MEDITIMI I DITËS – PRANIMI

Written by on April 7, 2017

Gjn 11, 45-56 PRANIMI

 

Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin dhe ta pranoj edhe kur të tjerët rreth meje as nuk besojnë në të, as nuk e pranojnë.

 

45 Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të. 46 Disa prej tyre shkuan te farisenjtë dhe u treguan çka bëri Jezusi.

Jezusi ishte në mesin e miqve të vet në Betani. Pasi e ngjalli Lazrin, shumë vetë besuan në Të. Farisenjtë u njoftuan për gjithçka. Gjithmonë dhe gjithkund gjendeshin ata që e «dëgjonin» Jezusin sipas porosisë dhe detyrës, në mënyrë që çka dëgjonin ta përcillnin tek ata që i kishin detyruar dhe paguar për ta bërë këtë punë. Kështu ka ndodhur edhe pas Jezusit, gjatë gjithë historisë njerëzore, deri në ditët tona. Sa shumë njerëz, për shkak të këtyre «dëgjuesve të zellshëm», qenë arrestuar dhe ndëshkuar me vdekje. Sa shumë njerëz, për shkak të këtyre dëgjuesve që «shikonin dhe shkruanin», qenë detyruar që të luteshin, të flisnin për fenë dhe Hyjin, të kërkonin Meshën, të kurorëzoheshin e t’i pagëzonin fëmijët në fshehtësinë më të madhe, me qëllim që ta ruanin punën dhe jetën.

47 Atëherë kryepriftërinjtë dhe farisenjtë thirrën Këshillin në kuvend. Thoshin: “Çka të bëjmë? Ky njeri po bën shumë mrekulli! 48 Nëse e lëmë kështu, të gjithë do të besojnë në të, atëherë do të vijnë romakët e do të na e rrënojnë Vendin e shenjtë dhe …”.

Armiqësia e arriti kulmin. Pas pak do të ndodhte ngjarja dramatike. Këshilli po punonte me nxitim. Mirëpo, çfarë duhet të bënin? Asgjë nuk ishte e thjeshtë. Kishin dy arsye që nuk i linin aspak të qetë e që mjaftonin për dënimin e Tij. Të gjithë do të besonin në Jezusin, nëse nuk e ndalnin. Pastaj, do të vinin romakët dhe do t’ua merrnin tokën dhe popullin. Çfarë do të bënin ata atëherë? As që kishin guxim të mendonin për këtë gjë.

O Zot, kundërshtarët e Tu ishin të sinqertë, por ishin aq mendjemëdhenj në gjykimet e veta. Pranuan se të gjithë do të besonin në Ty, nëse të lejonin që Ti të veproje dhe të flisje krejtësisht lirshëm. Njerëzit e ndjenin se ku ishte e vërteta dhe se kush ishte ai që u thoshte të vërtetën. Prandaj, ata të dëgjuan dhe të pranuan. Askush, deri atëherë, nuk u foli si Ti. Më ndihmo, o Zot, që së paku ta dëgjoj më me kujdes fjalën Tënde. Ajo le të më nxisë dhe të më lëvizë nga e përditshmja dhe mbyllja ime.

49 Njëri prej tyre, Kajfa ‑ kryeprifti i atij viti ‑ u tha: “Ju s’po dini asgjë! 50 Nuk mendoni se është më mirë për ju të vdesë vetëm një njeri për popull, se të mbarojë krejt populli!”

Ja kuptimi i llogarisë që bën zemra e keqe. Ja kuptimi i të keqes që bëri kryeprifti. Një për të gjithë! Kështu ishte më mirë dhe shumë më thjesht. Kështu zgjidheshin të gjitha problemet dhe çdo gjë shkonte në vendin e vet. Kajfa, vërtet, nuk e dinte aspak se si kryeprift e kishte thënë të vërtetën e madhe. Ai ishte më i ftuari për të folur në këshill. E vërtet, edhe pse nuk e dinte, ai e tha të vërtetën se si kryhej plani i Hyjit. Ky është paradoksi i drejtimit të Hyjit, që ne aq shpesh e harrojmë. Ja, edhe këtu në këshill, në bashkimin e kundërshtarëve më të mëdhenj të Jezusit, u krye plani i Hyjit.

Më ndihmo, o Zot, ta kuptoj se Ti më drejton në kthesat e mia jetësore, në të cilat nuk e shikoj qartë drejtimin tim, dhe bëj që të besoj se të gjitha do të jenë për të mirë. Më ndihmo që, me besim të plotë, t’i dorëzohem krejtësisht drejtimit Tënd.

51 Nuk i tha këto fjalë prej vetvetes, por, pse ishte kryeprifti i atij viti ‑ profetizoi se Jezusi do të vdiste për popull. 52 Madje, jo vetëm për popull, por edhe që bijtë e Hyjit të shpërndarë t’i bashkojë në një. 53 Po atë ditë vendosën ta vrasin.

Kjo ishte profecia e madhe që bëri Kajfa. O Zot, Ti do të vdisje jo vetëm për popullin tënd, por edhe për të gjithë ne që jemi të shpërndarë jashtë atdheut tënd. Kjo ishte fshehtësia e vdekjes Tënde. Për këtë gjë ia flijove jetën tënde si fli Atit. Flija qe pranuar. Vendimin e solli këshilli. Ti deshe që të na bashkosh të gjithëve në një, që të jemi një familje e madhe. Të gjithë ne e mbartim këtë dëshirë në vetvete, por fuqitë e të keqit dhe të errësirës na ndajnë ende mes nesh dhe sërish jemi të shpërndarë. Mirëpo, është e sigurt se do të jemi një familje e madhe rreth Atit, së bashku me Ty dhe me Shpirtin Shenjt. Këtë gjë e meritoi flijimi Yt. Edhe pse neve na ndan ende racizmi, nacionalizmi, padrejtësia, ndarja e të mirave, dhunimet ndër më të ndryshmet, ne prapëseprapë besojmë se do të jemi një familje e vetme. Për këtë gjë duhet të punojmë vazhdimisht. Ti i flijove të gjitha dhe na e dhe shembullin. Secili prej nesh le ta bëjë pjesën e vet aq sa mundet dhe aq sa varet prej tij, aty ku jeton dhe vepron.

54 Për këtë arsye Jezusi nuk dilte më botërisht ndër judenj, por shkoi prej andej në një vend afër shkretëtirës, në qytetin që quhet Efraim dhe aty banoi për disa kohë bashkë me nxënësit. 55 Ishin afër Pashkët e judenjve. Shumë vetë nga ai vend u ngjitën në Jerusalem para Pashkëve për t’u pastruar. 56 E kërkonin Jezusin dhe, ndërsa qëndronin në Tempull, i thoshin njëri‑tjetrit: “Çka ju thotë mendja: a thua ai nuk ka ndërmend të vijë për Festë?”

Ende nuk kishte ardhur ora. Nuk ishte e nevojshme të rrezikohej pa arsye. O Zot, Ti kishe për t’u thënë gjëra shumë të rëndësishme nxënësve të Tu. Prandaj, u tërhoqe me ta në vetmi. Ata nuk e kuptonin ende se si po mbyllej plotësisht rrethi. As Ti nuk i ngarkove. Edhe ashtu, ata nuk i kuptonin ende kryqin dhe mundimet, për të cilat Ti u kishe folur më përpara. Ishe vetëm, o Zot, dhe askush prej njerëzve nuk mund të të ndihmonte, sepse nuk munde ta bashkëndaje me askënd atë çfarë po e përjetoje përbrenda.

 


Current track

Title

Artist