MEDITIMI I DITËS – DETYRAT TONA
Written by Radio Maria on March 15, 2017
Mt 21, 33-43. 45-46 DETYRAT TONA
Kërkoj hirin që me guxim të kryej detyrat e mia, të bashkëpunoj me Hyjin dhe të jap fryt.
33 Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
I zoti i vreshtit e rregulloi vreshtin e vet. Bëri shumë përpjekje e harxhoi shumë mund. I kreu të gjitha me kujdes të madh, e lëshoi vreshtin me qira dhe u nis për rrugë. Ai pati besim te njerëzit që e morën përgjegjësinë për vreshtin e tij. Besoi se vreshti i tij do të jepte fryte të mira.
Jezusi vazhdoi ta paraqiste Hyjin sipas traditës së Besëlidhjes së Vjetër, si zotëria që kujdesej për vreshtin e vet, i cili personifikonte popullin e zgjedhur. Në shërbëtorët e vet, Ai pa profetët, në Birin, pa vetveten. Ka domethënie të madhe se kujt po ia tregonte Jezusi këtë shëmbëlltyrë: kryepriftërinjve dhe drejtuesve të popullit. Hyji ka besim në njerëz dhe në aftësitë e tyre, me të cilat i ka pajisur. Çdo njeriu i jep liri të mjaftueshme që të realizohet dhe që të zhvillohet në dinjitetin e vet. Njeriu e merr përgjegjësinë për vetveten.
Secili prej nesh mund ta shohë vetveten si «vresht i Hyjit». I mora të gjitha gjërat që janë të nevojshme për të dhënë fryt të mirë. Ndoshta tashmë e kam realizuar thirrjen time, kam zgjedhur profesionin dhe tani punoj në të? Ndoshta jam ende në kohën e kërkimit dhe të formimit? Ka rëndësi të madhe që të mendoj dhe të di se në cilën fazë jam. Si e realizoj unë thirrjen dhe punën time? Cila është marrëdhënia ime ndaj përgjegjësive që kam? Cilat janë detyrat e mia: si prind, si përgjegjës, si epror, si edukator…? O Zot, çfarë bëj e çfarë do të duhej të bëj më mirë? Çarë pret prej meje?
34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Nga krejt përpjekja ime, nuk ka asnjë rezultat! Refuzim dhe mosbindje! Kundërshtim nga të gjithë ata që do të duhej të bashkëpunonin me mua. Kjo është paraqitja e marrëdhënieve të njerëzve me Hyjin. Ne mund ta refuzojmë Hyjin dhe kjo gjë ndodh aq shpesh në jetën tonë. Nuk dëshirojmë të japim llogari para Tij për gjërat që Ai na i besoi. Prapëseprapë, edhe prej nesh priten frytet.
O Zot, shumë herë nuk jam i gatshëm të mendoj për jetën time konkrete dhe për frytet që më duhet t’i jap. Më ndihmo që ta kuptoj se në cilën punë më duhet të angazhohem më shumë. Më ndihmo që të shoh se cilat gjëra i përjashtoj në jetën time. Bëj që hiri Yt të më nxisë që këto gjëra t’i pranoj dhe të angazhohem për to.
37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.
Ja, sa shumë e do Hyji njeriun! Ja, sa më do mua personalisht! Ai shkon deri në fund. Për të e dorëzon personin që do më shumë: Birin e dhuron për ne, për mua që të më shëlbojë. Kjo është e vërteta që nuk duhet ta harroj kurrë, që nuk duhet ta lë pas dore e të mos angazhohem për të. «Hyji aq fort e deshi botën sa që dërgoi Birin e vet!» Ai erdhi te ne dhe ne nuk e pranuam.
40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?” 41 Iu përgjigjën: “Të këqijtë do t’i shfarosë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave”.
Dëgjuesit e Jezusit gjykuan mirë. Hyji do t’ua jepte vreshtin shërbëtorëve të tjerë. Ai kërkonte bashkëpunim të ri. Vreshti e jep frytin, por ata që punojnë në të dhe kujdesen për të, mund edhe të mbeten jashtë vreshtit për shkak të sjelljes së vet. Shën Augustini e ka thënë në mënyrë shumë serioze: «Kam frikë prej Hyjit që kalon, se mos nuk kthehet më!» Do të përgjigjem për të gjitha mundësitë që m’i dha dhe për të gjitha hiret që nuk i kam përdorur. O Zot, bëj që fjala Jote të më bëjë më serioz dhe të më nxisë që të jem më i përgjegjshëm në bashkëpunim dhe në angazhim në detyrat që m’i besove dhe në dërgimin që e mora.
42 Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, sa mrekulli në sytë tanë!’ 43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!” [44]. 45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta. 46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.
Jezusi i drejtoi dëgjuesit e vet kah përfundimi i drejtë! Mirëpo, ata e paraqitën krejt zemërngurtësinë dhe paaftësinë e tyre për ta pranuar qortimin e Tij. Ata e qitën jashtë përdorimit gurin e këndit, prej të cilit varet qëndrueshmëria e krejt ndërtesës. Në planin e Hyjit, Jezusi ishte ky gur këndi, në të cilin themelohet krejt «ekonomia e shëlbimit». Porosia e Tij ishte tejet e qartë. Mirëpo, refuzimi i kryepriftërinjve dhe i farisenjve ishte gjithashtu refuzim i vendosur dhe i pamëshirshëm. Ata, jo vetëm që nuk u pajtuan me ato gjëra që tha Jezusi, por u munduan edhe ta zënë me dredhi, që ta burgosnin dhe ta vrisnin.
O Zot, bëj që ta themeloj jetën dhe punën time në Ty. Ji Ti guri i këndit i të gjitha përpjekjeve të mia, i të gjitha fryteve të mia, që më duhet t’i jap e që Ti i pret prej meje.