Shenjti i ditës: 16 Mars – Shën Heriberti, ipeshkëv (970 – 1022)

Written by on March 15, 2017

Shenjti i ditës: 16 Mars – Shën Heriberti, ipeshkëv  (970 – 1022)

 

Heriberti ishte burrë shteti dhe Kishe i rendit të parë në Gjermaninë e perandorit të ri të perandorisë së shenjtë romake, Otonit III, dhe qe ministër e mësues i tij. Pasi u lirua  nga kujdestaria e së ëmës Teofanës dhe gjyshes Adelaides, gjashtëmbëdhjetë vjeçari Otoni (i kurorëzuar në Romë në vitin 996 nga papa i parë gjerman, Gregori V) bëri çmos menjëherë, për ta ringjallur perandorinë e vjetër romake, duke e njohur parësinë e Romës dhe të popullit romak, kjo shkaktoi pakënaqësi në botën saksone dhe në fisnikërinë romake që përveç titujve të mëdhenj të familjes preferonte privilegjet e vjetra. I përzënë nga Roma, Otoni III njëzet e dy vjeçar shkoi të vdiste, në Kastel Paterno afër Viterbos.

Perandori i ri, që në pak vite kishte arritur të vinte rregull politik në Evropë, pati përkrah një ministër të aftë, Heribertin, i lindur në Uorms dhe i edukuar nga benediktinët e Gorc. Papa dhe perandori do ta shpërblejnë detyrën e ministrit duke e emëruar arqipeshkëv të Këlnit, ndërkohë që Heriberti gjendej në Benevento përkrah mbretit të ri për të vënë rregull në krahinat e jugut. Pasi e la Italinë, Heriberti shkoi në Këln për shugurimin meshtarak, të cilin e mori në vitin 999. Fillimisht hoqi dorë nga posti i ministrit për të qënë i lirë t’i kushtohej grigjës që i ishte besuar. U tregua bari i mirë. Vizitoi disa herë tërë dioqezën, duke dhënë shembull varfërie, shpirti pendese, lutje e dashurie ndaj të varfërve. Që kur ishte gjallë mori famë për shenjtëri aq sa thonin se bënte mrekulli, siç ishte ajo e shiut e arritur me lutjet e tij gjatë thatësirës së rëndë që e kishte varfëruar mbarë krahinën. Për këtë thirret akoma sot për të pasur shi në periudha thatësire. Fisnik nga lindja (i përkiste familjes së kontave të Alemanës) por akoma më fisnik në shpirt, Heriberti i shfrytëzoi pasuritë e tij për vepra bamirësie dhe për ndërtimin e kishave dhe të azileve. Në kujtim të tij mbetet abacia e famshme benediktine që ai e themeloi në Deutz afër Renit, ku u varros kur vdiq.


Current track

Title

Artist