MEDITIMI I DITËS – TRADHTIMI

Written by on April 11, 2017

Mt 26, 14-25 TRADHTIMI

 

Kërkoj hirin që të ndjej dhimbje për shkak të mëkateve të mia, sepse prej tyre Zotëria shkon në vdekje.

 

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë  15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Pa kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes, Juda bëri «pazar» me kryepriftërinjtë. E shiti Mësuesin e vet, me të cilin e kishte kaluar një kohë të mirë të veprimtarisë së Tij publike. Të gjithë ungjilltarët e theksojnë dëshirën e madhe që kishte Juda për të holla. Edhe këtu ishte ai që e mori nismën. Shkoi te kryepriftërinjtë dhe i pyeti se sa do t’i jepnin për t’ua dorëzuar Jezusin. Kush mund ta kuptojë se çfarë ishte e pranishme në zemrën e Judës! Përse vendosi ta bënte këtë gjë? A mundet që dëshira për të holla e për pasuri ta robëronte kaq shumë njeriun dhe për arsye të të hollave ta dorëzonte Mësuesin dhe Mikun e vet?!!! Përndryshe, tridhjetë sikla argjendi nuk ishin ndonjë pasuri e madhe. Ky ishte çmimi i një skllavi. Këtu do të mbetemi gjithmonë para një fshehtësie të lirisë njerëzore dhe të bashkëpunimit të tij me të keqin.

O Zot, nxënësi Yt të shiti me çmimin e skllavit. Ti e thirre edhe Judën si të gjithë nxënësit e tjerë. Ai dëgjoi çdo fjalë që the dhe pa çdo vepër që bëre. Prapëseprapë, në fund e zgjodhi rrugën tjetër. Përse? Përse edhe sot, në mesin e nxënësve të Tu, ka nga ata që e braktisin meshtarinë e vet, jetën rregulltare dhe e refuzojnë besimin? Çfarë fshihet në njeriun, o Zot, që të kthehet në anën e kundërt, që nga mik të shndërrohet në armik, nga besimtar të bëhet i pafe, nga meshtar në apostat? Përse është kaq shkatërruese liria dhe i keqi ka kaq shumë ndikim?

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?” 18 Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi”.

Zotëria ishte gati. Koha u afrua. Çdo gjë e kishte parashikuar. Kjo ishte Darka e fundit, Darka e përshëndetjes me nxënësit. Kjo Darkë kishte rëndësi të madhe. Atë natë, Jezusi i parashikoi të gjitha. Atë natë, Jezusi do të themelonte Eukaristinë dhe Rendin e meshtarisë. Të gjitha këto ishin të vendosura në traditën e gjatë të kremtimit të Pashkëve, të së kremtes së lirimit nga Egjipti. Kjo ishte e kremtja e madhe e popullit hebre, e kremtja që meritonte që Jezusi të themelonte në të dy Sakramente: Eukaristinë dhe Rendin meshtarak. Jezusi i mendoi të gjitha. Qartë, ai u mor vesh me një mik që t’ia lëshonte vendin ku dëshironte ta kremtonte Darkën e fundit, në të cilin do të kremtonte Pashkët dhe do të themelonte dy Sakramente kaq të rëndësishme për Kishën e ardhshme.

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve. 20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?”

Në kremtimin solemn, ndërsa po luteshin, këndonin dhe bisedonin. Nxënësit nuk mund t’u besonin veshëve të vet për ato çka thoshte Jezusi në mënyrë solemne gjatë darkës. Mësuesi i tyre, duke folur për tradhtinë, tha se tradhtari ishte në mesin e tyre. Ky ishte lajm i tmerrshëm. Të trishtuar, ata e panë njëri-tjetrin. Heshtja mbuloi vendin. Edhe pse ishin thellësisht të goditur dhe të trishtuar, ata filluan të reagonin disi në mënyrë të lirë. Në ato çaste dëgjohej pyetja që kalonte prej gojës në gojë: «A mos jam unë, Zotëri?» Edhe vetë Juda do ta bënte të njëjtën pyetje. Qartë, atij nuk i bënte më asgjë përshtypje. Ai e kishte vetëm një qëllim: të shkonte te kryepriftërinjtë që të merrej vesh përfundimisht për dorëzimin e Mësuesit.

A mos jam unë, Zotëri? Kjo është pyetja që nuk guxoj kurrë ta harroj. Kjo pyetje duhet të jehojë brenda meje gjatë Javës së Shenjtë. Fatkeqësisht, aq shpesh banon në mua shpirti i tradhtisë që realizohet në fjalët dhe në veprat e mia. Në çka më së shumti?

23 Ai iu përgjigj: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë.  24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

Jezusi ia dha kafshatën çdo nxënësi, shenjë miqësie. Aq më shumë kur bëhet fjalë për dhurimin e vetvetes në dukjen e bukës dhe të verës. Secili prej tyre, atë natë, për të parën herë, do të kungohej. Secili prej tyre, atë natë, do të pranonte detyrën që këtë gjë ta bënte vazhdimisht në përkujtimin e Tij. Kështu, ata do të bëheshin pjesëtarë të meshtarisë së Mësuesit të tyre. Edhe Juda e pranoi dhuratën, por jo edhe miqësinë. Ai tashmë e «dënoi» Mësuesin, por njëkohësisht edhe vetveten.

Kështu e përjashtoi veten nga bashkësia e Apostujve dhe nga detyra meshtarake. Jezusi ia tërhoqi vërejtjen, duke kujtuar tmerrin e tradhtisë: «Më mirë…  po të mos kishte lindur aspak!»

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?” “E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

Juda, në mënyrë të vetëdijshme, e pranoi përgjegjësinë për tradhtinë. Dora e Jezusit mbeti e shtrirë, pa e marrë një miqësi të re. A e pa Juda këtë dorë, që ta pranonte?

 


Current track

Title

Artist