MEDITIMI I DITËS – THIRRJA E KISHËS PËR KTHIM
Written by Radio Maria on March 7, 2017
Lk 11, 29-32 THIRRJA E KISHËS PËR KTHIM
Kërkoj hirin që sot ta dëgjoj thirrjen e Jezusit për kthim, të cilën ma drejton përmes Kishës.
29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë: “Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni”.
Jezusi duke shtjelluar mësimin e vet, hasi në kundërshtimin dhe refuzimin njerëzor. Njerëzit nuk e pranuan gjithmonë, por kërkonin prej Tij shenja të reja, mrekulli të reja dhe argumente të reja për mësimet që bënte. Sa shumë lidhen njerëzit me shenjën e jashtme, me atë gjë që mund ta shohin, ta prekin, ta peshojnë dhe ta matin! Paraqitja e jashtme u bëri përshtypje të madhe.
E tillë nuk ishte vetëm breznia e Jezusit, por të tilla janë të gjitha breznitë njerëzore. Edhe pse njeriu është qenie trupore dhe shpirtërore, lidhje e trupit dhe shpirtit, duket se materia bën shumë përshtypje në të dhe pikërisht në të e ndërton më shumë jetën e vet.
Breznia e tij ia përkujtoi Jezusit brezninë e ngurtësuar dhe të fortë që Hyji e kishte nxjerrë nga robëria e Egjiptit dhe po e çonte në tokën e premtuar. Kjo brezni, gjatë udhëtimit, e tundoi Hyjin, murmuronte dhe i kërkonte në vazhdimësi shenjat e Tij.
As breznia jonë nuk është aspak më ndryshe. Vazhdimisht kërkojmë njëfarë shenje dhe të gjithë vrapojmë në ato vende ku ndodh diçka. Kemi nevojë për «vegime» e «shfaqje» që të besojmë. Murmurojmë para Hyjit për shkak të heshtjes së Tij. Kemi dëshirë që të na flasë fuqishëm, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të gjithë të pafetë ta kuptojnë se si Hyji ekziston dhe se nuk kanë të drejtë që të mos besojnë. Po ta shkruante Hyji emrin e vet në qiell, eh si do ta kuptonin të gjithë qartësisht se Ai ekziston! Po ta ndëshkonte Hyji të keqen, po ta shkatërronte padrejtësinë, oh sa shumë njerëz do të besonin në të! Përse nuk paraqitet, përse nuk i zhduk dyshimet në zemrat e dyshuesve, mosbesimin në zemrat e të pafeve, në mënyrë që një herë e mirë ta kuptojnë dhe të besojnë në Të?
Isaia profet një çast klithi: «Po t’i çaje qiejt e të zbrisje!» Njeriu thjesht mendon kështu. Do që Hyji të jetë i dukshëm në të njëjtën mënyrë siç është njeriu i dukshëm.
Ku e kërkoj unë shenjën time për mua? A e tundoj unë Hyjin? A varet feja ime prej disa paraqitjeve, prej fenomeneve të jashtme, pa të cilat jam i humbur, i pasigurt dhe i pështjelluar? A e kërkoj edhe unë një mbështetje të jashtme për fenë time?
O Zot, bëj që Fjala jote të më bëhet dritë në udhën time! Bëj që ta kuptoj se feja nuk gjendet në shenjat e jashtme, se nuk është në sigurinë materiale në të cilën nuk mund të ndalem dhe të qëndroj në të njëjtin vend. Nëse dua të ndalem, atëherë e zvogëloj besimin tim. Kur kërkoj shenjë, kjo do të thotë se nuk kam besim ose atëherë feja ime është e dobët. Ajo veçse flakëron dhe dëshiroj që ta rris zjarrin e saj në mënyrë të gabuar.
Hyji kërkon prej njeriut që të veprojë krejtësisht ndryshe. Ai nuk e zgjedh forcën. Nuk imponohet. Nuk dhunon. Atij i pëlqen më shumë që të jetë «Shërbëtor», ai që ofron, nxit, pret dhe dashuron. Nuk dëshiron që të na ketë si skllevër, as si robotë! Ai e respekton lirinë tonë. Ajo është aq e vlefshme, sa edhe vetë jeta jonë. Mirëpo, Ai na lë gjurmë të mjaftueshme dhe shenja që të mund ta njohim dhe të shkojmë pas Tij.
Sikurse Jona ishte shenjë për ninivitët, ashtu ishte edhe Jezusi për brezninë me të cilën jetonte. As Jona nuk ishte ndonjë «jashtëtokësor», që me paraqitjen e vet ta tërhiqte vëmendjen e njerëzve. Ai nuk bëri asgjë spektakolare. Ai nuk bëri asnjë mrekulli. Thjesht kalonte nëpër rrugët e qytetit dhe i thërriste njerëzit në kthim. Kërkonte prej njerëzve që të ktheheshin. Kërkonte prej njerëzve që të ndryshonin, që të bëheshin më të mirë, të braktisnin veset e veta të këqija dhe vlerat e gabuara, të ndërtonin prirjet e mira dhe të pranonin vlerat e vërteta.
Pyetja vazhdon për çdo brezni besimtarësh, pra edhe për brezninë time. A i pranoj unë shenjat që m’i jep Kisha dhe besimi im? A e pranoj thirrjen për kthim, që më drejtohet gjatë këtyre Kreshmëve? Përgjigjen e jep secili personalisht para Hyjit dhe para Kishës! Kjo përgjigje shihet më pas dhe vërtetohet në jetën konkrete para syve të të tjerëve!
31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! 32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!
«Mbretëresha e Jugut» e kuptoi se ku ishte urtia dhe erdhi për ta dëgjuar. Ninivitët e dëgjuan dhe e pranuan thirrjen për kthim. Nuk pati asnjë lloj shenje tjetër, përveç predikimit profetik. Ata e pranuan thirrjen, e bënë përpjekjen dhe kjo ishte në dobinë e tyre! Jezusi ia dha këtë ngjarje si shembull breznisë së vet. Pra, dëgjuesit e Tij ishin me një tjetër, që ishte më i madh se Jona, me dikë që e tejkalonte Salomonin dhe urtinë e tij.
Edhe breznia ime ka dikë, që është më i madh se Jona e Salomoni dhe urtia e tij! A e dëgjon breznia ime thirrjen për kthim, që ia drejton Jezusi përmes Kishës? A e dëgjoj këtë thirrje unë personalisht? O Zot, hapi veshët e mi! Ma jep një zemër të re! Më ndihmo që ta kuptoj se çfarë duhet të ndryshoj, çfarë duhet të bëj gjatë kohës së Kreshmëve!