MEDITIMI I DITËS – VDEKJA DHE SHËLBIMI
Written by Radio Maria on April 14, 2017
Gjn 19, 31-42 VDEKJA DHE SHËLBIMI
Kërkoj hirin që të besoj se Jezusi më shëlboi me mundimin, vdekjen dhe me ringjalljen e vet.
31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u thyheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32 Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë.
Në Kalvar ishte heshtje. Çdo gjë kishte rënë në qetësi. Vetëm në kryqe dëgjohej frymëmarrja e vështirësuar e të kryqëzuarve. Turma u shpërnda. Për ata, ky edhe ashtu ishte një spektakël. Pasi përfunduan ngjarjet, kur mbaroi «shfaqja», njerëzit u shpërndanë. Nuk ishin aty as krerët e popullit, as krerët e tjerë. Tashmë edhe ata mund të ishin në paqe. Puna përfundoi. Jezusin e përvujtëruan, e tallën dhe e kryqëzuan. Ishte i varur në kryq mes dy kriminelëve, si të ishte keqbërës. Shikuar në mënyrë njerëzore, Ai përjetoi humbje të plotë. Mirëpo, ende duhej që të kryqëzuarit të uleshin nga kryqi, për të mos ndenjur në kryq deri të shtunën. Tani i priste mundimi tjetër. Nëse nuk kishin vdekur ende, atëherë ua thyenin eshtrat që t’ua përshpejtonin vdekjen.
33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.
Jezusi tashmë kishte vdekur. Dha shpirt duke e dorëzuar atë në duart e Atit. Fjalët e fundit që tha ishin në shenjë të dorëzimit të plotë Atit. Kjo ishte lutja e Tij e fundit, me të cilën u lëshua në duart e Atit, ashtu siç kishte jetuar gjatë gjithë jetës së vet tokësore. Meqë kishte vdekur, nuk ia thyen eshtrat. Ndodhi diçka tjetër; ushtari ia shporoi kraharorin me heshtë dhe nga kraharori gufoi gjak e ujë. Në këtë vepër, tradita e krishterë shikon simbolet e mëdha të besimit të vet. Pikat e fundit të gjakut janë shenjë e flijimit të vërtetë që u kushtua për shëlbimin e botës. Uji është një prej simboleve të Shpirtit dhe dëshmon për frytshmërinë shpirtërore të flisë së Jezusit. Gjithashtu, tradita e krishterë te uji e shikon edhe simbolin e pagëzimit, ndërsa te gjaku i Eukaristisë dhe te të dyja Sakramentet e shikon shenjën e Kishës, e cila lind nga kraharori i shporuar i Krishtit. Qëkur, Shën Gjon Gojarti ua tërhiqte vërejtjen besimtarëve të vet duke thënë: «Nuk do të doja, dëgjues, që të kalosh aq lehtë përtej fshehtësisë së kësaj të vërtete».
O Zot, nga kraharori Yt i shporuar rrodhën pikat e fundit të gjakut dhe të ujit. U derdhën edhe për mua, për shëlbimin tim. U flijove plotësisht, më dhe çdo gjë që pate për të më dhënë. Bëj që ta kuptoj vlerën e flijimit tënd! Bëj që ta kuptoj se nuk më ka shëlbuar «diçka e shkatërrueshme, as ari e as argjendi, por Gjaku i Tejetçmueshëm i Krishtit, i Qengjit të patëmetë». Bëj që në këtë fli të shikoj kuptimin e çdo flijimi që duhet të bëj e para të cilit murmuroj dhe nuk dëshiroj ta pranoj!
35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni.
Gjoni e përcolli Jezusin që nga arrestimi në kopsht e deri në Kalvar. Ishte dëshmitar i çdo gjëje që ndodhi gjatë kohës së mundimeve. Dashuria për Mësuesin ishte më e fortë se frika dhe gjërat e padëshirueshme që pësoi gjatë kësaj kohe. Nuk kishte nxënës tjetër aty. Gjoni, së bashku me Jezusin, përjetoi mundimet e Tij dhe bashkëndjente me Të. Jezusi e dinte këtë gjë, prandaj, me ndjenjë lehtësimi mundi t’ia dorëzojë nënën atij. Gjoni e meritoi që të kujdesej për nënën e Jezusit, të cilën, për dashurinë që kishte për Mësuesin, e nderonte dhe e donte.
38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. … 39 Erdhi edhe Nikodemi… E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira.
Jozefi dhe Nikodemi ishin dy hebrenj, që në zemër ishin nxënës të Jezusit. Këtë gjë nuk e tregonin haptas, por i dolën borxhit Mësuesit. Në fund të jetës së Tij, treguan se ishin nxënësit e Tij të vërtetë. Nuk kishte nxënës të tjerë aty. Nëna e Jezusit, gratë e përshpirtshme dhe Gjoni, që shkonin pas Jezusit, ishin të stërmunduar nga dhimbja që të mundeshin të bënin diçka vetë konkretisht. Edhe ata ishin aty. I shkonin pas dhe ndihmonin me aq sa mundeshin.
41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.
Gjithçka mori fund. Flijimi u krye dhe misioni mbaroi. Heshtja e të Shtunës së Madhe mbuloi gjithçka. Jezusi i kaloi të gjitha gjërat që do t’i kalojmë ne. Fitoi mbi të gjitha ato gjëra, para të cilave ne si njerëz ishim të paaftë dhe të dobët, i dha kuptim çdo gjëje, që pa Të nuk do të kishte kuptim. O Zot, unë mundem vetëm të të falënderoj. Kjo gjë është tepër pak përballë asaj që Ti e bëre për mua. Ma jep hirin Tënd dhe forcën që të të mbetem besnik dhe të mos luaj me të mirat që Ti i bëre për mua. Drita e Pashkëve, që pas pak do të ndrisë, le ta ndriçojë udhën time.