MEDITIMI I DITËS – JETOJ SIPAS FESË
Written by Radio Maria on March 24, 2017
Lk 18, 9-14 JETOJ SIPAS FESË
Kërkoj hirin që besimin tim ta jetoj sinqerisht dhe me përvujtëri.
9 U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin të tjerët:
Në mesin e dëgjuesve të vet dhe të atyre që i bënin pyetje Jezusit, binin në sy njerëzit që ishin përplot me vetveten, ata që nuk donin të dëgjojnë diçka prej Tij, por ta kapërcenin në dije dhe të tregoheshin se ishin më të urtët, më të dijshmit dhe më lart se Ai dhe të tjerët. Këta njerëz i çmonin të gjithë dhe i shikonin prej së larti. Këta e konsideronin diçka vetëm vetveten.
A është brenda meje një shpirt i tillë? A e lartësoj veten mbi të tjerët, duke dashur që ta paraqes epërsinë time, qoftë edhe në gjërat e vogla dhe të parëndësishme dhe në situata të ndryshme gjatë ditës? Nëse është kështu, atëherë më duhet të dëgjoj mirë se çfarë më thotë Zotëria në këtë shëmbëlltyrë.
10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës’.
Ja lutja e njërit prej të dyve që erdhën në Tempull. Ky ishte njeriu konkret. Të gjitha që numëroi ishin të mirat që bënte, prandaj ishte njeri në vendin e vet. Nuk ishte grabitqar, nuk e ndjente veten të padrejtë, as nuk ishte kurorëshkelës. Agjëronte aq sa kërkonte Ligji dhe jepte sa kërkonte Ligji. Ky njeri ishte njeri i drejtë, në mënyrë të përsosur. Çfarë mund të kundërshtojmë te kjo lutje? Përse nuk na tërheq lutja e tij, përkundrazi na largon? Kjo ndodh më së shumti, se lutja e tij ishte e helmuar me mendjemadhësi. Ai e falënderonte Zotin, por falënderimi i tij ishte falënderim egoist dhe përplot vetëkënaqësi. Më lavdinë e vet, nuk e lavdëronte Hyjin, por vetveten. Ai theksonte se të gjitha i bënte vetë, se çdo gjë ishte meritë e tij dhe se për këtë gjë ai kishte të drejtë që Hyji ta shëlbonte për shkak të meritave të tij. Ai krahasohej me tjetrin dhe e konsideronte veten më të drejtë dhe më të mirë. Ai njeriu që ishte me të në tempull, edhe pse larg pas shpinës së tij, nuk ishte i denjë as që të rrinte pas tij. Ky njeri, në të vërtetë, nuk e falënderonte Hyjin, por lavdërohej para Tij. Kjo është lutja në të cilën nuk ka aspak vend për bisedë dhe takim. Kjo është lutja e zemrës që është përplot me vetveten, që shikon vetëm meritat e veta dhe e paraqet vetveten. Çfarë mund të hyjë në zemrën që është kaq e mbushur me vetveten? Përveç kësaj, duket se ky njeri e kishte në dorën e vet peshoren e padukshme, të cilën ai e njihte mirë dhe me atë maste sa jepte dhe se cilat ishin meritat për këtë dhurim. I kënaqur me veten, ai theksonte se ishte i privilegjuar dhe plot me merita.
O Zot, ndjej në vetvete mendjemadhësi dhe më duket vetja si ky njeri. Sa e sa herë dua të tregoj se sa vlerë kam, në mënyrë që të tjerët të më nderojnë. Edhe në lutje, shumë herë di të theksoj vlerën time dhe zbatimet që ia bëj Ligjit Tënd, duke kërkuar që të më kthehet aq sa jap. Besimin tim e kuptoj shumë herë si njëfarë «sigurie»: investoj në të , por pres që kjo të shihet, që të më kthehet. Kur kjo nuk ndodh, menjëherë e humb shpresën dhe ndihem i përvujtëruar. Sot më mëson se kjo gjë nuk është e mirë. Më duhet që në jetën time ta dalloj të mirën që bëj, në mënyrë që të kem mundësi të të falënderoj, pasi ajo është dhuratë krejtësisht e Jotja, që Ti ma mundëson ta bëj. Më ndihmo që të mos lavdërohem me veprat e Tua, të cilat aq shpesh i përvetësoj. Më ndihmo që të mos e nënçmoj askënd dhe të mos jem mendjemadh. Më ndihmo të lejoj që Ti të korrësh fitore gjithmonë mbi mburrjet e mia, më ndihmo që të ndryshoj dhe të jem më i përvuajtur dhe më i thjeshtë.
13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’
Kjo është pjesa e dytë e lutjes, ndërkohë që ngrihej drejt Hyjit. Ky njeri ishte në fund të Tempullit. Nuk ndihej i denjë të afrohej më afër altarit të flijimeve. Ai as sytë nuk i ngrinte lart. E përjetonte krejt mëkatin që kishte bërë dhe padenjësinë e vet. E ndjente se nuk kishte asgjë për t’i dhënë Hyjit, përveç mëkatit të tij. Kjo gjë e zotëronte dhe kërkonte vetëm një gjë, që Hyji ta falte, që të ishte i mëshirshëm. Ky njeri e njihte situatën e vështirë, në të cilën gjendej. E ndjente se populli i tij e poshtëronte, e urrente ngaqë bashkëpunonte me armikun e urryer, që erdhi nga Roma. As pushteti romak nuk e donte, sepse e dinte se ishte duke u pasuruar në mënyrë të padrejtë. Ky njeri ishte vërtet një njeri pa shpresë. Në këtë gjendje, ai erdhi në Tempull dhe dëshironte të lutej.
Të falënderoj, o Zot, që çdo njeri mund të vijë te Ti. Të falënderoj që mund të vij te Ti, kur e kam më së vështiri, kur mendoj se jam i humbur dhe i mjerë si tagrambledhësi. E di se Ti në ato çaste e dëgjon lutjen time. Për këtë gjë të falënderoj më së shumti.
14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.
O Zot, Ti na mësove se si duhet të lutemi! Më ndihmo që ta kuptoj se si nuk duhet të kem frikë nga mëkatet e mia për të dalë para teje. Më jep përvujtëri që të di t’i pranoj mëkatet dhe më jep fuqi që të di të luftoj kundër tyre. «Zemrën e thërrmuar dhe të penduar, Ti, o Hyj, nuk e braktis!»