Shenjti i ditës: 11 Mars – Shën Sofroniu, ipeshkëv i Jerusalemit (+639)

Written by on March 10, 2017

Shenjti i ditës: 11 Mars – Shën Sofroniu, ipeshkëv i Jerusalemit (+ 639)

 

Perandori i Kostandinopojës, Herakliu, nuk kishte shumë kohë që i kishte ripërzënë në kufinjtë e tyre persianët e Kosroes, kur në jug u afrua një rrezik akoma më i madh: Muhameti, i cili mendonte se kishte një mision profetik, pasi realizoi bashkimin e arabëve, i shtyu që të pushtonin territoret e atyre që i quanin «të pabesë». Pasi vdiq, në vitin 632, pasardhësit e tij, vjehrri Abu – Bekr dhe kalifi Omar pushtuan Palestinën në 634, vit në të cilin u zgjodh patrik i Jerusalemit siriani nga Damasku Sofroniu, që nuk mundi ta kremtonte Krishtëlindjen si zakonisht, në kishën e Lindjes në Betlehem sepse fshatrat përreth Jerusalemit ishin  të gjitha në duar të myslimanëve, e mezi prisnin të rrethonin edhe Qytetin e shenjtë. Apelet e drejtuara perandorit Herakliut binin në vesh të shurdhër.

Në Kostandinopojë ishte në vazhdim një luftë tjetër, ajo fetare, që bëhej në emër të një prej shumë dallimeve të holla teologjike, monotelizmit. Ishte e herezia e fundit kristologjike,  që i jepte Krishtit vetëm një vullnet, atë hyjnor, dhe aspak natyrën njerëzore që kishte marrë Shpëtimtari. Herakliu duhej t’u kishte bërë ballë rreziqeve të tjera, por preferoi të zbriste në fushë për të zgjidhur  mosmarrëveshjen teologjike, duke përkrahur patrikun e Kostandinopojës, Sergjin, i cili ishte më shumë nënpunës mbretëror se sa teolog. U përpoqën të dy të gjenin një kompromis mes mësimit katolik dhe monofizizmit, bashkë me një seri përjashtimesh që u bënë në herezinë e re të monotelizmit. As papa Onoriu nuk kishte parë në «bashkimin moral të dy vullneteve të Krishtit» rrezikun e herezisë. Por këtë gjë e vërejti  patriku i Jerusalemit, Sofroniu, dhe kampioni tjetër i ortodoksisë Maksimi Rrëfyesi. Të dy me letra e shkrime të ndryshme (Sofroniu krijonte edhe poezi) u munduan të qartësonin keqkuptimin, por tashmë zëri i patrikut të shenjtë po mbytej nga besimtarët e Allahut. Në 638 Sofroniu, me dhimbje të madhe në zemër, iu desh t’ia dorëzonte Qytetin e shenjtë kalifit Omar. Dhimbja qe e tillë sa që prej asaj dite nuk vonoi shumë dhe vdiq. Prej tij janë ruajtur disa letra dhe poezi.

 


Current track

Title

Artist