MEDITIMI I DITËS – THJESHTËSIA DHE SHËRBIMI

Written by on March 13, 2017

Mt 23,1-12 THJESHTËSIA DHE SHËRBIMI

 

Kërkoj hirin që të jem i thjeshtë dhe i gatshëm për shërbim.

 

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: 2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë”.

Jezusi tha: «bëni çfarë t’ju thonë, por mos bëni siç bëjnë ata, sepse flasin, por nuk veprojnë». Ky ishte një gjykim serioz që ua bëri Jezusi farisenjve dhe mësuesve të Ligjit. Këta të fundit ishin shpjeguesit e saktë të Shkrimeve, ndërsa farisenjtë e konsideronin veten njerëz që e transmetonin në mënyrë të saktë traditën. Kështu ata bëheshin gjyqtarë, kritikë dhe paditës të vëllezërve. Mendonin se e dinin se cili ishte vullneti i Hyjit për secilin njeri dhe secilën bashkësi. Në çdo shoqëri dhe bashkësi, ekziston rreziku i pushtetit shkandullues, rreziku që përgjegjësit e tyre ta shpjegojnë vullnetin e vet si vullnet të Hyjit dhe me këtë gjë t’ia zënë frymën rritjes së bashkësisë dhe dhuntisë së çdo personi e çdo bashkësie. Këtë rrezik e kemi sa herë që kriter gjykimi nuk është Fjala e Hyjit, por fjala jonë, fjala njerëzore dhe kur bindja ndaj Ungjillit i nënshtrohet bindjes ndaj fjalës tonë. Duam ta detyrojmë tjetrin që ta pranojë mënyrën tonë të të menduarit, të sjelljes, të të jetuarit të fesë, të rregulltarisë. Kjo është shenjë se nuk e kemi zemërgjerësinë e Hyjit, por në ne zë vend shpirti i fariseizmit.

O Zot, më ndihmo që të di ta pranoj tjetrin pikërisht pse është ndryshe nga unë, pse të lutet ndryshe dhe pse vjen te Ti nëpër një rrugë tjetër. Më ndihmo që të mos e gjykoj të afërmin pse nuk mendon si unë dhe nuk jeton si unë. Më ndihmo që të mos kem frikë të jem ndryshe, sipas shpirtit të Ungjillit, edhe pse shoqëria, në të cilën jetoj, nuk i pranon ligjet e Ungjillit, as nuk jeton sipas shpirtit të Ungjillit.

4 “Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. 5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit…vendet e para, 7 përshëndetjet… dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’”.

E keqja më e madhe që mund të na ndodhë në drejtimin e të tjerëve, kur jemi përgjegjës për ta, është që t’i ngarkojmë të tjerët dhe të kërkojmë prej tyre që të sillen sipas kërkesave tona, duke e përjashtuar vetveten dhe të tjerët nga dashuria, drejtësia dhe sinqeriteti. Me çfarë e ngarkoj tjetrin dhe çfarë kërkoj prej tjetrit, e unë me ato gjëra as nuk pajtohem dhe nuk e luaj as gishtin e vogël për t’i zbatuar? O Zot, bëj që të mos u bëhem peshë të tjerëve, as të mos ua ngarkoj barrën e rëndë në krahë, por më ndihmo që t’u ndihmoj me dashuri, sipas nevojës që kanë për mua. Më ndihmo që të angazhohem për ta mbartur barrën e vëllezërve dhe të motrave të mia.

O Zot, gjithashtu, dëshirojmë të tregojmë se çfarë kemi bërë, dëshirojmë të ulemi në vendin e parë, duke e konsideruar veten të rëndësishëm, njerëz të pranuar, duke kërkuar që njerëzit të na përshëndesin. Kështu jemi të aftë që t’i gjejmë mënyrat për të qenë të rëndësishëm, që të tjerët të na pranojnë dhe të na vlerësojnë. Ti nuk dëshiron që të jemi të tillë, mirëpo neve na përfshin mendjemadhësia dhe e kemi shumë të vështirë që ta kundërshtojmë. Bëj që të ketë më shumë përvujtëri në fjalët dhe në veprat tona.

8 “Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin!”

Jezusi na thërret në mënyrë të re, në thjeshtësi dhe në përvujtëri, derisa ne kërkojmë tituj, nderime, emra të nderuar, diploma, etj. Sa me thjeshtësi do të duhej t’i përdornim titujt edhe në Kishë! A jam i thjeshtë dhe i përvuajtur? A më pengon kur të tjerët më paraqesin, duke theksuar titujt e studimeve dhe nderimet e mia? O Zot, sa shumë na mungon thjeshtësia dhe përvujtëria.

11 “Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet”.

Jezusi kërkon që më i madhi të jetë shërbëtor. Kjo është shkalla e vlerësimeve që bën Ai. Sa larg që jemi prej saj! Sa ndryshe është shkalla e vlerësimeve tona! Sa shumë jehon në jetën tonë fjala ‘të jesh i pari, të jesh më i miri, të jesh më lart, të jesh më i njohuri’. Ja kush është më i madhi në sytë e Zotit: shërbëtori i shërbëtorëve! Këtë gjë Ai e dëshmoi duke ua larë këmbët secilit prej nxënësve. Ai, të cilin e quanin Mësues dhe Zotëri, e bëri këtë vepër që e kishte për detyrë shërbëtori ose skllavi. Kështu tregoi se çfarë duhet të bëjmë unë dhe ti. Për këtë arsye, ata që dëshirojnë të jenë të ngjashëm me Të dhe dëshirojnë të bëjnë çfarë bëri Ai, le të shërbejnë me përvujtëri. Këtë gjë e kuptoi dhe e kreu në mënyrë të mrekullueshme Vëlla Sharl dë Fuko. Ai shkoi pas Mësuesit të vet në përvujtëri deri në fund, duke e ditur se kurrë nuk do t’ia dalë të ulet në vendin e fundit, sepse atje ishte gjithmonë «Mësuesi i pamundshëm». Prandaj edhe tha kështu për Mësuesin e vet: «Jezusi aq shumë e kërkoi vendin e fundit, saqë ishte e pamundur që dikush t’ia zinte atë». O Zot, bëj që të jem pranë Teje! Bëj që të shoh se çfarë bën dhe si sillesh! Më mëso që të jem i përvuajtur dhe shërbëtor! Le të jetë kjo shkolla ku mund të vlerësoj atë çfarë bëj.

 


Current track

Title

Artist