MEDITIMI I DITËS – TË JETOSH PËRGJITHMONË

Written by on April 5, 2017

Gjn 8, 51-59 TË JETOSH PËRGJITHMONË

 

Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin që korri fitore mbi mëkatin dhe vdekjen.

 

51 “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen”.

Vërtet, askush nuk foli si Jezusi! Ai erdhi të fitonte mbi atë gjë që korri fitore mbi njeriun. Erdhi për të shkatërruar atë gjë që e shkatërronte njeriun: mëkatin dhe vdekjen. Prandaj, Ai e predikoi Lajmin e Gëzueshëm, të cilin njeriu nuk e kishte dëgjuar deri atëherë. Askush, përveç Jezusit, nuk ka pasur mundësi e as nuk ka mundësi që t’i ofrojë dhe t’i premtojë njeriut se do të jetojë përgjithmonë, se vdekja do të mposhtet. Këtë gjë njeriu e donte dhe përpiqej që ta kishte gjithmonë. Edhe sot shohim njeriun që bën përpjekje në luftën kundër sëmundjes, që dëshiron ta zgjasë sado pak jetën e vet. Njeriu e ka në vetvete dëshirën e amshimit dhe frikën nga vdekja. Jezusi e ka plotësuar këtë dëshirë dhe e solli trimërinë përballë takimit me vdekjen.

O Zot, të falënderoj që na e solle këtë Lajm të Gëzueshëm për fitoren mbi mëkatin dhe vdekjen. Të falënderoj që vetë pranove ta «përjetosh» realitetin e vdekjes dhe kështu tregove se kjo është rruga për në jetën e pasosur. Na duhet të ushqehemi me fjalën Tënde, që ta kemi guximin për të luftuar kundër mëkatit dhe të takohemi me vdekjen. Bashkëkohësve të tu u fole haptas për këtë gjë, por ata nuk e pranuan fjalën Tënde. Ua the të vërtetën, por ata e refuzuan. Bëj që të mos iu përngjajmë! Dëshirojmë të të pranojmë si Jetë. Vetëm afër Teje mund të fitojmë mbi vdekjen. Bëj që këtu, sipas fjalës Tënde, ta jetoj plotësinë e kësaj jete kalimtare.

[Atëherë] judenjtë i thanë: “Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’ 53 A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”

O Zot, as nxënësit e tu nuk e kuptuan mirë bisedën tënde për ngjalljen dhe për fitoren mbi vdekjen. Nuk çuditemi që bashkëkohësit e tu të pyesnin: «Kush mendon se je?» Qartë, ata e kuptuan se mësimi yt e tejkalonte kornizën e mësimit njerëzor. Kështu mund të fliste vetëm Zotëruesi i jetës dhe i vdekjes. Por, ata nuk deshën të të pranonin si të tillë, as të thoshin se Ti e ke Shpirtin e Hyjit. Gjykonin çdo gjest që bëje, çdo fjalë që thoshe dhe të gjitha dëshironin t’ia vishnin shpirtit të keq.

Edhe sot, njerëzit i mundon problemi i vdekjes dhe i jetës së pasosur. Edhe sot, njerëzit kërkojnë zgjidhje në rimishërim, nirvanë dhe në ligjin e «harmanit», me të cilin dëshirojnë ta zgjidhin problemin e drejtësisë dhe të padrejtësisë në botë. Ti e solle një përgjigje që ndryshon nga të gjitha përgjigjet që u munduan ta zgjidhnin fshehtësinë e vdekjes dhe të jetës pas kësaj jete. Ti na mësove se dashuria e Atit Tënd, që të dërgoi mes nesh, është pengu i pavdekësisë tonë. Ti na e solle thirrjen e Tij në pavdekësi. Forcoje fenë tonë që të të pranojmë si themel të vërtetë të jetës sonë, si Jetë të jetës tonë. Na ndihmo që me guxim të shkojmë drejt kësaj fshehtësie, që për ne do të mbetet gjithmonë fshehtësi, por nuk është diçka e paqartë, e mjegulluar, për të cilën do të ishte më së miri që të heshtnim. Të falënderoj që na flet qartë se kemi lindur për të vdekur, por jo për t’u zhdukur, siç zhduket pika e shiut në det. Na ndihmo që ta ruajmë besimin në Ty që do të na udhëheqësh nëpër tunelin e vdekjes për të na shpënë në dritën e jetës së pasosur.

54 Jezusi u përgjigj: “Nëse unë e lavdëroj vetveten, lavdi im është asgjë; ka kush më lavdëron ‑ im Atë, për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’, 55 por ju nuk e njohët, përkundrazi unë e njoh. Po t’ju thoja se nuk e njoh, do të isha gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e mbaj fjalën e tij. 56 Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time. E pa dhe u gëzua”. 57 Atëherë judenjtë i thanë: “Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”

Jezusi mundi të fliste kështu për shkak të bashkimit të thellë që kishte me Atin. Çdo gjë që fliste dhe bënte ishte në lavdinë e Atit të tij. Për çdo gjë që thoshte, Ai kishte sigurinë e gjithëpushtetësisë së Atit që e kishte dërguar. Për këtë arsye, Ai e paraqiti me guxim të vërtetën, edhe pse njerëzit e pranonin me vështirësi. Mospranimi i asaj që thoshte, ishte shenja më e mirë që tregonte se sa pak besonin dhe e njihnin Atin e Tij, për të cilin thoshin se ishte Hyji i tyre. Dija e pakët për Hyjin, të cilën ata e absolutizonin, ishte pengesa më e madhe për pranimin e Lajmit të Gëzueshëm që e shpalli Jezusi.

58 Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!” 59 Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur, por Jezusi u fsheh dhe doli prej Tempullit.

Jezusi shkoi edhe më tutje në shpjegimin e vet, nuk u tërhoq. E vërteta duhej thënë deri në fund. Ai e bëri këtë gjë me shumë guxim dhe në mënyrë të qartë. Njeriu mund ta pranojë ose ta refuzojë; rrugë tjetër nuk ka. Dëgjuesit, atë ditë në Tempull, e refuzuan dhe me këtë gjë e ndërprenë dialogun. Mirëpo, kjo nuk iu mjaftoi. Meqenëse nuk patën ndonjë argument tjetër, zgjodhën argumentin që tregon paaftësinë e fjalës dhe të mendjes, që tregon të drejtën e të fortit, të fuqishmit dhe të egrit. Morën gurët në dorë. Këto ishin argumentet e tyre.

O Zot, Ty t’u desh të largoheshe fshehtas nga Tempulli, sepse deshën që të të vrisnin me gurë. Më ndihmo që të mund ta dëgjoj tjetrin, edhe atëherë kur ai nuk pajtohet me mua. Më ndihmo që të mos mendoj se vetëm unë kam të drejtë. Më ndihmo që të mundohem të hyj në atë gjë që tjetri dëshiron të ma thotë dhe së bashku me të ta kërkojmë zgjidhjen e problemeve që dalin para nesh.

 


Current track

Title

Artist