MEDITIMI I DITËS – BASHKËPUNIMI

Written by on March 28, 2017

Gjn 5, 17-30 BASHKËPUNIMI

 

Kërkoj hirin që të di të bashkëpunoj me të gjithë ata që bashkëpunojnë me planin e Hyjit për botën dhe për njeriun.

 

17 Jezusi iu përgjigj judenjve: “Im Atë vepron gjithmonë e edhe unë veproj”. 18 Për këtë arsye judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vritnin Jezusin, pse, jo vetëm se e prishte të shtunën, por edhe Hyjin e quante Atë të vetin, duke e barazuar veten me Hyjin.

Shën Gjoni, në Ungjillin e tij, nuk kënaqet duke na treguar vetëm një ngjarje dhe duke na përshkruar mrekullinë. Ai dëshiron të paraqesë edhe domethënien e saj, dëshiron të na tregojë përmasën e saj shpirtërore. Jezusi e shëroi të paralizuarin e kjo ditë ishte shtunë. Në hebraisht, e shtunë do të thotë «ditë pushimi». Kur hebrenjtë e pyetën se pse punonte të shtunën, ai iu përgjigj se edhe Ati i tij vepronte vazhdimisht. Hyjin e quajti Atë të vetin. Ai u njësua me vetë Hyjin. Kjo nuk ishte dëgjuar më parë. Me këtë gjë, Jezusi e mblodhi mbi vete edhe më shumë urrejtjen dhe armiqësinë e tyre.

«Ati im punon». Hyji është në veprim. Edhe sot është kështu. A di ta njoh veprimin e Hyjit në jetën time? Hyji është i pranishëm në ngjarjet në botë, në ngjarjet e jetës sime personale. Hyji vepron edhe në jetët e njerëzve të tjerë. O Zot, Ti vepron në mua sipas hirit, sipas butësisë, sipas përvujtërisë dhe dashurisë tënde. Ma jep mundësinë që të jem i mirë dhe bashkëpunëtor i përshtatshëm në veprimin tënd!

19 Atëherë Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç çka sheh se bën Ati; çka bën ai, po atë gjë bën edhe Biri. 20 Sepse Ati e do Birin dhe i zbulon gjithçka bën ai. Do t’i zbulojë edhe vepra më të mëdha se këto që të mbeteni të habitur. 21 Dhe, sikurse Ati i ngjall të vdekurit e i bën të jetojnë, ashtu edhe Biri i bën të jetojnë ata që do”.

Ky shërim i të paralizuarit është paralajmërim i një ngjarjeje më të madhe, që do ta bëjë Jezusi e që do t’i mrekullojë edhe më shumë bashkëkohësit e tij. Të kesh pushtet mbi jetën dhe mbi vdekjen, është shenja më e madhe, mrekullia që njeriu e kërkon me krejt qenien e vet. Vetëm Hyji mund të ringjallë dhe ta japë jetën e pasosur.

Jezusi është i vetmi Bir i përkryer. Ai është plotësisht i kthyer kah Ati. Bën çdo gjë që kërkon Ati. Në veprimtarinë e vet, në misionin e vet, Ai mbështetet plotësisht në Atin. Ai i bashkëngjitet veprimtarisë së Atit në botë dhe bashkëpunon vazhdimisht me Të. Nuk e vendos vetveten në qendër. Nuk dëshiron që të gjitha gjërat të sillen rreth Tij. Ai të gjitha i drejton kah Ati.

O Zot, bëj që edhe unë t’ia bashkoj veprimtarinë time Atit tënd dhe Shpirtit Shenjt, që dora jote krijuese ta drejtojë dorën time e kështu ta jap ndihmën time që kjo botë të jetë pak më e kënaqur. Bëj që me veprimtarinë time të marr pjesë në veprën Tënde dhe kështu të ndihmoj që të përtërihet fytyra e tokës. Me këtë gjë përsëris dhe vërtetoj pushtetin tënd, të cilin e vulose në shpirtin tim. Më ndihmo që të angazhohem plotësisht në thirrjen me të cilën më thirre, në punën që e kryej. Në këtë mënyrë, do të bëhem më së miri punëtor i vreshtit tënd. Më ndihmo që vepra e duarve të mia të ketë sukses.

22 Ati në të vërtetë nuk gjykon askënd, pse krejt gjykimin ia la në dorë Birit, 23 që të gjithë të nderojnë Birin siç e nderojnë Atin. Kush nuk e nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e dërgoi. 24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më dërgoi, ka jetën e pasosur dhe ai nuk del në gjyq, por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.

Kështu Jezusi, përsëri dhe në mënyrë plotësisht të qartë, bashkohet me Atin. Ta nderosh dhe ta pranosh Jezusin, do të thotë ta nderosh dhe ta pranosh Atin. Asnjë profet, as mësues në Izrael, nuk pati guxim ta thotë një gjë të tillë. Jezusi pati mundësi ta thotë, sepse Ai është Biri i Hyjit.

Ta dëgjosh fjalën e Jezusit dhe të besosh në atë që Ai e ka dërguar, do të thotë ta kesh jetën e pasosur. Feja i hap në ne ato përmasa që nuk mund t’i hapë asgjë tjetër. Ajo na hap për përjetësinë. Sipas saj, ne kalojmë nga vdekja në jetë.

O Zot, më shkëput nga vaktësia dhe pavullneti. Më lartëso mbi rëniet dhe përtacinë. Më ndihmo që të besoj se Ti mund t’i ndryshosh edhe zakonet e mia. Më ndihmo që ta dëgjoj fjalën tënde me afshin e atyre që kanë uri për fjalën.

25 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: po vjen koha ‑ tani është ‑ kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit të Hyjit dhe ata që ta dëgjojnë, do të jetojnë. 26 Dhe, sikurse Ati e ka jetën në vetvete, po ashtu i dha zotësinë edhe Birit ta ketë jetën në vetvete. 27 Atij ia dha edhe pushtetin të gjykojë, sepse është Biri i njeriut. 28 E mos u çuditni: po vjen koha, kur të gjithë ata që pushojnë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij 29 dhe do të dalin: ata që bënë mirë ‑ do të ngjallen për të jetuar, ata që bënë keq, ‑ do të ngjallen për t’u dënuar. 30 Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes; si dëgjoj, ashtu gjykoj, dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.

Jezusi iu nënshtrua plotësisht Atit. Ai nuk e kërkoi vullnetin e vet, por atë të Atit. Me këtë gjë, ai tregoi se ishte Biri i vërtetë. Dëshiroj, o Zot, që jetën time ta drejtoj kah Ti, por nuk ia dal. Aq shumë gjëra më tërheqin larg Teje! Dëshiroj ta kryej vullnetin Tënd, por nuk gjej forcë as për gjënë më të vogël që duhet të bëj. Po vij tek Ti në lutje, që të të dorëzohem plotësisht Ty. Më prano kështu siç jam. Më prano, edhe pse nuk jam i gatshëm që ta kryej vullnetin Tënd! Bëj që dashuria Jote të jetë vullneti im dhe që dashurinë time t’ia nënshtroj vullnetit Tënd.

 


Current track

Title

Artist