MEDITIMI I DITËS – DHIMBJA PËR MOSPRANIMIN

Written by on March 30, 2017

Gjn 7, 1-2. 10. 25-30 DHIMBJA PËR MOSPRANIMIN

 

Kërkoj hirin që në zemrën time të ndjej dhimbje për shkak të mospranimit të Jezusit.

 

1 Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë. Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. 2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave. 10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi.

Galileja ishte një vend ku hebrenjtë ishin përzier me popujt e tjerë. Jezusi u vonua këtu deri në kohën kur me vendosmëri u nis të shkonte në Jerusalem. Pak nga pak, po ngushtohej rrethi i tij. Edhe te Shën Gjoni, që Ungjillin e vet e shkruan me shpirt soditës, ndjehet se si rritej tensioni, se si forcohej armiqësia mes Jezusit dhe krerëve të popullit. Kemi kaluar më shumë se gjysmën e Kreshmëve dhe pas pak vijnë ditët më dramatike të qëndrimit të Jezusit mbi tokë. Jezusi e dinte se çfarë e priste në Jerusalem derisa ta kryente misionin e tij. Të përpiqemi që gjithnjë e më shumë të bashkohemi me Të dhe t’i përjetojmë ndjenjat e Tij. Si i përjetoi Jezusi ditët e fundit të jetës së vet mbi tokë? Kundërshtarët i kishte gjithmonë pas shpine, sepse e kërkonin vdekjen e tij. «Policia» e përcillte në mënyrë të vazhdueshme. Vinin në pikëpyetje gjërat që thoshte, kritikonin veprat që kryente. Iu desh edhe të fshihet dhe fshehtas të hynte në Jerusalem për festa.

Edhe në historinë tonë jetësore, o Zot, janë kohërat në të cilat fjala Jote, që duhet predikuar, nuk mirëpritet, kritikohet dhe shpjegohet gabim. Nxënësve të Tu iu duhet të fshihen dhe të jetojnë në hije që të mbijetojnë, sepse nëse edhe për shkak të veprimit më të vogël në fshehtësi, i kërcënojnë me vdekje, përndjekje, burgosje dhe i vrasin. Po, o Zot, ata që u nisën pas Teje duhet të përballen me vështirësi të shumta, do të shijojnë shumë hidhërime. Gjithmonë do të jenë në anën tjetër dhe do të nxisin kundërshtime. Mirëpo, ata janë të vetëdijshëm se vetëm afërsia jote do t’u sjellë gëzim. Na ndihmo të gjithëve, na ndihmo që të jemi të qëndrueshëm në kundërshtime.

25 Atëherë disa jerusalemas thanë: “Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është”.

Të gjithë e dinin armiqësinë mes Jezusit dhe krerëve të popullit. Njerëzit e thjeshtë nuk e kishin marrë ende qëndrimin e vet. Ende kishin simpati për Jezusin. Vetëm në Jerusalem, kur do t’i nxisnin krerët, ata do të bërtisnin që Ai të kryqëzohej. Ata ishin nga pak të pështjelluar, sepse në vetvete e ndjenin se Jezusi ishte i pafajshëm, se ishte i drejtë, se ishte në anën e atyre që ishin të përjashtuar. Por, nuk e kuptonin se pse krerët, që ishin përgjegjës për popullin, pas të cilëve shkonte populli, nuk e pranonin. Kjo gjë i pështjellonte. Prandaj, në Jerusalem flisnin në heshtje për Të. Çuditeshin se si dilte haptas në popull, ndërkohë që pushteti kërkonte kryet e tij.

O Zot, të falënderoj që je i guximshëm dhe këtë guxim e paraqet publikisht. Të falënderoj për të gjithë ata nxënës të Tu, që në këtë kohë janë aq të guximshëm dhe që të dëshmojnë Ty publikisht. Të falënderoj për prindërit që nuk kanë frikë nga të pasurit shumë fëmijë. Të falënderoj për gazetarët që haptas shkruajnë për vlerat e vërteta. Të falënderoj për mjekët që luftojnë për të shpëtuar çdo jetë. Të falënderoj për meshtarët dhe rregulltarët që me jetën e tyre thjesht e dëshmojnë praninë e Mbretërisë Tënde në tokë.

28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë: “Po, ju më njihni dhe e dini se nga jam! E pra, unë nuk erdha prej vetvetes: por është Një i Vërtetë që më dërgoi, të cilin ju s’e njihni. 29 Unë e njoh Atë, sepse jam prej tij dhe Ai më dërgoi”.

Në Të u bashkua dhimbja dhe vuajtja, të cilën e përjetoi rreth vetes; prandaj edhe bërtiti fuqishëm në Tempull. Kjo është britma e atij që ia do të mirën tjetrit, por që nuk e pranojnë, as nuk e kuptojnë. Jezusi e përjetoi dhimbshëm mospranimin që ia bënë njerëzit. Ata nuk mund ta pranonin se mund të vinte ndonjë e mirë nga Galileja, nga Nazareti. E dinin prejardhjen e Jezusit dhe për këtë arsye nuk e pranuan. Por, edhe Jezusi e dinte se nuk imponohej prej vetvetes, e dinte se Ati e dërgoi, prandaj bërtiti dhimbshëm në Tempull, që njerëzit të dëgjonin dhe të mos i verbonte ajo çka shikonin vetëm prej së jashtmi. Jezusi këtu mbështetej plotësisht në Atin dhe vetëm në Të e gjente fuqinë për udhëtimin e mëtutjeshëm.

O Zot, përpiqem që në lutje ta përjetoj brendinë tënde, në të cilën i përjetove të gjitha këto moskuptime nga njerëzit, te të cilët erdhe dhe për arsye të të cilëve erdhe. Krejt dashurinë tënde e drejtove drejt njerëzve, por ata nuk e pranuan. Vërtet, na godet dhe na dhemb shumë kur të tjerët nuk e pranojnë dashurinë më intime që e dhurojmë, por përkundrazi e refuzojnë dhe e shkelin. Kur Shën Françesku i Asizit e kuptoi këtë gjë, doli në rrugë dhe filloi të bërtiste: «Dashuria nuk është dashuruar… Dashuria nuk është dashuruar!» Përpiqem që ta ndjej dhimbjen Tënde dhe ta dëgjoj britmën e dhimbshme në Tempull. Moskuptimi dhe mospranimi janë gjithashtu pjesë të dërgimit të Atit. Ati do kështu. Edhe këtu, Ti e pranon vullnetin e Tij.

30 Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.

Çasti po afrohej dalë nga dalë. Jezusi udhëtoi me guxim drejt tij. Më ndihmo, o Zot, që edhe unë të dorëzohem plotësisht në duart e Atit. Kjo gjë le të më mbushë me paqe në trishtimin tim, që me gëzim të brendshëm ta pranoj dhimbjen.

 


Current track

Title

Artist