Shenjti i ditës: 1 Mars – Shën Albini, ipeshkëv i Angers (+554)
Written by Radio Maria on February 28, 2017
Shenjti i ditës: 1 Mars – Shën Albini, ipeshkëv i Angers (+554)
Saint – Aubin është një shenjt mjaft popullor në Francë dhe në të gjithë Evropën veriore, i dashur dhe i nderuar veçanërisht pas vdekjes së tij. Sa ishte gjallë pati pak miq e shumë kundërshtarë për qëndrueshmërinë me të cilën e qeverisi dioqezën e tij dhe për ashpërsinë me të cilën pretendoi nga kleri zbatimin e rregullave të Kishës, duke përfshirë detyrimin për të qënë i pranishëm në meshë çdo të dielë. Për zbatimin e kësaj norme u bë zëdhënës në Koncilin e Orléans që u zhvillua në vitin 538. Luftoi veçanërisht kundër imoralitetit të përhapur në shoqërinë e lartë përsa i përket çështjes së etikës martesore sepse ishin të toleruara martesat incestuoze, dhe bashkëjetesa pa kurorë edhe mes klerit, ishte një plagë mjaft e përhapur.
Albini vinte nga një familje fisnike. Kishte lindur rreth vitit 469 në Vanes dhe që në moshë të re bëri një jetë shembullore. Që të mund të ndiqte thirrjen e vet për t’u bërë murg, nuk ngurroi të hiqte dorë nga të gjitha pasuritë dhe titulli fisnik. Murgjit e Tincilak kuptuan se kishin mes tyre një shenjt dhe e zgjodhën abat të tyre. Për një çerek shekulli Albini e drejtoi abacinë, duke e kthyer jetën monastike në zellin fillestar dhe duke udhëhequr me qëndrueshmëri të kujdesshme. Porsa u zgjodh në detyrën ipeshkvore në qytetin e Angers, sjellja e tij energjike nuk vonoi t’i shkaktonte kundërshtime mes klerit dhe fisnikëve. Por me gjithë përsëritjen e kërcënimeve për vdekje që i mbërrinin në mënyra të ndryshme Albini vazhdoi i patrembur me veprën e tij të vështirë e të rrezikshme moralizuese. Kishte në anën e tij vetëm një ipeshkëv të madh, mikun shën Cezarin dhe kaq i mjaftonte. Por kishte edhe dashurinë dhe nderimin e popullit, i cili kur vdiq qe i njëzëshën për ta shpallur shenjt. Që në vitin 556, dy vite pas vdekjes, iu kushtua një kishë në kriptën e të cilës u vendosën më vonë eshtrat e tij. Afër kishës lindi nga pak një abaci që mori emrin e tij.