MEDITIMI I DITËS – TË DUA MË SHUMË
Written by Radio Maria on April 6, 2017
Gjn 10, 31-42 TË DUA MË SHUMË
Kërkoj hirin që të besoj se Jezusi Zot u bë njeri për të na shëlbuar dhe që ta dua gjithnjë e më shumë.
31 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë. 32 Jezusi iu përgjigj: “Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?”
Jemi shumë afër Javës së Madhe dhe ngjarjeve dramatike që ndodhën gjatë kësaj jave. Jezusi e përjetonte në brendi mundimin. Kundërshtarët tashmë e tregonin hapur armiqësinë ndaj Tij dhe i kërcënoheshin. Përsëri i kishin gurët në dorë dhe ishin të gatshëm t’i hidhnin mbi Jezusin, edhe pse, kudo që kalonte, bënte mirë. Prapëseprapë, krerët e popullit e kundërshtonin, e refuzonin dhe e nënçmonin.
O Zot, mundohem ta përjetoj atë ndjenjë që e pate brenda vetes. Ti erdhe për të na shpëtuar. Kalove nëpër tokë, duke e luftuar të keqen që po e shkatërronte njeriun. E zbulove të keqin si armik të njeriut që nga fillimi. Pas të gjithave, krerët e popullit të kundërshtuan, të gjykuan dhe të refuzuan. Pak para arrestimit dhe mundimeve, Ti e përjetove trishtimin dhe refuzimin e moskuptimit. I bëre të gjitha që njerëzit ta kuptonin se përse erdhe, mirëpo e përjetove moskuptimin dhe refuzimin. Ti e di çfarë do të thotë që të mos të të pranojnë dhe të të refuzojnë. Ti e di çka do të thotë moskuptimi i njerëzve, edhe pse pikërisht atyre ua ofron të mirën dhe dëshiron që t’i shpëtosh. Edhe sot, shumë njerëz, o Zot, janë të nëpërkëmbur dhe të papranuar, vetëm sepse e shpallin vlerën që e ka themelin në Ungjill. Njerëzit, edhe sot, i refuzojnë veprat dhe fjalët e atyre që flasin për flijimin dhe vetëmohimin në jetë. Zhurma e propagandës ia zë frymën zërit të atyre që thërrasin për pjekuri, përmbajtje dhe pastërti. Po të lutem për ata që të mos i ndërpresin përpjekjet e tyre. Le t’i mbështesë besimi se Ti je pranë tyre dhe se Ti, i pari, e ke kaluar këtë rrugë. Rrugë tjetër nuk ka për ta, por bëj që në këtë rrugë as të mos ndalen e as të mos i humbin forcat.
33 Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”
Këtu është qendra e problemit dhe e moskuptimit, që ia bënë Jezusit bashkëkohësit e Tij. Në një farë mënyre, ata i pranonin veprat e Tij të mira, por nuk i besonin fjalës së Tij dhe kështu i refuzuan edhe veprat, duke i konsideruar ato si të pabesueshme. Këtu mori në thua dhe u thye feja e tyre: kush ishte Jezusi, profet i thjeshtë, njeri i jashtëzakonshëm apo diçka më shumë? Ai për ta nuk ishte asgjë tjetër përveçse një njeri i thjeshtë. Çdo gjë jashtë kësaj ishte shkandull, nënçmim, një gjë që meritonte ndëshkimin. Çfarëdo arsyeje që të jepte Jezusi, ata nuk do ta pranonin. Nuk ndihmonte asnjë argument i citimit të Shkrimeve. Krerët e popullit tashmë e sollën gjykimin për Jezusin dhe vetëm kërkohej rasti i volitshëm që ta gjykonin zyrtarisht.
O Zot, si e ndjeje veten në takimet me ata njerëz që e kishin zemrën e mbyllur! Derisa Ti flisje për mirësinë e Atit të mirë, ata i morën gurët në duar për të të vrarë. Jo, nuk mund ta pranonin se Hyji kishte ardhur në mesin e tyre, se kishte kaluar nëpër fshatrat dhe qytetet e tyre, se ishte lodhur dhe etur, se ishte ulur në tryezë me mëkatarët dhe se në mesin e nxënësve kishte tagrambledhës dhe zelotë (mbajtës të thikës). Të gjitha këto ishin shkandull për ta, ashtu si edhe mësimi Yt i qartë për prejardhjen tënde.
34 Jezusi iu përgjigj: “A nuk shkruan në Ligjin tuaj: ‘Unë thashë: hyjni jeni?’ 35 Nëse i quajti hyjni ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Hyjit ‑ e Shkrimi Shenjt nuk mund të zhbëhet ‑ 36 si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi dhe e dërgoi në botë, mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’ pse thashë: Jam Biri i Hyjit? 37 Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim, mos më besoni. 38 Por nëse i bëj, po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që ta merrni vesh e ta kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin”.
Jezusi u përpoq përsëri që t’u ndihmonte të besonin. Nuk dëshironte ta bënte këtë gjë në çdo mënyrë, sidomos jo në mënyrë të dhunshme. I paraqiti fjalët dhe veprat e veta. Foli qartë se ata i kishin para syve veprat që i bëri. Nuk kishte asnjë fshehtësi, kurrfarë magjie, kurrfarë mbushmendjeje, as gënjeshtra. Në të gjitha këto e nderonte lirinë që Ati i tij ia kishte dhënë njeriut. Mirëpo, pikërisht këtu fillonte përgjegjësia e njeriut për fjalët dhe veprat e tij. Tani Jezusi ishte në atë pjesë ku nuk mund të hynte pa lejen e njeriut.
O Zot, më jep që ta kuptoj lirinë si dhuratë me anë të së cilës e realizoj personalitetin tim e jo si një mundësi për ta përdorur atë në mënyrë të papërgjegjshme dhe të papjekur. Liria nuk është shenjë që më tregon se mund të bëj gjithçka, por mundësi që tregon se gjithçka, që e bëj, e kryej me përgjegjësi dhe me dashuri.
39 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve. 40 Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje. 41 Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua”. 42 Atje besuan shumë në të.
Pasiqë nuk kishin më asnjë argument, ata përdorën pushtetin dhe forcën; atëherë, ishin të gatshëm që të vepronin dhunshëm. Njeriu që ka pushtetin, por nuk ka argumente, sillet në këtë mënyrë. Për këtë arsye, fatkeqësisht, në botë ka kaq shumë padrejtësi dhe dhunë. Nuk ishte aspak më mirë as në kohën Tënde, o Zot. Historia vetëm përsëritet, ndërsa ne mësojmë kaq pak. Të falënderoj që gjithmonë, në fjalën Tënde, e gjejmë mundësinë për t’i përmirësuar veprat dhe fjalët tona. Na ndihmo që të meditojmë për këtë Fjalë dhe bëj që ajo të na tregojë udhën gjatë ecjes sonë, le ta frymëzojë mësimin dhe ta nxisë veprimin tonë.