Shenjti i ditës – 25 Mars – Lajmërimi i Zotit
Written by Radio Maria on March 25, 2017
Shenjti i ditës: 25 Mars – Lajmërimi i Zotit
«Si do të mund të ndodhë kjo ? ……. » Pyetja e Marisë lind nga thjeshtësia dhe përvujtëria. Njohja e saj është intituive dhe direkte, sepse shpirti i saj i përjashtuar nga mëkati, është i ndriçuar nga një dritë e veçantë. Fëmija që ajo do të ngjizë është njeriu – Hyj i paralajmëruar nga profetët. Dhe që nga ai moment shkruan L.J Suenes, «Ajo do ta vrojtojë misterin me një nderim që rritet pa pushim dhe një njohje gjithnjë e më përparuese në këtë linjë fillestare. Sikur Shpirti Shenjtë të mos e kishte ndriçuar në këtë pikë themelore, ajo nuk do ta kishte pasur hirin e nevojshëm për të qënë Nëna e Hyjit, pëlqimi i saj nuk do të ishte bazuar në të vërtetën, një keqkuptim do të kishte lindur në fillim mbi këtë mister. Kisha mëson se Maria ka ngjizur mbi të gjitha në shpirt, me fe, para se të ngjizte me trup, dhe ajo e admiron këtë fe të pakrahasueshme të Marisë. «Përmbajtja e lajmërimit i përket Mesisë dhe në të njëjtën kohë raportit intim mes «nënës e birit» … «prandaj ky fëmijë do të jetë i shenjtë, Biri i Hyjit». Është për shkak të këtij raporti intim që Maria quhet «Nëna e Hyjit».
Karakteri marian i këtij solemniteti, që fillimisht kremtohej si «solemnitet i Zotit» vihet në dukje nga kremtimi i sotëm liturgjik. Burimet që flasin për «Lajmërimin» i kanë fillimet nga shekulli i VI, por kulti i tij është i vjetër po aq sa përshpirtëria ndaj Virgjërës. Me fjalët e engjëllit Gabriel Hyji vetë ka dashur t’i zbulojë meditimit tonë të përzemërt madhështinë dhe shkëlqimin e shpirtit të Marisë. «Hapia, o Virgjër e bekuar, zemrën fesë, buzët rrëfimit, krahërorin Krijuesit», është ftesa e gjithë njerëzimit që i drejtohet Virgjërës, sipas një shprehje të bukur të shën Bernardit.