MEDITIMI I DITËS: JEZUSI – DRITA E BOTËS
Written by Radio Maria on March 25, 2017
E diela e IV Kreshmëve
Gjn 9, 1 – 41 JEZUSI – DRITA E BOTËS
Kërkoj hirin: që të besoj se ti, Jezus je drita e jetës sime
O Zot, ti erdhe si dritë e botës. Bota është në errësirë. Njeriu është në terr. Ti do që të gjithë njerëzit dhe mbarë botën t’i nxjerrësh nga kjo errësirë. Erdhe që askush kurrë më mos të mbetet në errësirë, por secili që beson të ketë mundësi të ecën në dritë dhe ditën. Takohesh me njeriun i cili kurrë në jetë nuk e pa dritën e ditës, me njeriun që nuk e pa bukurinë e natyrës dhe të diellit. Lindi i verbër.
Jezus, sa e vështirë ishte kjo gjë, gjë vërtetë e tmerrshme! Prandaj nuk me befason pyetja e nxënësve të tu të cilët në këtë gjë shikojnë ndëshkimin e Hyjit. Me siguri dikush ka mëkatuar rëndë në diçka. Me siguri dikush e ka mallkuar. Ndoshta është në mes ndonjë gjë e keqe, magjia e zezë, e keqja djallëzore që njeriu ka në zemër. Sepse, përse atëherë vuajtja e tij, përse kjo pamundësi që ka?
“Nuk ka mëkatuar as ky as prindërit e tij!” Kështu, ti, o Jezus, përgjigjesh. Ky është rasti i mrekullueshëm që të lavdërohet Hyji. “Ky është çasti që të zbulohet mirësia e Hyjit dhe dashuria që ka për njeriun. Vuajtja nuk është ndëshkim. Vuajtja është pjesë e jetës dhe ajo mund të bëhet kryq që sjell mirësinë dhe lavdinë e Hyjit. Verbësia e trupit, pamundësia e syve njerëzor nuk është tragjedi. Shumë më e rëndë është verbësia e shpirtit, errësira e botës në të cilën jetojmë, urrejtja që kërcënohet që gjinia njerëzore të humb besimin dhe dashurinë. Kjo është e keqja e vërtetë. Verbësia e trupit nuk është e keq që duhet të kërcënojë jetën e vërtetë dhe jetën e shpirtit.”
Jezus, më liro, na liro të gjithëve nga verbësia e shpirtit, nga errësira e zemrës. Na liro, o Jezus, nga mosbesimi dhe dyshimi, nga ecja nëpër rrugët e gabuara, nga ndikimi i fuqive të këqija të kësaj bote, sidomos nga urrejtja dhe shpirti i hakmarrjes. Nga të gjitha këto më liro, na liro të gjithëve dhe na shpëto, o Jezus!
Këtij njeriu ia dhurove dritën e syve të trupit. Ai shikon qartë. Kjo është mrekullia e dashurisë sate. Të falënderoj, o Jezus, për këtë shenjtë të mrekullueshme të dashurisë sate dhe për veprën e shëlbimit tënd. Këtë gjë as Hebrenjtë nuk e kishin parë ndonjë herë. Por unë ndjej në zemër se këtij njeriu i dhurove shumë më shumë, sepse ai të pranoj për Bir të Njeriut, për Shëlbues të botës duke rënë më fytyrë për dhe para teje në adhurim. Ky është çasti i mrekullueshëm i ndriçimit që e dhuron shikimi i fesë.
Të falënderoj, o Jezus, që na shndrite që nga ky çast i bekuar kur e morëm sakramentin që na shndërroj, sakramentin e pagëzimit. Ky është çasti kur në ne korri fitore hiri yt dhe mirësia jote. Të falënderoj që na dhurove këtë dritë që nuk fiket dot. Sot po të lutemi, o Zot Jezus, fuqizoje këtë flakë në ne që në ty dhe përmes teje të bëhemi dritë gjithnjë më e qartë në këtë botë që njerëzit të kenë mundësi të të njohin dhe të pranojnë si Shëlbuesin e tyre.