MEDITIMI I DITËS – NGJARJET E JAVËS SË SHENJTË
Written by Radio Maria on April 8, 2017
Gjn 12, 1-11 NGJARJET E JAVËS SË SHENJTË
Kërkoj hirin që të kuptoj ngjarjet e Javës së Madhe dhe t’i pranoj misteret e tyre për vetvete.
1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri.
Kjo është java e fundit e veprimtarisë së Jezusit. Liturgjia këtë javë e quan “Java e Madhe”, ose “Java e Shenjtë”. Asnjë javë gjatë vitit nuk quhet kështu. Kjo javë është e madhe, sepse në këtë javë kanë ndodhur për ne ngjarjet e mëdha. Është e shenjtë sepse na paraqet lajmin e vdekjes së Birit të Hyjit dhe ngjalljen e Tij: fitoren e Tij mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. Shën Gjoni na e paraqet këtë gjë në mënyrë veçanërisht të frymëzuar dhe të përjetuar. Ai ishte i vetmi nxënës që qëndroi deri në fund me Mësuesin.
Jezusi shkoi në Betani te Lazri, të cilin e kishte ngjallur. Marta ishte e gjitha e përfshirë në shërbim të miqve. Ajo kishte dëshirë të madhe që ta priste gjithmonë mirë Jezusin. Por, tani, meqë ia kishte ngjallur vëllain, ajo donte që t’i bënte një pritje krejtësisht të veçantë. Ajo donte ta falënderonte konkretisht për të mirat që i mori. Dyert e shtëpisë së saj ishin gjithmonë të hapura për Jezusin. Ai kthehej më gëzim të madh në shtëpinë e Lazrit, sepse e ndjente se si e donin dhe si e pranonin. Në këtë shtëpi ndjehej mirë, ishte i lumtur dhe i kënaqur për shkak të Lazrit, Martës dhe Marisë.
3 Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit.
Maria e shprehu gëzimin dhe falënderimin e vet në një mënyrë krejt tjetër. Ajo ishte gjithmonë më e vëmendshme e më e kujdesshme se Marta ndaj Fjalës së Jezusit. Dinte të ulej aq shpesh te këmbët e Jezusit duke e dëgjuar, ndërkohë që Marta ishte plotësisht e zënë me punët e shtëpisë për ta pritur e nderuar si duhet Jezusin dhe nxënësit e Tij. Në një rast, Jezusi e qortoi se nuk duhej të kujdesej shumë se si duhej ta priste. Për shkak të nxitimit të madh dhe të kujdesit për pritjen e jashtme, asaj nuk i mbetej as vend e as kohë për ta dëgjuar fjalën e Tij, për t’u takuar dhe për të komunikuar me Të. Jezusit i pëlqente pikërisht kjo.
Edhe ne, në jetën tonë të përditshme, shumë herë kujdesemi se si do t’i presim miqtë dhe se çfarë do të gatuajmë për ta. Shumë herë përqendrohemi vetëm në këtë gjë e kështu nuk rrimë aspak me miqtë tanë. Përveç mikpritjes së jashtme, ekziston edhe mikpritja shpirtërore, e brendshme. Dera e shtëpisë ose e dhomës tonë mund edhe të jetë e hapur, mirëpo për shkak të nxitimit dhe të punës së madhe, dera e brendisë sonë mbetet e mbyllur.
Na duhet ta sodisim këtë ngjarje, ku shohim se si Maria e pret dhe e nderon Jezusin. Mirësia e saj është mirësi që bëhet pa kursim, ndërsa butësia e saj është e pakufishme dhe e jashtëzakonshme. Parfumi ishte tepër i shtrenjtë. Maria nuk e ruajti, por me të ia leu këmbët Jezusit. Ai e lejoi, që kështu ajo ta tregonte dashurinë dhe nderimin që e ka për Të. Sigurisht, ajo i ka befasuar shumë prej të pranishmëve me sjelljen e saj. Juda e qortoi për shkak të shpenzimit të madh.
4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 5 “Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.
Juda e llogariti shumë shpejt çmimin e parfumit. Treqind denarë ishin vërtet shumë që të harxhoheshin në këtë mënyrë. Ky parfum vlente sa paga e një punëtori gjatë një viti, prandaj a do të duhej të harxhohej disi ndryshe? Në një botë me kaq shumë të varfër, sa e sa njerëz do të mund të përfitonin nga kjo bamirësi po të shitej ky parfum. Vërejtja e Judës ishte me vend dhe meditimi i tij ishte bamirës. Çdo gjë do të ishte mirë, sikur Juda të kishte qenë i sinqertë. Mirëpo, ai i kishte fshehtësitë e veta, për shkak të të cilave, vetëm në mënyrë sipërfaqësore, u hidhërua me arsye. Juda e dinte, se, prej këtij fitimi, ai vetë do të përfitonte më së shumti, sepse duke vjedhur, ai merrte nga arka e përbashkët. Prandaj, në përgjigje, Jezusi ishte serioz dhe lajkatar.
7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 8 Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë”.
Javën e fundit të jetës së vet tokësore, Jezusi e pa çdo gjë nën dritën e ngjarjeve më të rëndësishme që do të ndodhnin në Të. Ky gjest i Marisë e pati vlerën e Pashkëve. Ajo bëri tani atë gjë që do të duhej të bëhej të Premten e Madhe, por që nuk do të ishte e mundur. Për këtë arsye, lyerja e këmbëve të Jezusit, me këtë rast, ishte shenja e varrimit dhe e ngjalljes së Tij. Maria, edhe në atë gjë që do të ndodhte, ishte e lidhur me Jezusin vetëm me dashurinë e saj të pafundme. Jezusi e mendonte këtë gjë dhe ishte i kënaqur që dikush shkonte pas Tij edhe në këtë gjë.
Ka gjeste që kanë vlerë të përjetshme e të cilat mund t’i bëjmë vetëm një herë në jetë. Janë të lumtur vetëm ata që ia dalin t’i bëjnë. Maria ishte e tillë. Me intuitë dhe inteligjencë të zemrës, ajo u ngrit mbi vlerën materiale, mbi mendësinë e kohës. Prandaj, ajo qe në gjendje që ta nderonte dhe ta falënderonte Jezusin në këtë lloj mënyre.
9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin, 11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.
Urrejtja është e verbër. Edhe Lazri ishte në rrezik. Të gjithë ata që e pranojnë Jezusin, pranojnë dhe ndajnë me të fatin e jetës së Tij.