pyetje pështjelloheshin në mendjen e saj, Jezusi ishte pranë saj. Ajo shihte se dikush ishte aty, por nuk mund ta njihte. Kjo është gjë e zakonshme në të gjitha shfaqjet që i bëri Jezusi i ngjallur.

«15 Jezusi i tha: “Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?” Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha: “Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.»

Edhe pranë dashurisë së flaktë që kishte për Jezusin, Maria nuk e njohu. Mendonte se ishte kopshtari. Ungjijtë e theksojnë në vazhdimësi këtë të vërtetë se nxënësit nuk e njohën Jezusin e ngjallur: edhe pse ishte i njëjti Jezus, ai prapëseprapë ishte krejtësisht i ndryshëm. Ai mund të depërtojë në hapësirën dhe në kohën tonë, por nuk iu nënshtrohet ligjeve të kohës dhe të hapësirës. Ai e jeton jetën mbi të cilën vdekja nuk ka më kurrfarë pushteti. Ky është i njëjti Jezus, por tashmë i shndërruar plotësisht, aq sa miqtë e tij më të dashur nuk e njohin.

Maria vuante për shkak të vdekjes së Tij. Ajo e përjetoi thellë çdo gjë që ndodhi gjatë atyre ditëve, sidomos të Premten e Madhe. O Zot, dhimbja, ndonjëherë, di të na bllokojë dhe pothuajse të na paralizojë në qëndrimet tona. Nga lotët, nuk shohim e nga dënesja, nuk dëgjojmë asgjë. Shpesh na duket se Ti je njeri i thjeshtë që nuk mund të bësh asgjë, nuk mund të na ndihmosh e as nuk e bashkëndjen me ne dhimbjen tonë. Bëj që të besojmë se Ti je këtu, sikurse ishe pranë Marisë, na fol edhe neve. Ti e ke gjithmonë i pari nismën; më ndihmo që të di të të njoh.

16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi. Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (që do të thotë Mësues).

«Mari!» Si të ishte hapur qielli mbi Marinë! Ky ishte zëri i Mësuesit të dashur! Sytë iu hapën, tani e njohu. Po, ky ishte Jezusi! I njëjti, por krejt i ndryshëm! Prandaj, tha: «Rabbuni!», e jo vetëm «Rabbi». Kjo është thirrja solemne, me të cilën hebrenjtë i drejtoheshin Hyjit.

«17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.” 18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.»

Maria u përkul te këmbët e Zotërisë. E adhuroi dhe e dëshmoi besimin dhe nderimin ndaj Tij. Me gëzim, do të rrinte përgjithmonë pranë Tij. Mirëpo, i duhej të shkonte e t’ua dëshmonte të tjerëve, që t’ua çonte gëzimin e Zotërisë së ngjallur. «… shko të vëllezërit e mi e thuaju!».

A mund të them edhe unë: «E kam parë Zotërinë!» – në zemrën time, në Eukaristi, në ngjarjet jetësore, në më të vegjlit dhe më të varfrit?

 


Current track

Title

Artist