MEDITIMI I DITËS – PROFETI NË VENDIN E VET

Written by on March 18, 2017

Lk 4, 24-30 PROFETI NË VENDIN E VET

 

Kërkoj hirin që të besoj në Jezusin Zot e njeri, që më shëlbon përmes shenjave që m’i dhuron.

 

Kur Jezusi erdhi në Nazaret i tha popullit: 24 Për të vërtetë po ju them ‑ vazhdoi ‑ asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.

Jezusi shkoi në Nazaret. Këtu ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Këtu u rrit duke punuar si zdrukthëtar. I kaloi tridhjetë vjet në mënyrë të thjeshtë dhe të zakonshme. Që kur filloi të predikonte, kjo ishte hera e parë që kthehej «ndryshe» në Nazaret. Të gjithë e njihnin mirë ose, të paktën, mendonin se e njihnin mirë. Shumë njerëzve aty iu kishte kryer shërbime të ndryshme, çdo ditë ishte takuar me ta, kishte biseduar, kishte qenë me ta në sinagogë e kishte shkuar me ta në shtegtim në Jerusalem. Papritur ndodhi diçka. Jezusi e la Nazaretin, shkoi në Jordan, pastaj në shkretëtirë dhe pastaj filloi të predikonte. Bënte mrekulli. Njerëzit vinin tek Ai dhe kërkonin ndihmën e Tij. I shpjegonte Shkrimet në mënyrë të re, ndryshe nga mësuesit e Ligjit dhe farisenjtë. Ishte i veçantë.

Tani ishte në Nazaret, në të njëjtën sinagogë ku me besnikëri vinte çdo të shtunë. Jezusi e ndjeu dhe e dinte se njerëzit e shikonin ndryshe. I dallonte pyetjet në shikimet e tyre, e ndjente se në mendimet e tyre ishte i pakuptueshëm. A ishte ky njeriu i Hyjit? Profeti? A do të mund t’i bënte të gjitha këto pa ndihmën e veçantë të Hyjit? Prapëseprapë, mendonin ata, ne e njohim mirë! Aq shumë kohë kaloi mes nesh! Gjatë kësaj kohe, në asgjë nuk dallohej. Po ndoshta, a thua se thjeshtësia e tij e vazhdueshme nuk ishte shenjë?

Nazarenasit duket se nuk ishin të aftë që ta ngrinin perden e jetës së përditshme, që e jetonin me Jezusin, dhe të shihnin pas saj. Njohja e jashtme dhe sipërfaqësore e Jezusit, natyra e tij njerëzore, e mbuloi para tyre shikimin dhe kuptimin e hyjnisë së tij. Mos ndoshta prisnin që t’u fliste si mësuesit e tyre të Ligjit, si farisenjtë dhe rabinët?

O Zot, sa shpesh mbetem në sipërfaqe në kuptimin dhe pranimin e njeriut tjetër. Nuk di t’i shikoj nën mbulesën e përditshme as njerëzit e as ngjarjet. Ky shikim më sjell aq shpesh moskuptim dhe pështjellim. Sa shpesh jam mashtruar duke gjykuar shpejt dhe gabim! Sa të mirat nuk i kam parë aspak, sepse ishin të padukshme dhe të fshehura nën sipërfaqe, që nuk ishte paraqitja e vërtetë e tyre.

25 Për të vërtetë, prapë po ju them: në kohën e Elisë profet, kur qielli u ndry për tri vjet e gjashtë muaj dhe u bë uri e madhe në mbarë dheun, ishin shumë vejusha në Izrael, 26 dhe te asnjëra ndër to nuk u dërgua Elia, përveç te vejusha në Sareptë të Sidonisë. 27 Në kohën e Elizeut profet kishte shumë të gërbulur në Izrael dhe asnjë prej tyre nuk u pastrua përveç Naamanit Sirian.

Hyji vepron atje ku njeriu e hap dritaren që të takohet me Të. E respekton lirinë e tij, por me gatishmëri e pranon propozimin e tij.

Nuk mjafton vetëm t’i përkasësh popullit të zgjedhur, të jesh pjesëtar i traditës dymijëvjeçare të krishterimit, të jesh i pagëzuar. Kjo është vogëlsi për një komunikim të vërtetë me Hyjin. Ai përgjigjet në kërkesat e thjeshta dhe të përvuajtura që ia bën njeriu. Kështu e dëgjoi vejushën e varfër, kështu e shëroi të gërbulurin sirian – e asnjëri prej tyre nuk i përkiste popullit të zgjedhur të Hyjit.

Jezusi iu foli qartë bashkëqytetarëve të vet. Ata nuk mund të kishin përparësi para Hyjit në bazë të së kaluarës e që në këtë gjë të ndërtonin të drejtat e tyre para Tij. Ata duhej t’i lexonin vazhdimisht shenjat e kohës për të cilat Ai fliste. Përndryshe do mbeteshin në burgun e tyre, duke menduar «se kishin të drejtë në Hyjin».

Kjo është ajo porosi që Jezusi ua jep të gjithëve: çdo ditë duhet të ballafaqohemi me Fjalën e Hyjit, që na fton në takim dhe hapje. Secili prej nesh duhet ta shqyrtojë vetveten në të. Ndoshta edhe unë e kam mendësinë e nazarenasve dhe llogaris në të kaluarën time si një peng të sigurt për shëlbimin tim? Sigurisht, e kaluara e mirë mund të jetë garanci në çastet e dyshimit dhe të paqartësive. Por, nuk guxoj të ndalem këtu. Më duhet të shkoj përpara, më duhet që të rritem vazhdimisht në besim. Nuk guxoj të shoh në të kaluarën privilegjin që mjafton për krejt të ardhmen.

28 Këto fjalë i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë. 29 U çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. 30 Por, ai kaloi përmes tyre e vijoi rrugën e vet.

Fjala e Jezusit i hidhëroi të gjithë. Ata nuk e pranuan gjendjen e tillë para Hyjit. Nuk mund ta pranonin se para Hyjit kishin vend edhe njerëzit e tjerë, se Ai mund të kujdesej edhe për ata. Kështu, nuk mundën ta pranonin as Jezusin. E përjashtuan nga mesi i tyre, sepse deshën të ruanin mënyrën e të jetuarit dhe të besuarit që kishin.

Sa herë që ndërtoj meditime që më përgjigjen mua dhe nuk dëshiroj ta pranoj mënyrën e veprimit të Jezusit, unë e ngushtoj besimin tim dhe e mbyll në atë vend ku nuk ka vend për Hyjin. Kështu, e përjashtoj Jezusin nga jeta ime. Ku nuk ka vend për Hyjin, nuk ka vend as për njeriun.

 


Current track

Title

Artist