Shenjti i ditës: 18 Prill – Shën Galdini, ipeshkëv i Milanos (1100 – 1176)

Written by on April 15, 2017

Shenjti i ditës: 18 Prill – Shën Galdini, ipeshkëv i Milanos (1100 – 1176)

 

Me shën Ambrozin e shën Karl Borromeun, shenjti i sotëm zë në selinë milaneze një vend me rëndësi të madhe. Kancelar dhe kryediakon i dioqezës në periudhën vendimtare të luftës mes bashkive të Italisë së veriut dhe perandorit Frederik Barbarosës, Galdinit, bashkë me ipeshkvin e tij Obertin nga Pirovani, iu desh t’i largohej hakmarrjes së Barbarosës, i cili e rrafshoi  qytetin e Milanos. Pasi papa Aleksandri ishte radhitur në favor të bashkive në luftë, perandori gjerman i kundërvuri më pas tre antipapë Viktorin IV, Paskualin III dhe Kalistin III.

            Në vitin 1165 papa Aleksandri e thirri Galdinin në Romë, e bëri kardinal dhe pas vdekjes së Obertit nga Pirovani e emëroi arqipeshkëv të  Milanos, kjo qe hera e parë në historinë e këtij qyteti që pati një ipeshkëv kardinal. Arqipeshkvi i ri mundi të kthehej në Milano me 15 shtator  të vitit 1167 dhe sipas udhëzimeve të papës, i dha mbështetje të plotë Legës lombarde që ishte formuar me betimin e Pontidës dhe e favorizoi themelimin e qytetit të Aleksandrisë, i cili u quajt kështu në nder të papës. Qyteti i ri u bë menjëherë qendër kundërshtimi ndaj Barbarosës. Në Milano, Galdini i hoqi ipeshkvinjtë lombardë që ishin bashkuar me antipapën, e mbi të gjitha bëri çmos për rindërtimin material e shpirtëror të qytetit, duke u kujdesur veçanërisht për të varfërit, për të cilët themeloi atë që do të quhet «buka e shën Galdinit» një lloj guzhine e lëvizshme për të ngopur të varfërit dhe një shoqatë ndihme të ndërsjellë për t’i liruar nga burgu ata që ishin burgosur për borgje. Përveç dashurisë ndaj të varfërve, shën Galdini ka edhe meritën se ka luftuar për integritetin e doktrinës së krishterë kundër herezive katare që kishin lindur. Vdiq pasi përfundoi diskutimin e tij në  katedër, siç tregon biografi i tij, murgu milanez Ilarioni, dëshmitar okular i faktit: «U ngjit në katedër dhe bëri një diskutim shumë të bukur kundër katarëve dhe ndjekësve të tyre. Pasi mbaroi së foluri, në praninë e një kleri dhe populli të madh, ia dorëzoi shpirtin Zotit».


Current track

Title

Artist