MEDITIMI I DITËS – GJURMËT E HIRIT

Written by on March 11, 2017

Lk 6, 36-38 GJURMËT E HIRIT

 

Kërkoj hirin që të kthehem, të mbart mbi vete gjurmët e hirit të Hyjit.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 36 “Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

Njëra prej lumturive na fton që të jemi të mëshirshëm: «Lum të mëshirëshumit: sepse do të gjejnë mëshirë!» Çfarë do të thotë të jesh i mëshirshëm? A do të thotë kjo ta kesh zemrën e butë? Ose ndoshta të jesh i thjeshtë, i hapur? Të mendosh për tjetrin dhe të jesh i gatshëm që ta bashkëndash me të peshën e tij? Të kesh zemër për tjetrin? Të jesh i afërm? Të jesh i gëzuar? Të jesh pafundësisht i mirë? A është mëshirë emri tjetër i dashurisë? Në të vërtetë, çdo njeri do të duhej të përpiqej të mendonte se çfarë domethënieje ka thirrja që na bën Jezusi: të jesh i mëshirshëm, sikurse edhe Ati është i mëshirshëm! Kjo thirrje është e ndryshme për ata që janë prindër, e ndryshme për të rinjtë e fejuar, e ndryshme për rregulltarët e rregulltaret, e ndryshme për fëmijët e të rinjtë, e ndryshme për një meshtar dhe e ndryshme për atë që jeton në klauzurë të plotë. Por, të gjithë jemi të ftuar që të jemi të mëshirshëm.

Mirëpo, çdo njeri që përpiqet ta peshojë mëshirën në peshore, në këtë kërkesë të Jezusit, do të gjejë një gjë që është e njëjtë për të gjithë. Ai na thërret që të kthehemi drejt tjetrit. Ati është i mëshirshëm ndaj të gjithëve, atëherë edhe ne duhet të jemi të mëshirshëm ndaj të tjerëve. Çdo lëvizje e jona ndaj tjetrit duhet të shënohet me këtë ëmbëlsi. Mëshira është qëndrimi ynë ndaj atyre që duhet t’i mbështjellim me butësi dhe ëmbëlsi. Kjo do të thotë që ta shikojmë tjetrin si qenie të vlefshme në sytë e Hyjit, sepse është krijesë e Tij.

Jezusit i pëlqen më shumë mëshira sesa flija. Në flijim mund të bëhem i fortë, i mbyllur në vetvete, njeri vullnetkeq. Mëshira më nxit që të lirohem prej të gjitha këtyre gjërave dhe të hapem para tjetrit, duke iu dhuruar. Jezusi e kaloi tokën tonë duke dhënë mëshirë. I deshi njerëzit dhe kishte dhembshuri për ta.

O Zot, unë nuk jam i mëshirshëm! Kur përpiqem të jem i mëshirshëm, edhe atëherë kërkoj që të më kthehet diçka. Kur nuk e marr këtë gjë, në mua bashkohen e keqja dhe padurimi. Të gjitha këto janë aq larg nga mëshira. Po të lutem, më ndihmo që, pranë të keqes që kam, të di të jem i mirë; që, edhe pranë padurimit, të jem i ëmbël e ta dëgjoj dhe ta pranoj tjetrin.

Mua më duhet ta paraqes shkëlqimin e mëshirës Tënde në botë, por unë nuk e bëj këtë gjë. Ti do që të veprosh përmes meje, do që të jesh i mëshirshëm. Unë nuk kam asgjë prej këtyre. Si ta realizoj këtë gjë? Më ndihmo që të bëj së paku aq sa kam mundësi. Bëj që të mos frikësohem, por ta ngre shikimin tim drejt Teje, sepse vetëm te Ti mund ta marr hirin dhe forcën.

37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje!”

Sa e lehtë është që, së pari, ta matim tjetrin e atëherë ta gjykojmë! Kemi shumë gjykime dhe ankesa njëri për tjetrin. Kush do t’i masë të gjitha ankesat dhe paditë e të gjithë njerëzve që u drejtohen vazhdimisht gjyqeve? Kush do t’i perceptojë të gjitha ato gjëra që ndodhin në zemrat tona sa herë që gjykojmë? Vërtet, kur në ne nuk ka mëshirë, atëherë në zemrën tonë e ndërton çerdhen e keqja, jemi të gatshëm që të shprehim gjykime të tmerrshme. Si mund të falim, nëse nuk kemi mëshirë? Sikurse mëkati, së pari fillon, në brendësi, në zemër fillon edhe çdo luftë dhe kundërshtim që ia bëjmë mëkatit. Prandaj, Jezusi na thotë në mënyrë shumë të qartë që të mos gjykojmë dhe që të dimë të falim. Çfarë gjykimesh i kam bërë në zemrën time? Kë e kam gjykuar? Kë duhet ta fal? Le ta paraqesim në lutje secilin prej njerëzve me të cilët jetoj dhe e ndaj jetën e përditshme. Kush janë ata njerëz pranë meje që më duhet t’i «liroj» nga gjykimet e mia, që duhet t’i fal?

O Zot, Ti kërkon nga unë që këtë gjë ta shndërroj në vepër. Ndonjëherë, më nevojitet vetëm një përpjekje e vogël, vetëm një fjalë ose një gjest, por këto gjëra mungojnë aq shpesh. Më jep fuqi që ta kryej edhe këtë gjë në jetën time.

38 “Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim”.

Të japim nga zemra dhe me dorë të hapur. Atë Ante Gabriq thoshte: «Sa më shumë që njeriu i jep Jezusit dhe të tjerëve, sheh se mundet të japë edhe më shumë». Kjo është fshehtësia e dhurimit dhe e kryqit. Sa më shumë jep, aq më i ëmbël je. Gjëja më e ëmbël në jetën e njeriut është të kesh mundësi të japësh. «Ja, kjo është masa e madhe, e gjerë si jeta, plot si dashuria». Kur matim pa masë, atëherë kurrë nuk do të gënjehemi. Sa të fillojmë të peshojmë me saktësi, shumë lehtë do të gënjehemi. Kjo është fshehtësia e dashurisë, e mëshirës dhe e masës pa masë.

O Zot, le të më prekë së paku nxitja jote që të mos jem egoist! Ajo që bëj, ashtu siç e bëj do të më kthehet. Nëse masën e kam me kurnacëri, me kurnacëri edhe do të korr. Nëse masa ime është e madhe, me mbushulli edhe do të korr. Më atë masë që mat, ashtu edhe mua do të më matet. Më ndihmo që t’i vë në shërbim dhe në përdorim të të tjerëve të gjitha gjërat që kam.

 


Current track

Title

Artist