Shenjti i ditës: 24 mars – Shën Katerina e Suedisë (1331 – 1381)
Written by Radio Maria on March 23, 2017
Shenjti i ditës: 24 Mars – Shën Katerina e Suedisë, murgeshë brixhidine (1331 – 1381)
Nënë e bijë Brixhida e Katerina, gjenden bashkë në librin e artë të shenjtërve, pasi e ndanë të njëjtin ideal dashurie dhe përsosmërie të krishterë në jetë. Brixhida, grua e përshpirtshme dhe besnike e një princi, në njëzet e tetë vite martesë pati tetë fëmijë, mes të cilëve Katerinën, e cila e imitoi të ëmën më parë në jetën bashkshortore (u martua me Edgard von Kyren) pastaj në vejëri, duke hyrë në kuvendin romak të Urdhërit të shën Salvatorit të themeluar nga e ëma.
Katerina deshi të bënte më mirë dhe bashkë me të shoqin bëri kushtin e përmbajtjes, gjë e zakonshme që bëhej në mesjetë. Sëmundja e Edgardit e bëri më të lehtë mbajtjen e kushtit, por do të ishte në dëm të askezës së kësaj nusje të re n.q.s paaftësisë së të shoqit do t’ia përshkruanim qëndrueshmërinë e këtij vendimi të nderuar.
Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare mori lejen të shkonte në Romë me rastin e vitit të shenjtë, për të takuar të ëmën. Një udhëtim aventuroz mes rreziqesh të çdo lloji, mbi të gjitha për një grua të re. Në Romë Katerina mori vesh lajmin e vdekjes së të shoqit dhe që nga ky moment jeta e dy shenjtëreshave do të ecë në të njëjtin binar: e bija do të marrë pjesë në aktivitetin e dendur fetar të së ëmës, duke e ndjekur në shtegtimet e ndryshme. Në piktura Brixhida na paraqitet me një shkop shtegtari, ndërsa Katerina me një dre, sepse, sipas legjendës ky katërkëmbësh e kishte shpëtuar në mënyrë misterioze nga shumë rreziqe të rrugës.
Pa iu referuar legjendës mësojmë se, Brixhida e Katerina përshkuan pothuajse të gjitha rrugët që të çonin në shenjtëroret e Evropës. Nuk mund të mungonte në «koleksionin» e tyre edhe shtegtimi në Tokën e Shenjtë. Këtë shtegtim e bënë sëbashku në pranverën e vitit 1373, por në kthim e ëma, e konsumuar nga lodhja e udhëtimit të gjatë, me 23 korrik vdiq. Me të Katerina bëri udhëtimin e fundit dhe më rraskapitësin për të çuar trupin e saj në atdhe mes mureve të kuvendit të Vadstenës, abate e të cilit u bë në vitin 1375. U kthye në Romë, ku qëndroi për pesë vite në kuvendin e Piazza Farnese, për të promovuar dhe shpejtuar procesin e lumturimit të së ëmës, që përfundoi dhjetë vite pas vdekjes së Katerinës. Asaj iu dha titulli nga përshpirtëria e njëzëshme popullore.