Shenjti i ditës: 20 Prill – Shën Anjeza nga Montepulçiano, virgjër domenikane (1268 – 1317)

Written by on April 15, 2017

Shenjti i ditës: 20 Prill – Shën Anjeza nga Montepulçiano, virgjër domenikane (1268 – 1317)

 

Kjo shenjtëreshë pati mes të përshpirtshmëve të saj të parë Katerinën nga Siena, që  e quan në mënyrë figurative, «ngrënëse dhe rrëmbyese shpirtërash». Biografi i saj, i lumi Rajmondi nga Kapua, flet për «forcën e dukshme të shenjtërisë së saj», pasi Anjeza mund të quhej një mrekulli e gjallë. Në moshën nëntë vjeçare kishte hyrë në kuvendin e murgeshave «të thesit», të quajtura kështu për shkak të formës së zhgunit të ashpër. Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare iu besua detyra e ekonomates dhe në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ajo e abates së kuvendit të Procenës. Por bashkëfshatarët e saj arritën ta hiqnin nga ky kuvend dhe ta qonin sërish në fshat, për t’i besuar drejtimin e kuvendit të motrave domenikane. Pati një jetë të shkurtër, të mbushur me mrekulli që në moshë të re.

Një flakë misterioze ndriçoi djepin e saj që nga ditët e para të jetës, parashikim, siç thotë për të shën Katerina, i «dashurisë» që vazhdimisht digjej në zemrën e saj. Vetë Katerina qe dëshmitare e një mrekullie: pasi shkoi një ditë në një shtegtim tek arkëza që ruante trupin e saj çuditërisht i paprekur, u gjunjëzua për t’i puthur këmbën, e cila u ngrit deri tek buzët e saj duke qëndruar gjatë në atë pozicion. Në Kiankiano ka një burim që mban emrin e saj në kujtim të një mrekullie tjetër që bëri Anjeza. Abatia e re, e nxitur nga simotrat e saj shkoi në këtë lokalitet, që njihej për mungesën e ujit. Vetëm me prekjen e dorës së saj shpërtheu një burim i ri. Kujtohet edhe mrekullia e manës që e mbuloi altarin gjatë kremtimit të meshës së ipeshkvit. Por megjithë dhuratat e mrekullueshme të marra nga Hyji, Anjeza e ruajti shpirtin e vajzës së thjeshtë e të përshpirtshme. Bashkëqytetarët e saj, pas vdekjes, që ndodhi në Montepulçiano, nuk vonuan ta zgjidhnin pajtore të qytetit dhe të kremtonin festën e saj, që u pranua nga vetë Urdhëri domenikan, akoma para kanonizimit solemn, që ndodhi me 10 dhjetor  të vitit 1726.


Current track

Title

Artist