Shenjti i ditës: 3 Prill – Shën Rikardi, ipeshkëv i Kikester (1197 – 1253)
Written by Radio Maria on April 1, 2017
Shenjti i ditës: 3 Prill – Shën Rikardi, ipeshkëv i Kikester (1197 – 1253)
Ipeshkvit të shenjtë anglez, mbreti Henriku VIII deshi t’ia humbiste edhe relikët, të ruajtura deri në vitin 1538 pas elterit të madh të katedrales së Kikester. Shenjtit sa ishte gjallë iu desh të duronte edhe fyerje të tjera nga një tjetër mbret, Henriku III, i cili e kishte kundërshtuar në mënyrë këmbëngulëse zgjedhjen e tij, e meqenëse nuk ia arriti, i konfiskoi të gjitha pasuritë e dioqezës duke e detyruar ipeshkvin e ri, të propozuar nga kleri dhe të shuguruar në Lion nga Inoçenci IV, t’i kërkonte mikpritje një famullitari në fshat, të shkonte në këmbë për vizitat baritore dhe ta fitonte bukën me punën në fusha, pas parmendave ose karrocave. Ndoshta për këtë nderohet si pajtor i karrocierëve. Duart e tij ishin mësuar që në rini me punën e rëndë në fermë. Vetëm më vonë pati mundësi të ndiqte universitetin e Oksfordit nën drejtimin e Edmond Rich. Pas Oksfordit, Rikardi ndoqi universitet e Parisit dhe të Bolonjës. Mësuesi i vjetër, i emëruar ipeshkëv i Kanterbury, e deshi pranë vetes si ministër dhe në këtë detyrë ai arriti të jepte një ndihmë të vlefshme duke kundërshtuar ndërhyrjen e padrejtë të mbretit. Duke vdekur, Edmondi ipeshkëv, i la si trashëgimi një kupë, që do të bëhet emblema e shën Rikardit. Thuhet, se gjatë kremtimit të meshës kelku i ra nga duart por trajtat e shenjta nuk u derdhën. Pas vdekjes së mikut ipeshkëv, Rikardi vendosi të bëhej meshtar. Pasi përfundoi studimet pranë domenikanëve të Orlean, u kthye në Angli dhe punoi si famullitar i thjeshtë në Klering dhe në Deal në Kent. Ipeshkvi i ri i Kantebury, Bonifaci i Savojës, e thirri në detyrën e vjetër të ministrit. Bonifaci, të cilin anglezët nuk e pëlqenin, pas pak kohësh dha dorëheqjen dhe u tërhoq në vendin e lindjes në Savojë. Mbreti propozoi në vend të tij Paselevin, i cili ishte një administrator i mirë por me pak njohuri në teologji; kleri zgjodhi Rikardin dhe papës iu desh ta kërcënonte Henrikun e III me mallkim në mënyrë që ta pranonte emërimin e tij dhe t’ia kthente pasuritë e konfiskuara. Ipeshkvi i shenjtë vdiq në Dover, ku kishte shkuar për një mision popullor.