MEDITIMI I DITËS – DHURATA E UJIT TË GJALLË
Written by Radio Maria on March 18, 2017
Gjn 4, 5 – 42 DHURATA E UJIT TË GJALLË
Kërkoj hirin: që të besoj se kam mundësi të takohem me Hyjin e gjallë.
O Zot, edhe mua me pret, si Samaritanën në pusin e Jakobit dhe do të bisedosh me mua. Edhe unë dëshiroj të jem pjesëmarrës i dashurisë sate shëlbimprurëse, dëshiroj ta përjetoj forcën e butë të fjalëve të tua dhe të butësisë sate.
O Jezus, ti vjen tek pusi i Jakobit i lodhur dhe i etur. Diskutoj me ty për një gotë të vetme uji të nxjerr nga pusi, ndërsa ti si shpërblim dëshiron të më japësh ujin e vërtetë, ujin e gjallë që shkon në jetën e pasosur. O Zot, ma jep atë uji që kurrë më mos të me marrë etja, që të mos kem nevojë të vij në puse të çara të paditurisë njerëzore, të kujdeseve dhe problemeve njerëzore, në puse që nuk mund të shuajnë etjen time që e kam për jetën, për jetën e vërtetë dhe të plotë. Ma jep ketë ujë, o Zot, që ta shuaj etjen e jetës sime.
Samaritanes i the: “Po ta dije ti dhuratën e Hyjit dhe kush është ai që flet me ty…” As unë nuk e di, o Jezus, kush je ti. Edhe mua me duket se ende nuk të njoh, se ende nuk të shoh, se shumë pak llogaris me ty, se kam mendime të gabuara për ty. Edhe mua me duket se ti je larg dhe i huaj. Me ndihmo, o Jezus, që vërtetë të njoh si dhuratë të Hyjit, si përgjigje të qiellit në të gjitha kërkesat dhe dëshirat e mia jetësore.
Samaritanes ia tregove të gjitha. Edhe asaj vet ia zbulove fshehtësinë e jetës së saj mëkatare. Ia tregove mjerimin në të cilin jetonte, i tregove sa shpesh kishte gabuar gjatë jetës së saj. Ia zbulove të vërtetën që kishte për të shuar etjen e saj por në mënyrë të gabuar, në bulera në të cilat ujë nuk kishte. Samaritanes ia zbulove fshehtësinë e jetës së saj. Për të njerëzit dinin shumë gjëra prandaj e përbuznin. Mirëpo ti, për të i di të gjitha, prandaj ia ofron dashurinë së bashku me dëshirën për ta shpëtuar. “Më tha çdo gjë që bëra” pohon Samaritanja plot entuziazëm dhe gëzim. “Mi tha të gjitha!” Po, o Jezus, vetëm ti di t’ia thuash njeriut të gjitha, t’ia thuash të vërtetën që mund të jetë e hidhur dhe e rëndë, t’i thuash njeriut çdo gjë që nuk është e mirë e në njeriun të mbetet hapësira për paqe dhe shëlbim. Ti i thua të gjitha, o Jezus, por me dashuri! Ti i di të gjitha, por nuk gjykon, përkundrazi shëlbon. Ne, o Zot, nuk i dimë të gjitha, e themi aq shumë gjëra. Flasim pa dashuri prandaj të folurit tonë nuk e shëlbon askënd por i largon prej nesh dhe prej teje. Biseda jonë nuk është në shërbim të dashurisë dhe të shëlbimit, siç është biseda jote. O Jezus, është e mrekullueshme të zbulosh, se si Samaritanes ia thua fjalët që mund të lëndojnë, plagosin, për në rastin tënd këto fjalë shërojnë. Kjo ndodh sepse, ti, o Jezus, këtë krijesë e do.
“Mi tha të gjitha. Të gjitha çfarë bëra unë ai i di; e nuk me gjykoj!” Kjo është gjëja më e mrekullueshme që mund të thuhet për ty, që mund të përjetohet në takim me ty, o Jezus!
O Zot, shpesh të lutem që të thuash vetëm një fjalë që të shërohet shpirti im. Po të lutem, o Jezus, mi thuaj edhe mua të gjitha, më zbulo para vetes sime, sepse shpesh i mbyll sytë para të vërtetës së qenies sime dhe të jetës sime. Afër teje dhe me ty nuk me duhet të frikësohem ta shikoj të kaluarën time, sepse në botën tënde do ta kuptoj se ti edhe atë e ke shëlbuar.