MEDITIMI I DITËS – ROBËRIMET E MIA
Written by Radio Maria on April 4, 2017
Gjn 8, 31-42 ROBËRIMET E MIA
Kërkoj hirin që të njoh robërimet e mia të brendshme, me qëllim që të lirohem prej tyre.
31 Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të: “Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi; 32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.” 33 Ata iu përgjigjën: “Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’”
Si të bëhem nxënës i Jezusit? Jezusi përgjigjet: ‘duke e dëgjuar dhe duke e zbatuar fjalën time’. Nxënësi, përpara mësuesit të vet, së pari i ka veshët e hapur, pastaj e dëgjon fjalën e Tij me dashuri. O Zot, hapi veshët e mi për ta dëgjuar fjalën Tënde. Bëj që ta dëgjoj dhe ta pranoj atë me dashuri.
Në këtë mënyrë, e arrijmë të vërtetën që na bën të lirë. Të mbetemi në Fjalën e Jezusit do të thotë që ta përputhim jetën tonë me Fjalën e Tij, por jo si robër, me detyrim dhe trishtueshëm. Por, këtë gjë e bëj me ato mundësi që kam, në atë vend ku jam, në mesin e atyre njerëzve me të cilët jetoj. Jezusi nuk kërkon që të shkoj në ndonjë vend tjetër, nuk kërkon që të iki nga vetvetja dhe nga detyrat e mia. Gjithashtu, Ai nuk do që t’i pres kushtet ideale për ta dëgjuar fjalën e Tij. Këtë gjë e bëj në të përditshmen time, nga dita në ditë, në mesin e papërqendrimeve të mia, punëve dhe detyrave që kam. Fjala e Tij më ndihmon që punën time ta kuptoj seriozisht, më ndihmon që thirrjen time ta kryej në mënyrë të denjë. Atëherë e përjetoj se kjo gjë më bën të lirë, që të jem në shërbim të Hyjit dhe të të afërmve.
O Zot, në dritën e fjalës Tënde e njoh të vërtetën time. Kështu shoh sa gjëra ma marrin frymën dhe më robërojnë. Kështu bëhem i vetëdijshëm se prej sa e sa gjërave më duhet të lirohem, sepse më pengojnë që të jetoj në liri të vërtetë, të cilën vetëm Ti mund ta japësh. Më ndihmo që të lirohem prej çdo gjëje, që kërkon të më zotërojë përmes kënaqësisë së çastit. Më ndihmo që të jem i lirë.
34 Jezusi u përgjigj: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: kushdo bën mëkat është skllav (i mëkatit). 35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi, ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi”.
Jezusi tregon se çfarë e robëron njeriun në të vërtetë. Njeriut nuk ia marrin liritë vetëm prangat në duar ose dyert e burgut. Ekziston diçka tjetër që e robëron njeriun, por ai këtë gjë në asnjë mënyrë nuk dëshiron ta pranojë. Edhe pse fizikisht është i lirë, edhe pse kalon nëpër botë dhe flet në të katër anët për demokraci, shkruan parulla dhe organizon demonstrata për liri, bën bashkime në të cilat flitet për liritë dhe të drejtat njerëzore, prapëseprapë përbrenda është i robëruar dhe në pranga. Shumë herë, pikërisht në burgje gjenden njerëzit më të lirë që i ka kjo tokë, edhe pse lëvizjet i kanë të kufizuara. Kështu ishin të gjithë Shërbëtorët e Hyjit. E sa njerëz kalojnë në të djathtën e në të majtën tonë nëpër rrugët tona, sa shohim e dëgjojmë në ekranet tona, e të gjithë janë plotësisht të robëruar!
A e kam përvojën e robërisë së brendshme? A e kam unë përvojën e mëkatit? Shën Pali e përjeton dhimbshëm këtë gjë: “Nuk bëj çfarë dua, por çfarë nuk dua, e bëj të keqen që nuk e dua” (krh. Rom 7, 15. 19). Kjo është robëria për të cilën flet Jezusi. Të jetosh në mëkat, do të thotë të jesh si skllavi në shtëpinë e Atit. Ai do që të jemi bij, që të jemi të lirë dhe t’i gëzojmë të gjitha të drejtat që i përkasin birit, që është i lirë. Çfarë më robëron në jetën time personale dhe në profesionin tim? Lute Zotin që të të lirojë, që të jetosh në lirinë e plotë të fëmijës së Hyjit.
36 “Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë, me të vërtetë do të jeni të lirë. 37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit, e megjithatë kërkoni të më vritni, sepse fjala nuk gjen vend në ju. 38 Unë flas çka pashë tek Ati e ju bëni çka dëgjuat prej atit [tuaj].” 39 Ata iu përgjigjën: “Ati ynë është Abrahami.” Jezusi u tha: “Po të ishit bijtë e Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit! 40 Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua, që ju fola të vërtetën, që e dëgjova prej Hyjit. Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë. 41 Ju bëni veprat e babait tuaj.” [Atëherë] i thanë: “Ne s’kemi lindur nga fëlligështia ‑ kemi vetëm një baba – Hyjin”.
Vetëm një person mund të na lirojë: Jezusi. Për këtë gjë edhe erdhi. Ai u bë skllavi ynë që të na dhuronte lirinë e vërtetë. Ai na udhëheq në shtëpinë e Atit. Nëpër Të bëhemi pjesëtarë të familjes së Hyjit. Kur fjala e Hyjit nuk ka vend në brendinë time, kjo do të thotë se përbrenda jam i mbushur me diçka tjetër. Në qoftë se në të është venitur dëshira për ta dëgjuar fjalën e Hyjit, kjo do të thotë se jam i vdekur shpirtërisht. A kam guxim që të ndalem dhe të dëgjoj çfarë kërkon Hyji prej meje? A kanë vërtet vlerë dhe rëndësi të madhe të gjitha gjërat që bëj? A dëshiroj ta pranoj se unë nuk e jetoj jetën e plotë, por në të vërtetë e jetoj një jetë gjysmake? Kreshmët janë kohë e përshtatshme për ta ngritur shikimin drejt Zotit dhe në dritën e Tij t’i dalloj përmasat e lirisë së vërtetë. Më ndihmo, o Zot, që bashkë me Ty t’i këpus zinxhirët dhe prangat e robërisë që më burgosën kaq shumë!
42 Jezusi iu përgjigj: “Po ta kishit Hyjin Atë, do të më donit edhe mua, sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha; nuk erdha prej vetvetes, por Ai më dërgoi”.
Po të ishte Hyji Ati im, atëherë të gjithë do të më njihnin sipas një shenje të veçantë, sipas shenjës së dashurisë. Të jesh i Hyjit, do të thotë ta duash Jezusin. Ai kërkon që dashurinë ndaj Tij dhe vetes ta lidhësh me dashurinë për të afërmin dhe për të gjithë njerëzit.
O Hyj, unë them se Ti je Ati im! Dua të jem fëmija Yt së bashku me njerëzit e tjerë. Të falënderoj që na e dhurove Birin tënd, i cili na e mëson dashurinë, jetën dhe lirinë e vërtetë. Dëshiroj që çdo gjë në mua dhe rreth meje të më ndihmojë që të njoh ty sa më mirë dhe të dua. Më ndihmo që të përdor çdo gjë që më ndihmon për ta arritur qëllimin që ma ke vënë përpara, por më ndihmo që të di edhe që të lirohem prej të gjitha gjërave që më pengojnë në dashurinë ndaj Teje dhe ndaj të afërmit.