MEDITIMI I DITËS – UNË JAM RINGJALLJA DHE JETA

Written by on March 31, 2017

Gjn 11, 1 – 45 UNË JAM RINGJALLJA DHE JETA

 

Kërkoj hirin: që të besoj se ti, Jezus je ringjallja ime dhe jeta.

 

O Zot, ti mjaftohesh të të thuhet: “Ai që e do është i sëmurë” dhe ti e di se çfarë duhet bërë. Është i sëmurë ai për të cilin ke ardhur në këtë tokë; është i sëmurë ai që e meriton dashurinë dhe kujdesin tënd. Ti i vetmi, o Jezus, e njeh natyrën dhe fshehtësinë e secilës sëmundje, të secilës dobësi.

Sikur Marta dhe Maria, o Jezus, edhe ne të çojmë fjalë: “Eja sepse jemi të sëmurë, janë të sëmur ata të cilët ne i duam, ata që përbëjnë jetën tonë e të cilët dëshirojmë t’i kemi në jetë. Na fal, o Jezus, që shumë shpesh harrojmë se ti i do shumë më shumë se ne, sepse këta janë ata të cilët ti i do pafundësisht, se këta janë ata që ti i do shumë më shumë se ne dimë të duam, sepse, ti, o Jezus, je burimi i secilës dashuri. Ti do më së miri.

Lazri në sëmundjen e tij vdiq, dhe ti, Jezus nuk je afër tij. Nuk erdhe menjëherë kur motrat të thirren. Marta dhe Maria menduan se tani përfundoj gjithçka, sepse ti nuk u përgjigje menjëherë, e tani është vonë. Nuk e dëgjove ofshamën e tyre për Lazrin që ishte para vdekjes e tani pushon katër ditë në varr. Ai që ti e do, o Jezus, është i vdekur, tashmë e kanë varrosur. Marta dhe Maria mendojnë se tani nuk ka kuptim të mundohesh kot. Përfundoj gjithçka.

Porosia jote është: “Do të ngjallet vëllai yt!”

O po ta kisha besimin në ngjalljen tënde, fenë dhe pushtetin e dashurisë sate! O po të kishim mundësi për të besuar në fuqinë e fjalës sate, në pushtetin jetës së re sipas Shpirtit tënd! O po t’i besonim pushtetit që lëviz eshtrat e thara dhe i shndërron në ushtri, shumë, shumë të madhe!

Jezus, shumë shpesh na befason sëmundja dhe vdekja. Shumë herë të pafuqishëm shikojmë të dashurit tonë se si vdesin, se si zhdukën, se si vuajnë, e ne nuk kemi aftësi të bëjmë asgjë. Shumë shpesh jemi të pështjelluar dhe të pafuqishëm në dashurinë tonë. Jezus, e kemi të vështirë dhe ndalemi para vuajtjes dhe vdekjes tonë. Të gjitha këto i tejkalojnë fuqitë tona. Është i sëmurë ai që do. Na ndihmo që me anë të fesë të mbështetemi në pushtetin e dashurisë sate. Hiqe, o Jezus, prej nesh pesimizmin, dëshpërimin, çdo gjendje të dëshpëruar dhe mendimin e gabuar se s’mund të bëjmë asgjë. Na jep fuqi që të braktisemi në ty dhe të njohim ty si ringjallje dhe si jetë.

Të falënderoj, o Jezus, për mrekullinë e madhe të dashurisë sate. Të falënderoj për mënyrën e mrekullueshme me të cilën e ringjalle Lazrin. Dashuria e jote e nxori nga errësira e varrit në ditën e ditës, në jetë të re. Të falënderoj për ketë dëshmi të mrekullueshme të dashurisë dhe jetës. Po, o Jezus, besojmë se ti je ringjallja dhe jeta që jep jetën, jo vetëm si premtim të largët në ditën e fundit të gjithësisë dhe botës, por ti e ndanë dashurinë tënde në plotësi që tani, në këto ditë tona. Ti do që tani të njohim si burim jete dhe si Ringjallje.

Thirrja jote: “Lazër, dil jashtë!” le të jehojë mbi ne sot! Bëj që të dalim prej varreve dhe strehimeve tona në dritën e ditës që të na shndrisë dielli i dashurisë sate.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend