MEDITIMI I DITËS – GËZIMI I PLOTË

Written by on April 15, 2017

Mt 28,8-15 – GËZIMI I PLOTË

 

Kërkoj hirin që Zotëria i ngjallur të ma mbushë zemrën me gëzimin e pakufishëm.

 

8 Në atë kohë, gratë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!”Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.

Kur çdo gjë kishte rënë në paqe, në agimin e ditës së parë të javës, disa gra shpejtuan drejt varrit kuqe varrosur Jezusi. Ishte si të mos mund të pajtoheshin me faktin që u largua prej mesit të tyre kaq dhunshëm dhe kaq shpejt, si të donin ta vërtetonin edhe një herë këtë të vërtetë të tmerrshme të jetës personale se Jezusi nuk ishte më në mesin e tyre. Jo, njeriu i tillë nuk mund të zhduket në këtë mënyrë nga kujtesa e tyre! Aq shumë të mira bëri! Zemrat i kishin përplot me dashuri për Jezusin. Me kënaqësi të madhe bisedonin me Të dhe shkonin pas Tij, ndërsa Ai kalonte nëpër Palestinë. Sa herë iu ndihmoi në zgjidhjen e të gjitha problemeve personale që kishin. Tani, miku më i dashur, që kishin takuar ndonjëherë, nuk ishte në mesin e tyre.

Prandaj, ato të parat u nisën të shkonin te varri i Tij, siç bëjmë edhe ne kur na vdes ndonjë njeri i dashur, ndonjë mik i paharrueshëm. Meqenëse ishin të pranishme edhe në varrimin e Tij, e dinin shumë mirë vendin e varrit. As që mund ta merrnin me mend se çfarë do t’i priste atje. Tani, te varri, çdo gjë ishte ndryshe nga dita e djeshme. Varri ishte i hapur! Jezusi nuk ishte aty. Engjëlli iu shpalli gëzimin se Jezusi ishte ngjallur. Ato u tmerruan. Nuk e dinin se çfarë kishte ndodhur, por njëfarë gëzimi i pafund i mbushi zemrat e tyre. Të gjitha këto duhet t’ua thoshin nxënësve. Ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Ndërsa shpejtonin të ktheheshin, Jezusi u doli para. Thjesht i përshëndeti. Si të mos kishte ndodhur asgjë!

O Zot, bëj që edhe zemra ime të jetë e mbushur me dashuri ndaj Teje. Dashuria e zemrës le të më drejtojë te Ti, që edhe unë të të adhuroj si Zotin tim, fitimtarin mbi vdekjen. Bëj që edhe unë t’ua sjell të tjerëve Lajmin e gëzueshëm të ngjalljes Tënde!

10 Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”

Gratë ishin të mbushura me frikë dhe gëzim. Ishin të shqetësuara dhe të tmerruara, mirëpo prapëseprapë i mbështillte gëzimi i madh që i nxiste për t’i lajmëruar nxënësit e Tij për të gjitha këto. Kur gjatë udhëtimit e takuan dhe Jezusin, u pështjelluan edhe më shumë. Jezusi, të cilin e kryqëzuan në mënyrë aq të turpshme, që e munduan aq me egërsi dhe e varrosën, tani rrinte para tyre. Fliste me to dhe ato mund ta preknin. Të gjitha këto i goditën tepër thellë, i mbushën me frikë, por edhe me gëzim tepër të madh. Prandaj, Jezusi së pari i qetësoi. Kur Jezusi ishte me to, aty nuk kishte vend për frikë. Ato do të ishin lajmëtaret e para të ngjalljes së Jezusit. Ato e merituan këtë dhuratë për shkak të dashurisë që e kishin për Të, merituan që ta shikonin të parat të ngjallur dhe të parat ta sillnin Lajmin e ngjalljes së Tij. Ato tashmë nuk duhej vetëm të mrekulloheshin dhe të mbesnin të palëvizshme e të paralizuara nga frika, por duhej të shkonin te të tjerët për t’ua shpallur gëzimin, duke filluar nga nxënësit.

Është pothuajse krejtësisht e natyrshme që njeriu të frikësohet kur takohet me mbinatyroren. Ndjenja e frikës na kaplon në takim me hyjnoren. Prandaj, na nevojitet ngushëllimi dhe nxitja e Jezusit. O Zot, kur jam me Ty, nuk guxoj të kem frikë. Sa më afër Teje jam, aq më pak ka vend për frikë. Më mbush me gëzimin e ngjalljes! Edhe mua më duhet që ta ndaj këtë gëzim me të tjerët. Ti, këtë gjë, e pret prej meje. Kjo është ajo gjë që i nevojitet më së shumti njeriut sot. Më mbush me këtë gëzim. Ky gëzim le të jetë më i madh se çdo gjë tjetër. Çfarëdo që të ndodhë në jetën time, mendimi se Ti fitove mbi vdekjen le të jetë gjithmonë më i fortë se çdo trishtim. Për shkak të ngjalljes Tënde, mos lejo të më mbizotërojë asnjë trishtim, asnjë frikë dhe turbullim. Më duhet që të dëshmoj edhe unë para tjerëve se Ti je ngjallur. Çfarë duhet të bëj konkretisht pas këtij meditimi dhe kësaj lutjeje? Te kush të shkoj që ta paraqes më qartë para tij fitoren Tënde mbi vdekjen?

11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë: “Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën…” Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.

Ja puna tjetër përpara krerëve të popullit. Menduan se e hoqën qafe Jezusin dhe tani mund të merrnin frymë lirisht. nuk kishte paqe për ta, por së paku për fillim mund ta shpjegonin se pse ishte i zbrazët varri. Këtë gjë do ta bënin më së lehti duke i blerë njerëzit. Duhej të ishte ashtu siç thoshin ata. Nuk kishte vend për frikë dhe gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Me të holla kundër të vërtetës. As sot nuk është më ndryshe! Edhe pak e gjithçka do të ishte krejt ndryshe nga ajo që mendonin krerët e popullit. Vetëm tani filloi gëzimi fitimtar i Zotërisë së ngjallur.

Më mëso, o Zot, që të di ta sjell ngushëllimin e ngjalljes te të tjerët. Më përfshi në gëzimin tënd, që nuk është as i turpshëm e as i paramenduar, e bëj që gëzimin e tillë t’ua dhuroj të tjerëve. Vetëm Ti mund të më mbushësh me gëzimin e ngjalljes, sepse vetëm atëherë do të jem nxënësi yt, që Ti e dërgon te të tjerët me porosinë e shpresës.

 


Current track

Title

Artist