MEDITIMI I DITËS – VETËM ZOTËRIA

Written by on February 27, 2017

Mk 10, 28-31 VETËM ZOTËRIA

 

Kërkoj hirin: që të jem i gatshëm t’i braktis të gjitha për shkak të Zotërisë.

 

28 Pjetri mori fjalën e i tha Jezusit: Mësues, »Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.«

Ngjarja me njeriun që për shkak të pasurisë largohet prej Jezusit, ndikoj fuqishëm në nxënësit e Jezusit. Pasuria frenoj gatishmërinë e këtij njeriu që t’i braktis të gjitha dhe të niset pas Jezusit. Prandaj u largua i trishtuar prej Tij. Pjetri, sikur priste rastin që ta pyeste Jezusin se çfarë do të bëhej me ta që kishin braktisë gjithçka dhe shkuan pas tij. Këto çaste pas largimit të njeriut ishin të përshtatshme që më në fund ta merrte përgjigjën në atë pyetje që kohë të gjatë e mbarte në zemër. Pjetri ishte krenar, këtë na tregojnë fjalët e tij. Ai flet në mënyrë solemne para të tjerëve. Në sjellje ka edhe përshpejtim. Prapëseprapë, fjalët e tij janë paraqitje e sinqertë e bujarisë së thellë.

T’i lësh të gjitha dhe të nisesh pas Jezusit është shenjë e mirësisë dhe e zemrës së hapur. Këtë gjë mund ta bëj vetëm njeriu që është dashuruar në Hyjin. Për shkak të dashurisë që ka për Zotërinë i le të gjitha dhe siç do të bëj edhe shën Pali, i vlerëson si baltë, sepse thesarin e vet e gjeti në Zotërinë. Pjetri dhe miqtë e tij ishin të tillë. A jam i gatshëm që edhe unë të braktis së paku diçka që në këtë mënyrë të shkoj pas Jezusit? Sa është i pranishëm Jezusi në zemrën time? A është Ai thesari im?

 29 Jezusi i përgjigji: »Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat…

Kërkesë e pabesueshme! Kush ka mundësi të kërkojë një mohim te tillë? Në emër të kujt? Përse duhet braktisur gjërat që janë aq të zakonshme në jetën e njeriut? Pyetjet kemi mundësi t’i rendisim në pafundësi. Një gjë të tillë ka mundësi ta kërkojë vetëm ai që e njeh vlerën e asaj, për shkak të të cilës ia vlen të braktisën edhe vlerat që në vetvete kanë babai dhe nëna, vëllezërit dhe motrat. Të mirat materiale në krahasim me personat që kanë vend të pazëvendësueshëm në jetën e njeriut, e që këtu tregojnë shkëputjen e plotë të njeriut prej tyre për shkak të Jezusit, nuk kanë asnjë vlerë. Të gjitha këto e paraqesin kërkesën e skajshme të cilën Jezusi ia drejton njeriut të cilin e thërret që të shkojë pas tij. Këtë gjë mund ta kërkojë prej njeriut vetëm Hyji. Këtë gjë ka mundësi ta bëj njeriu që është i dashuruar në Hyjin. Këto vlera nuk kanë mundësi të braktisën për shkak të nënçmimit as për arsye se nuk kemi dashuri ndaj këtyre personave. Këtu është e pranishme arsyeja tjetër: njeriu ka mundësi të braktis këto vlera vetëm për shkak të një vlere shumë më të madhe.

Kështu ishte në fillim dhe kështu do të jetë deri në fund, deri në ardhjen përfundimtare të Jezusit.

30 e të mos marrë tani në këtë botë, edhe pse me salvime – njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara – e në botën e ardhshme Jetën e pasosur. 31 Shumë asish që janë të parët do të jenë të fundit.

Nëse krahasojmë atë që njeriu le me atë që merr në shkëmbim, shohim se merr qindfishin. Nuk merr vetëm qindfishin e babait, përse? Sepse Ati është vetëm një. Këtu shtohet diçka tjetër që befason: të gjitha këto merren më përndjekje.

Gëzimi i premtuar, pranimi qindfish, plotësia e dashurisë, komunikimet dhe lidhjet me të tjerët nuk shkojnë pa vuajtje, pa përndjekje. «nuk ka dashuri pa dhimbje», thotë libri, Të përngjamët  e Krishtit.

Këto fjalë të Jezusit flasin qartë dhe në plotësi për harenë dhe gëzimin. Nëse nuk i përjetojmë kështu, atëherë ekziston rreziku që Ungjillin mos ta kuptojmë dhe mos ta jetojmë si duhet. Këto fjalë i kanë kuptuar mirë të krishterët e parë të cilët përjetuan përndjekjen por edhe të gjitha breznitë tjera që kaluan nëpër  fazat e mundimeve. T’i lexojmë Bisedat e karmelitaneve të Bernanosit, dhe do të shohim se kënga e tyre do të ndërpritet në çastin kur karmelitanes së fundit ia shkurtojnë kryet. Të gjithë na thonë: Jemi të përndjekur, por çfarë jete e mrekullueshme na pret… Braktisim shtëpitë, por na pranojnë të tjerët, shtëpitë e tyre janë tonat; braktisim të afërmit tanë, por hyjmë në rrethin më të gjerë të miqve dhe të lidhjes së thellë në dashuri më të tjerët, më shumë vëllezër dhe motra.

Jeta e pasosur është peng se marrim shumë më shumë se ajo që mohojmë dhe braktisim.

Ndërsa shumë të fundit do të jenë të parët.«

Këto fjalë na çudisin sepse shikimi jonë mbi botën është deformuar. Na duhet ta shndërrojmë shkallën e vlerave që të shikojmë si duhet. Do t’i lutem Zotit që të më ndihmojë në këtë gjë.

 


Current track

Title

Artist