MEDITIMI I DITËS – SHENJAT DHE MREKULLITË
Written by Radio Maria on March 26, 2017
Gjn 4, 43-54 SHENJAT DHE MREKULLITË
Kërkoj hirin që ta jetoj fenë në thjeshtësi, pa kërkuar shenja dhe mrekulli.
43 Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile. 44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.
Nazareti e refuzoi Jezusin. Kjo gjë e nxiti që të thoshte se profeti nuk pranohet në vendin e vet. Mirëpo, Jezusi shkoi më tutje, njerëzit e vendeve të tjera e pranuan. Mrekullitë, që i bëri Jezusi, i kanë bërë njerëzit për vete. Në të vërtetë, ata këtë gjë edhe e kërkonin, për ta kjo gjë ishte e rëndësishme. Jezusi mund t’i plotësonte dëshirat e tyre dhe për këtë arsye bashkoheshin rreth tij. Mrekullia është e rëndësishme, ajo e qetëson dëshirën e njerëzve dhe e plotëson zbrazëtinë e brendshme të tyre. Me rëndësi është që të ndodhë diçka, që njerëzit të kënaqen dhe të dëfrehen.
O Zot, bëj që të di të vij te Ti edhe atëherë kur nuk ndodh asgjë e veçantë në jetën time, në familjen time, në bashkësinë apo në famullinë time. Bëj që të mos i kërkoj vetëm rastet e veçanta që të jem me Ty. Prania jote le ta plotësojë jetën time në të përditshmen e thjeshtë, në të cilën vij që të jem me Ty.
46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum. 47 Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes.
Një njeri, pa kurrfarë frike, doli para Jezusit dhe iu lut që ta ndihmonte. Ky njeri ishte një zyrtar perandorak, i cili e donte fëmijën e vet. Vetëm dashuria që kishte për fëmijën e vet e detyroi që të shkonte drejtpërdrejt te Jezusi dhe ta luste për ndihmë. Cilat janë nevojat e mia, që më detyrojnë të shkoj te Jezusi e t’i lutem? Dashuria ime, me të cilën shkoj tek Jezusi, dashuria që i mbart të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën time, a është më e fortë se mendimi njerëzor dhe frika, më e fortë se shikimi i të tjerëve dhe gjykimet e tyre?
48 Jezusi i tha: “Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni”. 49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj: “Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija”.
Jezusi e drejtoi sërish lutjen, që ia bëri ky njeri, te gjërat që janë të rëndësishme. Ai i tha se nuk erdhi për të bërë mrekulli, as shenja, që në këtë mënyrë t’i mblidhte njerëzit rreth vetes. Jezusi e kërkoi fenë që nuk bazohej në shenjat e jashtme e as në mrekulli. Ai kërkoi nga njeriu besimin pa kushte dhe për këtë arsye mbrohej nga mrekullitë. Edhe për ne, feja pa shenja e mrekulli është e rëndë, e thatë dhe na duket e mërzitshme. Ne kërkojmë shenjën, presim që diçka të ndodhë dhe dëshirojmë që ta përjetojmë entuziazmin e fesë në ndjenjat tona. Nëse kjo gjë mungon, atëherë pyesim: çfarë u bë me besimin tonë? E kur lutemi, në qoftë se e përjetojmë diçka përbrenda, në qoftë se lutja na mbart, atëherë jemi të kënaqur, atëherë kjo gjë është e mrekullueshme. Mirëpo, kur kjo gjë mungon, kur mbetemi vetëm në fe, kur na mbështjell errësira dhe nata e errët, atëherë mendojmë se jemi të vakët, se feja jonë nuk ka entuziazëm dhe shumë shpejt dorëzohemi para çdo përpjekjeje për qëndrueshmëri. Në këto çaste, harrojmë se jeta me Hyjin është pastrim i brendisë, e cila nuk ka kurrfarë kënaqësie ndjenjash. Feja na thërret që të hidhemi në të panjohurën. Këtë gjë e dinë më së miri njerëzit që kthehen. Stolpi nga Suedia ka thënë: «Feja është ngjitje nëpër një shkallë shumë të lartë. Kur arrijmë në majë, atëherë e dëgjojmë zërin: “Hidhu!” Kjo hedhje është shenja e fesë». Me siguri se kjo nuk është një hedhje e paarsyeshme e njeriut të dëshpëruar, por hedhja e atij që e di se duart e Hyjit do ta presin në përqafim. Ky është besimi i pakufishëm, që kërkohet prej nesh në besimin tonë.
Çfarë e gjykon besimin tim përveç vaktësisë, punëve dhe papërqendrimit të amshueshëm? Cilat janë ato shenja që unë i kërkoj e që nuk më lejojnë që t’i dorëzohem pa kushte Zotit tim? Mos më lësho prej dorës tënde, o Zot, edhe pse unë të kundërshtoj përmes besimit tim të vakët dhe lutjes që nuk ka kurrfarë entuziazmi.
50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!” Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. 51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë: “Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!” 53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij. 54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.
Ky njeri ishte i qëndrueshëm në lutjen e vet. Ky i besoi fjalës së Jezusit, edhe pse në atë çast përpara syve të tij nuk ndodhi asgjë dhe nuk kishte mundësi që ta vërtetonte fjalën e Tij. Fjala që tha Jezusi ishte e mjaftueshme për atë. Këtë gjë ai e zbuloi vetëm kur takoi shërbëtorët që i thanë se djali ishte bërë më mirë pikërisht në atë çast kur foli me Jezusin e ky ia premtoi shërimin. Mirëpo, tani nuk beson vetëm ai, por edhe të gjithë ata që i përkisnin shtëpisë së tij.
Të gjithë jemi në gjendjen e këtij njeriu. Para vetes tonë nuk kemi asgjë tjetër përveç fjalës së Jezusit, përveç premtimit të Tij se çdo gjë do të plotësohet. O Zot, bëj që ta kuptoj se si më mjafton fjala dhe premtimi yt që të hidhem për shkak të besimit që kam në Ty. Bëj që të më mjaftojë fjala Jote dhe ta hedh rrjetën për peshkim të mrekullueshëm. Bëj që të besoj në fjalën Tënde, e cila është e aftë që t’i thajë lotët e mi, që t’i japë kuptim çdo dhimbjeje e vuajtjeje, në atë fjalë, sipas së cilës do të jem pranë Teje në të ngjallurit e trupit. Besoj, o Zot, se Ti i ke fjalët e jetës së pasosur. Le të bëhet me mua sipas fjalës Tënde.