MEDITIMI I DITËS – NË RRUGË PAS KRISHTIT
Written by Radio Maria on March 1, 2017
Lk 9, 22-25 NË RRUGË PAS KRISHTIT
Kërkoj hirin që ta kuptoj kryqin si rrugë drejt plotësisë së jetës dhe ta pranoj si kusht të domosdoshëm që të shkoj pas Krishtit.
Jezusi u tha nxënësve të vet: 22 “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet”.
Jemi në fillimin e Kohës së Kreshmëve dhe menjëherë na del para syve qëllimi. Kreshmët janë udhëtim drejt Pashkëve, drejt plotësisë, drejt kuptimit dhe pikës më të lartë të jetës. Çdo gjë përfundon në ditën e Pashkëve dhe merr kuptim në ngjallje. Ngjallja është fundi i udhëtimit, fillimi i gëzimit të amshuar. Në përfundimin e këtij udhëtimi është «udha» e amshuar e fitores së ngjalljes dhe gëzimit.
Jezusi na e zbulon cilësinë e kësaj udhe gjatë Kohës së Kreshmëve të jetës sonë tokësore. Kjo është udha e vuajtjes, përjashtimit dhe vdekjes. Kjo është udha e kryqit. Për këtë gjë më duhet të bëhem i vetëdijshëm, veçanërisht gjatë Kreshmëve. Mësuesi im udhëtoi nëpër këtë rrugë. Ai u nis i pari. Nuk ka rrugë tjetër deri te ngjallja dhe qielli. Vetëm duke u lutur, mund ta kuptoj rëndësinë e saj për jetën.
O Zot, nuk i kuptoj të gjitha dhe nuk e kam të qartë se pse më duhet të nisem udhës së kryqit. Të shikoj Ty se si nisesh në këtë rrugë dhe ta kërkoj fuqinë, që edhe unë t’ia dal në këtë udhëtim me kryqin tim në krah. Po të lutem edhe për ata që në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë të pajtohen me kryqin e jetës.
23 Pastaj iu drejtua të gjithëve: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë”.
«Kush do të vijë pas meje…» Zotëria ishte Mësues në gjithçka, edhe në vuajtje e në mbartjen e kryqit. Ai nuk foli në mënyrë teorike, nuk paraqiti ndonjë dituri se si duhet mbartur kryqi. Nuk foli se çfarë është kryqi, as se cili është kuptimi i tij. Ai u nis i pari dhe më thirri që të shkoj edhe unë pas Tij. Ai vuajti dhe më thirri që të bashkohem me të në vuajtje.
Do të doja, o Zot, që gjatë këtyre dyzet ditëve të mësoj në shkollën Tënde të vuajtjes dhe të kryqit. Askund tjetër nuk do të mësoj më mirë se si pranohet dhe mbartet kryqi dhe si mund të jem i qëndrueshëm në vuajtje. E di se nuk je as para, as pas meje, por je krah për krah me mua. Vetëm me ndihmën Tënde, unë mund ta mbart kryqin tim.
Ta mohoj vetveten! Kush e mendon sot këtë gjë? Kush mendon për diçka të tillë në botën tonë vetjake? Njeriu ia ka nënshtruar vetvetes çdo gjë. Secili mendon vetëm për veten, për suksesin personal, për shëndetin e vet, për jetën e vet. Gjithçka duhet shfrytëzuar vetëm për veten tonë. Nuk ka më vend për vetëmohim, nuk jemi të gatshëm që t’ia hapim rrugën e t’i japim përparësi tjetrit. E dimë se kjo gjë e kundërshton dashurinë e vërtetë dhe se, me këtë qëndrim, njeriu nuk e arrin kënaqësinë dhe gëzimin. Përkundrazi, në të mbetet zbrazëtia që kërkon plotësimin, mbetet pakuptimi që kërkon kuptimin. Mirëpo, njeriu mbetet në rrethin e vet vicioz dhe sillet në të. Nuk dëshiron të dalë prej tij, sepse nuk është i gatshëm për vetëmohim.
O Zot, Ti na tregon udhën dhe na paraqet daljen: të mohojmë vetveten, të mos mendojmë vetëm për veten, ta pranojmë kryqin çdo ditë dhe të vijmë pas Teje. Vërtet, kur përpiqemi t’i ndihmojmë tjetrit, ndjejmë se si zemra jonë zgjerohet, bëhemi njerëz më të hapur, më të kënaqur dhe më të gëzuar. Ky është ligji i dashurisë së vërtetë: të mos mendosh për veten, ta harrosh vetveten dhe të kthehesh drejt tjetrit. Më ndihmo që të jem më i gatshëm ndaj të tjerëve, që t’i shoh nevojat e tyre dhe t’u ndihmoj.
24 “Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”.
Kjo është ftesa e madhe për çdo besimtar. Çfarë nuk jemi në gjendje të bëjmë për jetën tonë! Aq vlerë të madhe ka jeta në sytë tanë, e në të vërtetë është aq e brishtë e aq e dobët. Sa më shumë që duam ta ruajmë, ta mbajmë, ta mbrojmë jetën tonë, aq më shumë e ndjejmë gjendjen e saj kalimtare dhe dobësinë e saj. Sa më shumë që dëshirojmë të marrim nga jeta, aq më shumë shohim se si na rrëshqasin nga duart ato gjëra që duam t’i ruajmë, të gjitha ato që dëshirojmë të na japin kënaqësi. Prandaj, jemi plot me trishtim, plot me përkujdesje, të pakënaqur. Edhe këtu, Jezusi na befason dhe na thërret që të veprojmë ndryshe. O Zot, më ndihmo që ta kuptoj se nuk mund ta ruaj jetën, se nuk duhet ta ruaj për veten, sepse kështu me sigurinë më të madhe e humbas atë. Bëj që të mësohem t’i hap duart e mia si Ti dhe të jap atë çfarë kam – jetën që e jetoj – sepse vetëm kështu do ta ruaj atë. Ky është paradoksi i jetës dhe i dashurisë. Ti këtë gjë e tregove në kryq.
25 “E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?”
Shën Injaci i Lojolës ia përsëriste këtë mendim të Jezusit Shën Françesk Ksaverit, ndërkohë që ky ëndërronte dhe kërkonte lavdinë tokësore dhe nderin në Sorbonë të Parisit. Françesku e kuptoi dhe u bë i shenjtë. Shenjtëria është pikërisht kjo: që Ungjillin ta kuptojmë seriozisht dhe ta realizojmë në jetë fjalë për fjalë. Derisa na mungon ky përcaktim, mbetemi në gjysmë të rrugës, kurrë nuk do të jemi as të kënaqur e as të gëzuar. Kreshmët janë kohë që të shoh se në cilën pjesë të rrugës jam.