Shenjti i ditës: 3 Mars – Shën Marini, martir në vitin 262
Written by Radio Maria on March 2, 2017
Shenjti i ditës: 3 Mars – Shën Marini, martir në vitin 262
Me emrin e bukur Marin, në kalendar ka një numër të madh shenjtërish që e kanë nderuar me martirizim (shtatë martir) ose me një jetë rregulltare shembullore (një eremit dhe katër murgj benediktin). Martiri i përkujtuar sot është më popullori falë tregimit për martirizimin e tij, që na e ka lënë historiani Euzebi.
Perandori Galieni në vitin 260 kishte përhapur një edikt tolerance për ata që shpallnin besimin e krishterë. Megjithatë në periudhën e paqes që pasoi pati martir të tjerë, pasi jo të gjithë qeveritarët, në kufinjtë e perandorisë, ishin mësuar me rrjedhën e re politike. Dy vjet më pas një zyrtar fisnik i ushtrisë së dislokuar në Cezare të Palestinës e pagoi këtë mostolerim të pajustifikuar.
Dhe ja se çfarë tregon Euzebi:
Pasi u lirua vendi i centurionit, në këtë detyrë u emërua më i denji ndër zyrtarët Marini. Por nuk ishte i vetmi që dëshironte një detyrë të tillë, e meqenëse ziliqarët nuk kanë munguar asnjëherë, një zyrtar tjetër që të mund t’i zinte vendin, përdori strategjinë e vjetër «vdekja jote, jeta ime» shkoi tek gjykatësi dhe e akuzoi Marinin se ishte i krishterë, duke u mbështetur tek ligji i pashfuqizuar që ia ndalonte hyrjen në detyrat perandorake atij që kishte refuzuar të flijonte ose të digjte kem para statujës së perandorit. Me këtë gjest i jepej Cezarit shenja dalluese e hyjnisë. Gjykatësi i quajtur Ake, e thirri Marinin i cili pa ngurrim pohoi se ishte i krishterë. «Ke tri orë kohë për t’u rimenduar» – i tha gjykatësi. Marini shkoi tek ipeshkvi i tij Teotekni dhe ia paraqiti çështjen e tij. Ipeshkvi ia nxori para sysh Ungjillin, pastaj duke ia treguar shpatën që ushtari e mbante përballë, i tha: Kë do të zgjedhësh mes këtyre të dyjave ?
Marini vuri dorën tek Ungjilli. «Ji pra i Hyjit», -i tha ipeshkvi, «ji me Hyjin, i fortë në hir, vazhdoje deri në fund atë që ke zgjedhur». Kjo zgjedhje i kushtoi Marinit martirizimin. Senatori Asteri, i pranishëm në këtë skenë, i mallëngjyer nga një qëndrueshmëri e tillë, e mori trupin e martirit dhe e varrosi denjësisht. U pagëzua dhe pësoi të njëjtin fat me Marinin. Edhe ai përkujtohet sot si martir, megjithëse nuk ka data historike të besueshme.