Shenjti i ditës: 30 Mars – Shën Leonard Murialdi, meshtar, themelues (1828 – 1890)
Written by Radio Maria on March 28, 2017
Shenjti i ditës: 30 Mars – Shën Leonard Murialdi, meshtar, themelues (1828 – 1890)
Piemonti, në vitet njëmijë e tetëqint, ishte protagonist në Itali jo vetëm në skenën politike e kulturore por edhe në atë fetare. Mes shenjtërve të tij të mëdhenj mjafton të kujtojmë Kotolengon, don Boskon, Jozef Kafasin dhe shenjtin e sotëm, Leonard Murialdin. I edukuar në shkollën e Skolopëve, pasi u shugurua meshtar, e mirëpriti ftesën e don Boskos dhe deri sa vdiq drejtoi kolegjin e Artigianelëve, «pioner i edukatës së specializuar të punëtorëve të rinj» (Pali VI). Të rinjtë nga tetë deri në njëzet e katër vjeç formohen profesionalisht me kritere moderne orientimi e mësimi në punë. Murialdi themeloi për më të varfërit të parën «Shtëpi – Familje».
Ishte pioner i lëvizjes punëtore, në 1871 themeloi «Bashkimin punëtor katolik» me një tërësi organizmash ndihmëtare, kulturore, fetare e sociale që i tejkalonin kohërat, edhe pse për guximin e tij (themeloi mes të tjerash Bashkimin e guximit katolik) u akuzua se ishte socialist, akuzë kjo që në atë kohë ishte e rëndë për një meshtar. Mes kërkesave të tjera të ligjshme kishte propozuar që dita e punës të bëhej tetë orë. Një fitore e parashikuar, por duhet të kujtojmë se pikërisht në ato vite Lucati luftonte në parlament për një ligj që t’ua ndalonte punën e natës djemëve që ishin nën moshën dymbëdhjetë vjeç dhe për një orar që të mos i kalonte dymbëdhjetë orë!
Në Leonardin vinte duke u rritur ideja për të themeluar një Kongregatë rregulltare që të siguronte vazhdimësinë e veprimit të tij edukativ e social, këtë e konkretizoi në vitin 1873. Iu hap rruga, mes kundërshtimeve të shumanshme, nismave të ndryshme: katekizëm në mbrëmje për punëtorët, bibloteka qarkulluese, zyra pune, shërbime sanitare, shtëpi për t’u ofruar ndihmë të papunëve e atyre që s’kishin shumë fat, madje edhe shtëpi për ceremonitë e varrimit ….. Gjithë këto vepra drejtohen tani nga Kongregata e shën Jozefit, e themeluar nga ai. U kanonizua me 3 maj të vitit 1970.